Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Marçelin I Papë.
(16.01.2009 RV)Shën Marçeli e drejtoi Kishën universale nga 27 maji i vitit
308 deri më 16 janar 309. Pak gjëra dihen për të, sepse burimet janë të paqarta,
ndërsa Shenjti për një kohë të gjatë u ngatërrua me Shën Marçelinin papë, vdekur martir
gjatë persekutimit të Dioklecianit. Kështu emri i Shën Marçelit papë, paraqet një
sërë problemesh për t’u zgjidhur. Martiriologu Romak, ai Jeronimian, Katalogu Liberian
dhe Liber pontificalis shënonjë të dhëna që i bien ndesh njëra-tjetrës, gjë që është
plotësisht e kuptueshme në një kohë kur Kisha tronditej në themele në Romë e kudo
jetonin të krishterë, nga përndjekjet e përditshme nën perandorin Dioklecian e më
pas, nën pasardhësin e tij, Galerin, vdekur në vitin 311. Sipas historianit të shquar
gjerman, Teodor Momsen dhe studiuesve të tjerë, Marçeli nuk ka qenë fare papë, por
prift i thjeshtë romak, i cili e drejtoi Kishën pas vdekjes së Papës Marçelini, në
pritje të zgjedhjes të papës së ri. Sidoqoftë, pas viteve të errta të historisë
së Kishës, emri i Marçelit I doli përsëri në dritë përmes studimit të burimeve të
lashta, në të cilat theksohet qëndrimi i tij ndaj besimtarëve që njiheshin me emrin
‘lapsi’, dmth njerëz që kishin rrëshqitur, siç quheshin asokohe të krishterët që mohonin
fenë nga frika e persekutimeve. Në disa vende, në Afrikë për shembull, mendohej se
njerëz të tillë duheshin shlyer përgjithnjë nga radhët e Kishës. Ndërsa Papa Marçeli
nuk u tregua kaq i ashpër: e mirëpriti rikthimin e tyre në Kishë, por pasi të ishin
penduar. Papa Damasi (366-384), duke lavdëruar këtë qëndrim të Marçelit, shkruan:
“Ata që kishin mohuar, por dëshironin të ktheheshin përsëri, Papa Marçeli vijoi t’i
mbronte dhe t’i pranonte, pasi e lanin me lot pendese fajin e mohimit dhe betoheshin
të mos e përsërisnin kurrë më, përballë çdo rreziku. Punoi shumë edhe për rindërtimin
e famullive të shkatërruara pas persekutimit të Dioklecianit”. Kështu shkruan
Papa Damasi, por femohuesit e shikonin Marçelin si armik të tmerrshëm, sepse pasi
kishin mohuar, donin t’i rimerrnin sakramentet pa bërë kurrfarë pendese. Në një nga
burimet që flet për papën Marçeli shkruhet se për faj të njerit prej tyre, Shenjti
u internua nga tirani. Këtë të dhënë e gjejmë në Liber Pontificalis, ndërsa nga Martiriologun
Romak mësojmë se u persekutua dhe u detyrua të punonte si stallier në stallat e postës
perandorake, ndërsa shënohet edhe se u internua, të dhëna këto që nuk konsiderohen
të besueshme. Në burimet e lashta gjejmë edhe data të ndryshme të papnisë e të vdekjes
së tij, por Kisha, duke ndjekur Martiriologun Romak, e kremton më 16 janar Shën Marçelin,
reliket e të cilit pushojnë në paqe në varrezën romake të Prishilës.