(17.1.2009 RV)Antoni e ndjeu thirrjen e Zotit për ta ndjekur në shketëtirë
duke dëgjuar fjalët Krishtit në Ungjillin e liturgjisë që i thoshte: “ Nëse do të
jesh u përsosur, shko, shit çka ke, faljau skamnorëve “(Mt 19,21); “Mos u brengosoni
për të nesërmen” (Mt 6,34). Shën Antoni Abat, konsiderohet ati i të gjithë murgjve
e të çdo forme të jetës rregulltare. Këndej është një nga oshënarët më të njohur në
historinë e Kishës. Shën Antoni Abat lindi në Koma, në zemër të Egjiptit, në vitin
250, vdiq në Tebaide, në Egjiptin e Epër, më 17 janar të vitit 356 më se njëqind vjeç.
Në moshën njëzet vjeçare braktisi gjithçka e shkoi të banonte në një vend të shkretë
e pastaj në brigjet e Detit të Kuq, ku jetoi në vetmi të plotë për më se 80 vjet.
U bë i njohur në të gjithë lindjen. Në vetmitoren e tij nisën të dynden shtegtarë
nga të katër anët për të kërkuar një këshill, një lutje, një ndërmjetësi. Edhe Kostandini
perandor me bijtë e tij shkuan disa here t’i kërkonin këshilla e lutje. Jetën e tij
e tregoi një nga nxënësit e Shenjtit, Shën Athanasi, që e bëri Ndoun oshënar të njohur
në mbarë Kishën. Shenjti u largua nga vetmitorja e tij vetëm dy herë. Herën e parë
për të ngushëluar të krishterët e Aleksandrisë, të persekutuar nga Maksimin Daja,
ndërsa të dytën, me ftesën e Athanasit, për t’i nxitur t’i qëndronin besnikë Koncilit
Kishtar të Nikesë. Në ikonografi Shën Antoni bata paraqitet i rrethuar nga gra provokuese
(simbol i tundimeve) ose nga kafshë shtëpijake (si derri, pulat, delet etj.). E kjo,
sepse Shenjti është pajtor i kafshëve shtëpijake. Shën Antoni nuk e pati të lehtë
të arrinte përsosurinë shpirtërore, duke kaluar një jetë kaq të ashpër, kaq të mënjanuar.
Iu desh të kapërcente prova të vështira. Nisi të tronditej nga mendime të neveritshme,
të dyshonte mbi dobinë e një jete kaq të vetmuar shpirtërore, që pak nga njerëzit
e Kishës e ndiqnin, të joshej nga kënaqësitë e mishit, të tundohej nga dëshira për
të grumbulluar pasuri, aq e përhapur në kohën e tij e në të gjitha kohërat. Kërkoi
atëhere ndihmën e vetmitarëve të tjerë që e këshilluan të mos trembej, por të ecte
para me besim, sepse Zoti ishte me të e, si t’i shkëpuste të gjitha lidhjet me të
mirat tokësore, të tërhiqej në një vend edhe më të vetmuar. E Antoni, i mbuluar vetëm
me një copë leckë, u strehua në një varr të lashtë, hapur në shkëmb të gjallë, pranë
fshatit Koma. Një mik i sillte herë pas here pak bukë; për të tjerat duhet të mendonte
vetë, duke e shuar urinë me fryte pylli e bar fushe. Këtu pati tundime edhe më të
tmerrshme: shihte vegime të llahtarëshme e zëra të çjerra i flisnin nga shkretëtira.
U krodh në errësirë të dendur shpirtërore, por megjithatë, nuk e humbi kurrë shpresën
në ndihmën e Zotit, duke bërë ditë për ditë vullnetin e tij, ashtu si e kishin këshilluar
mësuesit vetmitarë. Kur, më në fund, iu duk Krishti, duke e ndriçuar, ai e pyeti:
“Ku ishe, o Zot? Pse nuk m’u duke që në fillim, për t’i dhënë fund vuajtjeve të mia?”.
E menjëherë dëgjoi përgjigjen: “Anton, unë isha këtu, me ty e të ndihmoja për ta fituar
betejën”. Sigurisht që vetëm njerëz tepër të shëndoshë mendërisht mund ta përballonin
një asketizëm të tillë, kaq të rreptë. Disa kalonin në çmenduri e pastaj nisnin t’i
merrnin fantazitë e tyre si ndriçime hyjnore ose si tundime djallëzore. Po Antoni,
me ndihmën e Zotit, i përballoi të gjitha tundimet e shejtanit, djallit të mallkuar
që e zgjonte në zemër të natës e kështu me ndihmën e hirit të Zotit, Antoni u bë pikë
referimi për shumë njerëz, që dëshironin t’i kushtoheshin jetës rregulltare e vetmitare.
Nisi atëherë të ngushëllonte të mjerët, të shëronte të sëmurët, të mësonte nxënësit
e rinj, që shtuan radhët e vetmitarëve, duke krijuar dy grupe të mëdha, mbi bazën
e të cilave u themeluan dy manastire, një në lindje të Nilit e tjetri në bregun e
mëngjër të lumit, ku çdo murg kishte shpellën e tij vetmitare, por edhe ndihmën e
njërit nga vëllezërit më të përgatitur për këtë lloj jete shpirtërore. E të gjithë
kishin pranë Shën Antonin që u jepte këshilla për t’u përsosur shpirtërisht, të bashkuar
me Zotin në çdo çast të jetës.