2009-01-16 18:12:00

Ipeshkvijtë amerikanë presidentit Obama: impenjim i përbashkët për mbrojtjen e jetës, të paqes e të familjeve.


(16.01.2009 RV)Ipeshkvijtë amerikanë e sigurojnë presidentin e ri, Barak Obama si dhe Kongresin e ri, për kontributin e tyre në këtë fazë ndryshimesh të thella, që po jetojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kisha është gati të japë ndihmesën e vet, krah për krah me shtetin, për mbrojtjen e jetës së njerëzve më të ligshtë e për paqen në botë. Në një letër, nënshkruar nga kardinali Frensis Xhorxh, kryeipeshkëv i Çikagos dhe kryetar i episkopatit amerikan, prelatët vënë theksin mbi të gjitha sfidat, që duhet të përballojë presidenti i ri, duke filluar nga 20 janari i ardhshëm. Flasin për masa të forta e të matura që ndihmojnë veçanërisht familjet e varfëra të punëtorëve në kushtet e krizës ekonomike dhe për më shumë përgjegjësi në përballimin e shpërdorimeve të sistemit, shkaktare të krizës financiare.
Në frontin ndërkombëtar, prelatët kërkojnë një Irak të lirë nga persekutimet fetare dhe fundin e konfliktit në Tokën Shenjte.
Në Dokument urohet, gjithashtu, që administrata e Uashingtonit të impenjohet më shumë në luftën kundër SIDËS, duke iu kundërvënë sëmundjes së tmerrshme me mjete të përshtatshme e moralisht të pranueshme.
Pjesa kryesore e letrës drejtuar Obamës i kushtohet familjes dhe mbrojtjes së jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.