2009-01-15 17:27:19

Ernest Koliqi në 34-vjetorin e vdekjes


(15.01.2009 RV)RealAudioMP3 Një jetë tejet e begatë me ngjarje e vepra, treguar me pak data:
Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903.
1921 - Perfundoi shkollën e mesme në Bergamo e në Milano, Itali, dhe u kthye në Shqipëri, ku dy vjet me pas, së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën "Ora e Maleve".
1924 - Hyri në Shoqërine patriotike "Bashkimi", krijuar nga Avni Rustemi. Për shkak te lidhjeve të reja politike, u detyrua të emigrojë pesë vjet në Jugosllavi, për t'i shpëtuar forcave zogiste, pas revolucionit të dështuar te Nolit.
1929-36 – U kthye në Shqipëri. Punoi si mësues në Vlorë e në Shkodër. Në një sërë botimesh periodike dhe veprash, Koliqi bëhet i njohur si shkrimtar i talentuar i letërsisë shqiptare.
1937 – U diplomua në Universitetin e Padovës me tezën "Epika popullore shqiptare".
1939-41 – U emërua ministër i arsimit gjatë pushtimit fashist.
1944 – U largua në Itali, i dënuar nga qeveria e re komuniste, si bashkëpunëtor i fashizmit.
1957 – U emërua drejtues i Institutit te Studimeve shqiptare, të posakrijuar në këtë vit, si pasues i katedrës se Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës. Në këtë vit, nisi të botohet edhe revista letrare e Koliqit "Shejzat" në gjuhen shqipe.
Më 15 janar 1975 vdiq në shtëpinë e tij romake, në Balduina, i nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare ne mërgim, por i mohuar nga vendi i tij.
Vjershat e para i botoi në gjuhën italiane, në të përjavshmen studentore"Noi giovani", në Bergamo; gjatë mërgimit në Jugosllavi, botoi poemthin "Kushtrimi i Skanderbeut" me përmbajtje patriotike. Më pas "Hija e maleve" e "Tregtar flamujsh", kryevepra të tij e të novelës në gjuhën shqipe.
Me vlerë të madhe janë edhe përkthimet: "Poetët e mëdhaj të Italisë".
Vijoi botimet duke nxjerrë në dritë më 1959 "Kangjellat e Rilindjes"; më 1960 romanin "Shija e bukës së mbrume", ku ndjehet fuqimisht dashuria e mërgimtarit për tokën e vet. Në poezi Koliqi na la edhe vëllimin "Gjurmë stinësh" (1933), "Symfonia e shqipeve", e "Pasqyrat e Narçizit", me shtatë poemtha në prozë. Sot njihet si një ndër prozatorët më të mëdhenj. Mjaftojnë dy përmbledhjet me tregime "Hija e maleve" (Zarë, 1929) dhe "Tregtarë flamujsh" (Tiranë 1935) që Koliqi të zerë kryet e vendit në prozë, bashkë me Mitrush Kutelin: njëri mjeshtër i madh i traditës së kallëximit verior, tjetri, i rrëfimit jugor. Në tregimet e tij rijeton Shkodra, tashmë e harruar, me zakonet e gjuhën e saj plot ngjyra ylberi.
Sipas mendimit kritik, Konica cilësohet "nismëtar i prozës moderne shqipe", ndërsa Koliqi, "themelues i prozës moderne shqipe".
Studiuesi Aurel Plasari, shkruan: “Po ta gjykonim një gjysmë shekulli të letërsisë shqipe me rreptësinë e Kurtiusit (Curtius), do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë "zinxhiri i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti," mbi të cilin ngrihen kryeveprat e jashtëzakonshme, "Pasqyrat" e Koliqit, "Tat Tanushi" i Kutelit, "Dranja" e Martin Camajt, që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie”.
Ernest Koliqi vazhdoi traditën e të mëdhenjve të shkollës letrare të Shkodrës, pasi u ushqye me kulturën poetike klasike dhe moderne e asimiloi kulturën poetike arbëreshe.
I dëbuar nga Atdheu, i marrë nëpër gojë për pikëpamjet e tij politike, i mohuar deri si artist, i djegur nga malli për t’u rikthyer fizikisht në Atdhe, vijon të presë në varrezën romake ‘Prima Porta’, nën një rrasë mermeri të kuq, i rrethuar nga njerëz të huaj, i mbuluar me dhe të huaj, nën një qiell të huaj - rikthimin në Atdhe - ndërsa vepra e tij nuk u largua kurrë prej Shqipnie e,sidomos, prej Shkodre.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.