2009-01-14 17:51:22

Viti 2009, Vit ndërkombëtar i Astronomisë: reflektim i atë Funes, drejtor i Vrojtores astronomike të Vatikanit.


(14.01.2009 RVRealAudioMP3 OKB-ja e deklaroi Vitin 2009, Vit ndërkombëtar i Astronomisë, për të kremtuar kështu 400-vjetorin e vrojtimeve të para astronomike, që realizoi Galileo Galilei në vitin 1609, duke e drejtuar tejqyrën (teleskopin) e vet drejt qiellit. Kremtimet hapen nesër në Paris, për të vijuar gjithë vitin. Do të jetë një rast i përshtatshëm jo vetëm për të folur për kontributet shumëdisiplinore, që i ka dhënë astronomia ecjes përpara të njerëzimit, por edhe për të thelluar lidhjet ndërmjet shkencës e fesë sot, duke u nisur pikërisht nga diskutimi i shtruar i të ashtuquajturës ‘çështja Galileo’. Njëkohësisht gjatë këtij viti, të gjithë janë të ftuar të provojnë mrekullimin e habinë, që lindin kur vrojtohet qielli me pafundësinë e tij e të panjohurat e tij, të cilat njeriu nisi t’i njohë, që ditën kur Galileo Galilei shpiku tejqyrën dhe e drejtoi në pafundësinë e yjeve, për të depërtuar në një botë misterioze. Kështu njeriut i krijohet edhe mundësia të thellojë vetëdijen për vendin që zë në univers.
Selia e Shenjtë merr pjesë drejtpërdrejtë në këtë ngjarje të madhe, përmes Vrojtores astronomike të Vatikanit, por edhe përmes Këshillit Papnor të Kulturës, i cili e konsideron këtë vit si rast të përshtatshëm për thellimin e dialogut ndërmjet shkencës e fesë, duke pasur si pajtor (simbolik) pikërisht shkencëtarin pizan, procesi i të cilit u konsiderua, gabimisht, si shprehje e obskurantizimit të Kishës. Për rëndësinë që kanë këto kremtime, pikërisht në këndvështrimin e Kishës, intervistuam jezuitin Atë Hosè Gabriel Funes, drejtor i Vrojtores astronomike të Vatikanit:
 
Përgjigje: Në këtë vit, kujtojmë 400-vjetorin e vrojtimeve astronomike të Galileo Galileit me teleskop. Mendoj se për Kishën është një rast shumë i përshtatshëm, nga njëra anë për të komunikuar më mirë impenjimin e saj për shkencat, posaçërisht për astronominë, e nga ana tjetër, për të folur edhe për argumente të tjera më baritore e më fetare, sepse kundrimi i bukurisë së universit, na bën ta kuptojmë më mirë bukurinë e Krijuesit.

 
Pyetje: - Sipas jush, astronomia është shkencë që e afron njeriun tek feja?

 Përgjigje: - Mendoj se mund të ndihmojë për afrimin tek feja. Njohuritë që kemi sot për vendin që zë Toka në univers – një planet i vogël, i cili rrotullohet rreth Diellit, ylli më i afërt, në një Gjithësi me 100 miliard galaktika – na bën ta kuptojmë më mirë brishtësinë tonë, të kuptojmë në ç’masë varemi nga Krijuesi ynë!







All the contents on this site are copyrighted ©.