Fjalimi i Papës drejtuar Trupit Diplomatik: reflektim i imzot Pietro Parolin
(16.01.2009 RV)Vijon jehona e fjalimit
që Benedikti XVI i drejtoi, të enjten e kaluar, Trupit Diplomatik të akredituar pranë
Selisë Apostolike për urimet e vitit të ri. Papa bëri përsëri thirrje për paqen, duke
nënvizuar se është shumë e rëndësishme t’u rikthehet shpresa të varfërve. Me këtë
rikthim shpresash lidhet edhe reflektimi i imzot Pietro Parolin, zevendës-sekretar
i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet:
Përgjigje: - Papa
e përsëriti këtë thirrje, sepse paqja dhe zhvillimi janë vlerat themelore për burrin
e për gruan e të gjitha kohëve e të gjitha vendeve. Janë gjithnjë caqe ku duhet arritur,
ditë për ditë. Në një farë mënyre, mbeten kantiere përherë të hapura, nga të cilat
varet vetë ardhmëria e bashkëjetesës njerëzore. Me gjithë përpjekjet e shumta, paqja
aq e dëshiruar është ende larg. E kur s’ka paqe, është në rrezik edhe siguria. Siguria
nuk garantohet vetëm kur heshtin armët, por edhe e kryesisht, kur respektohet dinjiteti
i njeriut, kur respektohen të drejtat e tij themelore, siç thoshte Pali VI në Enciklikën
‘Populorum Progressio’, të cilën e citoi Benedikti XVI në fjalimin e tij: “Sot emri
i paqes, është ndarja e barabartë e burimeve natyrore; ndarja e barabartë e pasurive
të tokës; e emri i paqes është edhe zhvillimi i barabartë i të gjithë popujve”.
Pyetje:
- Për të ndërtuar paqen – kujton Benedikti XVI – duhet t’u rikthehen shpresat
të varfërve. Papa kujton edhe se duhet kërkuar një strategji, e aftë për të luftuar
urinë e për të krijuar kushtet e përshtatshme për zhillimin bujqësor lokal. Ju mendoni
se vendet e ndryshme të botës janë në gjendje dhe kanë vërtetë dëshirë për arritjen
e këtyre qëllimeve kaq të rëndësishme?
Përgjigje: - Po, besoj
se qeveritë janë në gjendje t’i vënë në jetë këto strategji, të afta për ta luftuar
urinë e për ta lehtësuar zhvillimin e bujqësisë, ndonëse të vetëdijshme se rezultatet
nuk varen vetëm nga përpjekjet e nga impenjimi i tyre. Sidomos besoj se fjalët plot
guxim e realizëm, me të cilat Papa përshkroi problemet ekonomike, do t’i inkurajojnë
të gjithë njerëzit, të cilët e kanë për zemër paqen, të impenjohen me hov të ri në
shërbim të vëllezërve të tyre më të varfër e më nevojtarë.
Pyetje: -
Në fjalimin e Papës ndjehet edhe shqetësimi i thellë për varfërinë morale e cila,
në vende të ndryshme të botës, shkakton diskriminime të rënda e të dhimbshme kundër
mijëra të krishterëve. Në ç’rrugë duhet ecur, sipas jush, për ta zhdukur këtë varfëri,
duke pasur parasysh, sidomos, përgjegjësitë e njerëzve që qeverisin?
Përgjigje:
- Për të zhdukur persekutimet kundër të krishterëve, autoritetet politike
e civile – pohon Papa – duhet t’i japin fund intolerancës dhe shtypjes e t’i ndreqin
përsëri vendet e kultit e pronat e tyre të shkatërruara gjatë sulmeve. E më në përgjithësi,
thekson se njeriu duhet edukuar me respektin për të gjitha fetë, duke iu kundërvënë
çdo forme të urrejtjes e të përbuzjes. Uron, gjithashtu, që në botën perëndimore të
mos ushqehen paragjykime armiqësore kundër të krishterëve, vetem sepse, mbi disa çështje,
mendojnë ndryshe, por të binden se feja i jep një kontribut të çmuar lirisë e demokracisë.
Pyetje:
- Në këtë fjalim drejtuar Trupit Diplomatik, Benedikti XVI i kushtoi vëmendje
të dorës së parë edhe Kontinentit të Azisë dhe Amerikës Latine, të dy me shqetësime
por – siç kujtoi Papa – edhe me progres të dukshëm, që krijon mundësinë për ta shikuar
plot shpresë të ardhmen. Është e nevojshme që Kisha, në vitet e ardhshme, t’i ketë
në qendër të vëmendjes njerëzit e këtyre zonave?
Përgjigje: -
Po, sigurisht. Kisha duhet të vijojë t’u kushtojë burime dhe energji këtyre popullsive,
që jetojnë në Kontinentin aziatik e në Amerikën Latine. Kjo nuk është gjë e re: Kisha
do të vijojë, si gjithnjë, impenjimin në këto zona, sepse është universale e prandaj
askush nuk është i huaj për të. Do të vijojë, prandaj, të ecë përkrah popujve të Azisë,
t’i shoqërojë në rrugën e tyre. Do të vijojë të ecë edhe me popujt e Amerikës Latine,
duke jetuar së bashku me ta shpresat e shqetësimet, duke ndriçuar ndërgjegjet e duke
formuar besimtarë laikë, që vihen në shërbim të së mirës së përbashkët.
Pyetje:
- Në këtë fjalim, Papa kujton edhe shtegtimin e tij të ardhshëm në Afrikë, pas
ndonjë muaji. Ç’mund të na thoni për këtë shtegtim?
Përgjigje: -
Personalisht më janë dukur shumë prekëse fjalët që përdori Papa, kur kujtoi vizitën
e tij të ardhshme baritore në Afrikë. Nënvizoi se e dëshiron prej kohe këtë takim
me vëllezërit e motrat, të cilët shkon t’i përforcojë në fe e t’u japë guxim për ta
pranuar Ungjillin, për ta vënë në jetë, për ta jetuar pa lëkundje. Është një shtegtim,
në të cilin Papa do të kujtojë se besimi në Hyjin krijues, nuk mund të mos shprehet
edhe në respektin për të gjitha krijesat. Kjo për Afrikën do të thotë luftë kundër
varfërisë morale e materiale, do të thotë të mbrosh refugjatët e të shpërngulurit,
do të thotë të marrësh të gjitha masat e nevojshme për t’i zgjidhur konfliktet në
vijim e për t’u dhënë fund padrejtësive, që i shkaktojnë.