Kremtohet nesër 541-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit “Skënderbeut”.
(16.01.2009 RV)Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbi kalin e tij legjendar në Krujë,
Tiranë, Prishtinë, Romë, Paris e gjetiu i ndjek fare i patrazuar debatet e sotme
mbi Figurën e tij, që ngatërrohen me debatin tjetër të hapjes së dosjeve, nga i cili
shqetësohet edhe më pak. Flitet për mitizimin e Heroit Kombëtar e punohet për çmitizimin,
sulmohet e mbrohet. E prej tij, sulmet shtrihen edhe mbi ata që e mbrojnë: gjuhëtarë,
historianë, shkrimtarë. E gjithë kjo situatë tregon se Ai është i gjallë e meriton
që bashkëkohasit t’i vringëllojë për të penat, 541 vjet pas vdekjes. Ndonëse nuk ka
nevojë ta mbrojë njeri: ka shpatën e vet! E titullin e pakundërshtueshëm 'Atlet i
Krishtit', me të cilin e kujtoi edhe Papa Gjon Pali II, gjatë shtegtimit të tij historik
në Shqipëri më 25 prill 1993:
"E kam
për detyrë të kujtoj me këtë rast, Heroin Kombëtar, të krishetrin e flaktë, Gjergj
Kastriotën Skanderbeun, Atletin e Jezu Krishtit. Ashtu si në kohët e tij tejet të
vështira – edhe sot Kisha nuk do të ngurrojë të japë ndihmën e vet për zhvillimin
e plotë material e shpirtëror të popullit shqiptar".
E
përveç debateve, ka edhe kremtime. Heroi Kombëtar përkujtohet në Tiranë, prej nga
për Gjergj Kastrotin na flet kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Rrok Mirdita:
E sot, në
Hollin e Muzeut Historik Kombëtar, u hap edhe ekspozita "Ringjallja e Paskalit" përgatitur
nga e bija, Floriana Paskali, me rastin e 105 vjetorit të lindjes që përkon me përvjetorin
e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, portreti zyrtar i të cilit është realizuar
nga Paskali.
Artisti austriak Franz Kapfer paraqet në Tiranë instalacionin
"Në hijen e Skënderbeut" Instituti Shqiptar i Artit Bashkëkohor e ka ftuar si artist
rezident Kapferin i cili e ka ngritur veprën në fjalë mbi konceptin e tij artistik
që trajton stereotipin "mashkullor" të imazhit të heroit në historinë e kulturës evropiane.
Instalacioni me dritë "Në hijen e Skënderbeut" u ngjiz nga hija e shtatores në sheshin
"Skënderbe". Sipas kuratorëve të TICA-s (Instituti Shqiptar i Artit Bashkëkohor),
ky instilacion "do të shërbejë për ta "thirrur" Skënderbeun - sipas modelit të Batmanit
- t'i vijë në ndihmë shqiptarëve sa herë që ata do të kenë nevojë. E me sa duket sot
kanë më shumë se kurrë!