2009-01-14 13:30:16

Zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri do të zhvillohen më 28 qershor.


(14.1.2009 RV)Presidenti i Republikës Bamir Topi dekreton datën e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Sipas këtij dekreti zgjedhjet legjislative do të zhvillohen më 28 qershor 2009. Pra, të dielën e fundit të qershorit 2009, të gjithë qytetarët e Shqipërisë me të drejtë vote do t'i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetët e rinj që do të ulen në karriget e Kuvendit të Shqipërisë.

Në njoftimin e publikuar online në faqen zyrtare të presidencës së Shqipërisë thuhet se Presidenti Topi dekretoi datën e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë .Gjithashtu në faqen zyrtare të Presidencës mësohet se dekreti me numër 6008 hyn në fuqi menjëherë.
Shpallja e datës së zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri nga Presidenti Bamir Topi përkon me hyrjen në fuqi të ligjit për Kodin e ri Zgjedhor i cili u botua më 31 dhjetor 2008 në fletoren zyrtare.

Më 30 dhjetor të 2008, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi firmosi dekretin për Kodin e ri Zgjedhor, me rregullimet e propozuara nga vetë ai. Një ditë më parë, më 29 dhjetor Kodi, i cili ishte rikthyer nga kreu i shtetit për disa rregullime, u miratua me konsensusin e dy partive të mëdha PD dhe PS. LSI e PDK kundërshtuan Kodin pasi sipas tyre “Ky ligj nuk mbron interesat e partive të vogla por të mëdhatë fitojnë vota në kurriz të të vegjëlve". 
Dekreti i kreut të shtetit për Kodin e ri Elektoral u rregullua me dispozitë kalimtare nga komisioni i posaçëm i Reformës zgjedhore në Kuvend, pas kthimit për shqyrtim ne Kuvend me datën 3 dhjetor.
Ligji elektoral përcakton rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë dhe për organet e qeverisjes vendore.







All the contents on this site are copyrighted ©.