2009-01-15 17:26:35

Qyteti i Meksikos: të mbështetet familja si shkollë e humanitetit dhe e jetës së krishterë.


(15.01.2009 RV)Dëshmi, këngë dhe diskutime nga meshtarë e laikë, karakterizuan ditën e parë të Takimit botëror të familjeve në Qytetin e Meksikos. Duke hapur Kongresin teologjiko-baritor, kryetari i Këshillit Papnor për Familjen, kardinali Enio Antoneli, shpjegoi vizionin e Kishës për institutin familjar. Familja – tha Hirësia e Tij – është shkolla më e mirë e humanitetit dhe e jetës së krishterë, bashkësi e qëndrueshme jete e dashurie, që realizon formimin e harmonishëm e të gjithanshëm të njeriut.
Duke kujtuar vështirësitë aktuale, ndërmjet të cilave, emergjenca edukative dhe thellimi gjithnjë më i madh i hendekut ndërmjet breznive, kardinali Antoneli pohoi se familja ka të drejtë të plotë të edukojë e të formojë.
Më pas, kryeipeshkvi i Qytetit të Meksikos, kardinali Norberto Rivera Karrera, kërkoi që familja të shikohet si dhuratë për shoqërinë njerëzore, një shoqëri kjo, që ka shumë nevojë të ndriçohet nga vlerat shpirtërore, në se dëshiron të ecë përpara. E për ta realizuar këtë, Kisha mbështet e promovon martesën e zanafillës ndërmjet burrit e gruas, pa të cilën nuk mund të bëhet fjalë për ardhmëri të njerëzimit.Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, pohoi, në fund, se duhet rizbuluar ideali biblik i martesës e i familjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.