2009-01-17 15:38:51

Imzot Miliore: në Gazë nuk bëhet asnjë dallim ndërmjet civilëve e objektivave ushtarake.


(17.01.2009 RV)“Të heshtin armët në Rripin e Gazës e t’i hapet me guxim rruga paqes”: këtë kërkoi kryeipeshkvi Çelestino Miliore në fjalimin që mbajti dje para Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, e cila miratoi një rezolutë për ndalimin e menjëhershëm të zjarrit ndërmjet palëve në konflikt.
Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Pallatit të Qelqit i nxiti palët ndërluftuese ta respektojnë rezolutën 1860 të Këshillit të Sigurimit, që kërkon t’i jepet fund armiqësisë, e të hyjnë pa asnjë pengesë në Gazë ndihmat humanitare. Imzot Miliore ripohoi se në këtë konflikt u pa dështimi i plotë i kërkesës për dallimin e civilëve nga objektivat ushtarake. Prej këndej, i nxiti palët ndërluftuese të respektojnë të drejtën humanitare ndërkombëtare, duke siguruar edhe mbrojtjen e civilëve.
Prelati kujtoi historinë e bashkëjetesës ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, të trazuar nga një sërë konfliktesh në të cilën, megjithatë, nuk mungojnë edhe përpjekjet për dialog, si në Oslo, Madrid e më pas në Anapolis. Për fat të keq – kujtoi imzot Miliore – këto përpjekje deri tani kanë dështuar, thjeshtë sepse mungon vullneti i guximshëm e i palëkundshëm politik për të siguruar një paqe të qëndrueshme. Së fundi imzot Miliore ripohoi rolin e Kombeve të Bashkuara për favorizimin e paqes në Lindjen e Mesme, duke i ndihmuar palët në konflikt të gjejnë rrugë të reja, të bazuara mbi bashkëpunimin dhe njohjen reciproke të ndryshimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.