2009-01-13 18:09:25

U hap në Vatikan simpoziumi i organizuar nga Pendestaria Apostolike: me ne kardinali Xhejms Frensis Staford.


(13.01.2009 RV)RealAudioMP3 Takim akademik, që vë në dukje natyrën, strukturën dhe funksionet e Pendestarisë Apostolike – dikasteri më i vjetër i Kuries Romake, e sidomos, kuptimin e Sakramentit të Rrëfimit. Këto janë qëllimet e simpoziumit dyditor me temë “Pendestaria Apostolike dhe Sakramenti i Rrëfimit: rrugët historiko-juridiko-teologjike dhe perspektivat baritore”. Është ngjarja e parë e këtij lloji, që filloi sot në Pallatin e Kancelarisë së Vatikanit e do të përfundojë nesër. Hera e parë që Gjykata e Pendestarisë Apostolike organizon një takim të kësaj natyre, siç na e shpjegon kardinali Xhejms Frensis Staford, kryetar i dikasterit:

Përgjigje: - Ç’kuptim ka puna baritore e Gjykatës sonë? Pse Kisha, me urtinë e saj, e krijoi këtë zyrë; këtë gjykatë të mëshirës? Shpresoj se këtyre pyetjeve do t’u jipet përgjigjja e duhur gjatë këtyre dy ditëve të takimit e të shkëmbimit të mendimeve.

Pyetje: - Zyra, që kryesoni, është më e lashta e Selisë së Shenjtë; e nisi veprimtarinë që nga shekulli XII. E megjithatë dihet pak e aspak për veprimtarinë e saj. Pse?

Përgjigje: - Sfida në katekizmin e Kishës në epokën post–moderne është t’u krijojë burrave e grave post-modernistë, mundësinë të reflektojnë më thellë për jetën e tyre shpirtërore e t’i kërkojnë falje Zotit për shpërdorimin e pushtetit, që është në duart e tyre.

Pyetje: - Jemi dëshmitarë të qëndrimit të ftohtë të shumë njerëzve ndaj Sakramentit të Rrëfimit. Si mund të ndryshohet kjo prirje?

Përgjigje: - Duhet të rifitojmë në vizionin tonë të krishterë, përparësinë e jetës kundruese, të heshtjes së njeriut përballë Zotit, të bisedës shenjte me Zotin e me të tjerët.







All the contents on this site are copyrighted ©.