2009-01-14 13:47:59

Skënder Muçaj: Ja pse janë dëmtuar Mozaikët e Bazilikës Paleokristiane të Linit në Pogradec


(14.1.2009 RV nga BalkanWeb) Mozaikët e Bazilikës Paleokristiane të Linit në Pogradec i janë nënshtruar një studimi arkeologjik nga një grup arkeologësh së bashku me prof.dr. Skënder Muçaj. Gërmimet në kodrën e Shën Thanasit treguan se mozaikët e zbuluar aty i përkisnin një bazilike paleokristiane. Me interes ka qenë gjetja në këtë shtresë e gjashtë monedhave prej bakri: dy folis të perandorit Justin (518-527), një folis dhe tri monedha të perandorit Justinian (527-565). Monedhat, disa stoli dhe fragmentet e qeramikës të gjetura aty, i përkasin kulturës qytetare ilire dhe asaj romake. Nga kjo, shihet se kepi i Linit ka filluar të banohet që në periudhën e parë të hekurit dhe se aty jeta ka vazhduar pa ndërprerje deri në mesjetën e hershme. Gjurmë të ndryshme djegieje të vërejtura, të bëjnë të kuptosh se bazilika ka qenë rrënuar nga një zjarr i fuqishëm, që duhet të ketë ndodhur në fillim të mesjetës dhe ka shumë të ngjarë me fillimin e pushtimeve bullgare të shek. V-VI ose në periudhën e sundimit të Justinianit dhe të pasardhësve të tij më të afërt. Dëmtimi i disa mozaikëve, arnimi i pakujdesshëm i disa të tjerëve, janë disa prej vëzhgimeve të bëra aty.
Bazilika paleokristiane
"Gërmimet në kodrën e Shën Thanasit treguan se mozaikët e zbuluar aty i përkisnin një bazilike paleokristiane. Gjatë gërmimeve u vërejt se një pjesë e mozaikëve ishin prishur, por ishin shkatërruar shumë keq dhe zhdukur elementet arkitektonikë të bazilikës. Kjo u konstatua tek muret, të cilët në disa raste ishin rrafshuar, duke u ruajtur vetëm themelet", - shprehet prof.dr Skënder Muçaj, që është marrë me këto gërmime. Meqenëse në fushatën e gërmimeve të vitit 1968 synohej kryesisht në zbulimin e mozaikëve në drejtim të arkitekturës së monumentit, u gjurmuan dhe u studiuan vetëm ato ambiente që kishin dysheme me mozaikë. Këto ambiente përbëhen nga anijata qendrore dhe dy anijatat anësore që ishin triabsidale, narteksi me një varr të nëndheshëm, dy kapela në anët e narteksit me absida, një pastofor dhe një "chatachummeneum" dhe një sallë e vogël pagëzimi. Sipas prof.dr. Muçaj, në fushatën e gërmimeve për hapjen e ambienteve të mësipërme, në platonë ku ngrihej bazilika paleokristiane, u zbulua një material i pasur arkeologjik. Në kuadratet e anës jugore kanë dalë dy shtresa kulturore mjaft të qarta. Në shtresën e parë mbizotëronin fragmentet e tjegullave, tullave dhe bashkë me to, u gjetën me shumicë fragmente enësh si vorba, kotruve, pitosa, copa enësh qelqi dhe material ndërtimi i ndryshëm. Me interes ka qenë gjetja në këtë shtresë e gjashtë monedhave prej bakri: dy folis të perandorit Justin (518-527), një folis i perandorit Justinian (527-565) dhe tri monedha të vogla po ashtu të Justinianit. Në shtresën e poshtme kishte vetëm fragmente qeramike. Midis tyre një grup në vete përbënin enët prej balte ngjyrë hiri me sipërfaqe të murrme në të zezë të shkëlqyeshme. Materialet arkeologjike të zbuluara në dy shtresat kulturore i takojnë gjysmës së parë të mijëvjeçarit të parë p.e. sonë (ato të shtresës së poshtme) dhe shek. V-VII-të e. sonë (ato të shtresës së sipërme).
Datimi
Në disa gërmime hetimore të bëra në pjesën lindore të kepit të Linit është zbuluar një material arkeologjik, jo edhe aq i pasur dhe i një periudhe tjetër kohore. "Monedhat, disa stoli dhe fragmentet e qeramikës të gjetura aty, i përkasin kulturës qytetare ilire dhe asaj romake. Me këto gjetje shihet se kepi i Linit ka filluar të banohet që në periudhën e parë të hekurit dhe se aty jeta ka vazhduar pa ndërprerje deri në mesjetën e hershme. Gjurmë të ndryshme djegieje të vërejtura mbi mozaikët e anës jugore të bazilikës, ku muret janë rrafshuar thuajse krejt, dhe jashtë saj, japin të kuptojnë se bazilika ka qenë rrënuar nga një zjarr i fuqishëm, që duhet të ketë ndodhur në fillim të mesjetës dhe ka shumë të ngjarë me fillimin e pushtimeve bullgare të shek. V-VI ose në periudhën e sundimit të Justinianit dhe të pasardhësve të tij më të afërt", - rrëfen Muçaj. Kësaj kohe i përket edhe mozaiku i bazilikës së Linit. Në këtë të çojnë elementet stilistikë kryesorë të mozaikëve tonë, motivet e pjergullës e të eukaristisë. Të gjitha këto elemente dhe të tjerë, sikurse trajtat e shkronjave të mbishkrimit, copëzimi i anës tregimtare, kontrasti midis medalioneve dhe ambientit ose sfondit statik, janë karakteristikë për mozaikun bizantin të fillimit të i shek. VI. "Mozaikët e bazilikës së Linit pra, i përkasin asaj periudhe kur në mozaikët e godinave fetare u pranuan subjektet e nxjerrë nga natyra dhe kur skenat e ndryshme futeshin në një kuadër motivesh gjeometrike të përgjithshëm", - thotë ai.
Mozaikët
Bazilika e Linit ka pasur të gjitha ambientet kryesore të saj tështruar me mozaikë. Mozaikët e secilit nga shtatë ambientet e saj kanë një kompozim të veçantë, në përputhje me vendin që zinin në godinë. Mozaiku i parë është ai i narteksit ose hajatit. Në anën veriore ky kompozim në një katërkëndësh është zëvendësuar me një mbishkrim. "Mbishkrimi i përbërë prej dhjetë rrathësh ka përmbajtje fetare dhe është një psalm i Davidit në gjuhën greke kishtare, ai ka shërbyer si epitaf i varrit të nëndheshëm, mbi të cilin ndodhet. Krejt i ndryshëm nga mozaiku i narteksit është ai i një kapele të vogël - pastoforit, që gjendet në krahun verior të godinës. Ai përbëhet prej dy pjesësh, prej dyshemesë katrore dhe prej kungës apo absides. "Mozaiku i kungës ka motive të tjera. Ajo ka si motiv kryesor një lule lotusi e cila alternohet, herë e hapur sipër, herë e hapur poshtë", - tregon profesori. Me narteksin komunikonin anijata qendrore dhe dy anijatat anësore. Dyshemetë e tri anijatave kanë qenë të shtruara me mozaik polikrom.
Dëmtimet e mozaikëve
Mozaikët e këtyre anijatave janë dëmtuar më shumë nga mozaikët e tjerë dhe në mënyrë të veçantë ai i anijatës qendrore. Sipas prof.dr. Muçaj, kjo ka ndodhur për shumë arsye: së pari, sepse këta mozaikë kanë qenë mbuluar me një shtresë të hollë dheu dhe së dyti, në pjesët lindore të anijatës qendrore dhe të asaj veriore ka qenë ndërtuar kishëza e Shën Thanasit. Mozaikun e anijatës qendrore e kanë prishur edhe pemët që kanë mbirë në sipërfaqen e saj, rrënjët e të cilave i kanë shkallmuar mozaikët. Pjesa qendrore e mozaikut u zbulua shumë e prishur, prej saj ishin ruajtur vetëm disa fragmente me anën e të cilëve është e pamundur te rindërtohet i gjithë kompozimi. Profesori thekson se sidoqoftë, ato pak fragmente mozaikësh që u gjetën të prishura tregojnë se ata lidheshin me botën ujore. Një veçanti e mozaikut të anijatës janë arnimet që ai ka pësuar në tre vende: në buzinën perëndimore (te porta) dhe sidomos në anën jugore të enës, dhe atje ku anijata harkohet. "Arnimi është bërë pa kujdes, figurat janë prishur, sepse pavarësisht nga vendet e figurat, janë përdorur pa rregull gurë të zinj të kuq e të bardhë. Duket qartë se arnimi është kryer nga një njeri i pakualifikuar, i cili nuk ka bëre asnjë përpjekje për të restauruar ashtu si kanë qenë figurat e dëmtuara, por është mjaftuar në mbushjen e vendit ku ishte prishur mozaiku", - tregon ai. tregojnë se mozaiku i anijatës qendrore ka qenë më i bukuri. Dyshemeja, e cila ka dalë mjaft e dëmtuar, ka në mes emblemën dhe anash absidat. Emblema qendrore rrethohet nga një kornizë e përbërë nga një gërshetë treshe. Prof.dr. Skënder Muçaj tregon se dekori i mozaikëve të bazilikës së Linit, nga motivet dhe ngjyrat e përdorura, është mjaft i larmishëm. Mjeshtrat mozaicistë janë përpjekur t'u shmangen sa më tepër përsëritjeve të motiveve për të dhënë në çdo ambient tablo të ndryshme.
Fatmira Nikolli (BalkanWeb)







All the contents on this site are copyrighted ©.