(07.01.2009 RV)Të dashur vëllezër e motra, në këtë audiencë të parë të
përgjithshme të vitit 2009, dëshirojmë t’ju bëjmë të gjithëve urimet më të përzemërta
për vitin e ri, që sapo filloi. Ta përtërijmë impenjimin për t’ia hapur Krishtit mendjen
e zemrën, që të jemi miqtë e tij të vërtetë. Shoqëria e tij do të bëjë që ky vit,
pavarësisht nga vështirësitë e pashmangshme, të jetë kohë plot gëzim e paqe. Vetëm
në se jemi të bashkuar me Krishtin, viti i ri do të jetë i mirë e i lum. Edhe Shën
Pali na jep shembullin e impenjimit për t’u bashkuar me Krishtin. Duke vijuar katekizmat
kushtuar Shenjtit, sot po reflektojmë mbi një nga aspektet e rëndësishme të mendimit
të tij, atë që ka të bëjë me kultin e ushtruar nga të krishterët. Në të kaluarën flitej
për një prirje antikultuale të Apostullit, për një ‘shpirtëzim’ të idesë së kultit.
Sot e kuptojmë më mirë se Pali në kryqin e Krishtit shikon një kthesë historike, që
e shndërron dhe e rison rrënjësisht realitetin e kultit. E ky vizion i ri i kultit
del në pah posaçërisht në tre tekste të Letrës drejtuar Romakëve.
1.
Në Rom 3, 25, pasi flet për ‘shpërblimin e kryer nga Jezu Krishti’, Pali vijon
me një formulë, që për ne është misterioze, e thotë kështu: “Hyji e paracaktoi të
jetë mjet shpërblimi me anë të fesë, në gjakun e derdhur prej tij”. Me këtë shprehje,
që ne na duket e çuditshme - ‘mjet shpërblimi’ - Shën Pali ka parasysh ‘shpërblyesin’
e tempullit të lashtë, domethënë kapakun e arkës së Besëlidhjes, që ishte menduar
si pikë takimi ndërmjet Hyjit e njeriut, pikë e pranisë së tij misterioze në botën
e njerëzve. Ky ‘shpërblyes’, në ditën e madhe të pajtimit - “yom kippur” - spërkatej
me gjakun e bagëtive të flijuara - gjak që simbolikisht i çonte mëkatet e vitit të
kaluar në takim me Zotin e kështu mëkatet, të hedhura në pafundësinë e mirësisë hyjnore,
thitheshin nga forca e Hyjit, shlyheshin, faleshin. E niste rishtas jeta.
Shën
Pali e cek këtë rit e thotë: ky rit ishte shprehje e dëshirës për t’i shkarkuar të
gjitha fajet tona në pafundësinë e mëshirës hyjnore e kështu, për t’i zhdukur. Por
ky proces nuk mund të realizohet me gjakun e bagëtive. Ishte i nevojshëm një takim
më real ndërmjet fajit njerëzor e dashurisë hyjnore. Ky takim u realizua në kryqin
e Krishtit. Krishti, Biri i vërtetë i Hyjit, i bërë njeri i vërtetë, mori mbi vete
gjithë fajin tonë. Ai vetë është vendi i takimit ndërmjet mjerimit njerëzor e mëshirës
hyjnore; në zemrën e tij shkrihet masa e trishtë e së keqes së kryer nga njerëzimi
e përtërihet jeta.
Duke folur për këtë ndryshim, Shën Pali thotë: Me kryqin
e Krishtit - akti më i lartë i dashurisë hyjnore, që u bë dashuri njerëzore - kulti
i vjetër i flijimit të bagëtive në tempullin e Jeruzalemit merr fund. Ky kult simbolik,
kult i dëshirës, tani zëvendësohet me kultin real: dashuria e Hyjit të mishëruar në
Krishtin përmbushet plotësisht me vdekjen në kryq. Prej këndej mund të themi se ky
nuk është shpirtëzim i kultit real, por përkundrazi, kulti real, dashuria e vërtetë
hyjnore-njerëzore, zëvendëson kultin simbolik e të përkohshëm. Kryqi i Krishtit, dashuria
e tij me mish e gjak, është kulti real, që përkon me realitetin e Hyjit e të njeriut.
Që para rrënimit të jashtëm të tempullit, për Palin epoka e tempullit dhe e kultit
të tij kishte marrë fund: e kështu Pali është në përkim të plotë me fjalët e Jezusit,
i cili kishte kumtuar fundin e tempullit të vjetër e ngritjen e tempullit të ri ‘që
nuk do të ndërtohej nga duar njeriu” – tempullit të korpit të tij të ngjallur (cfr
Mk. 14-58;Gjn 2,19ss). Ky është teksti i parë.
2. Teksti i dytë, për të
cilin dëshiroj t’ju flas sot, gjindet në versetin e parë të Kapitullit të dytë të
Letrës drejtuar Romakëve. E kemi dëgjuar e po e përsëris edhe një herë: “Vëllezër,
po ju këshilloj, për mëshirë të Perëndisë, t’i falni trupat tuaj porsi flije të gjalla,
shenjte e të pëlqyeshme para Hyjit; e ky është kulti juaj shpirtëror”. Në këto fjalë
vërejmë një paradoks të dukshëm: ndërsa flijimi kërkon vdekjen e viktimës, Pali na
flet për të në lidhje me jetën e të krishterit. Shprehja ‘t’i falni trupat tuaj’,
duke pasur mbrapa konceptin e flijimit, merr ngjyrimin e kultit “të mblatimit, të
flijimit”. Nxitja ‘për t’i falur trupat’, ka të bëjë me njeriun në tërësi; e kjo
shihet në Rom. 6,13 ku ai fton ‘për t’ia kushtuar vetveten Hyjit, porsi krijesa
të gjalla”. Përmendja e qartë e përmasës fizike të të krishterit, përkon me ftesën
‘Jepini lumni Hyjit në korpin tuaj” (1 Cor 6,20); është, pra, fjala për ta
nderuar Hyjin në jetën konkrete të përditshme, që përbëhet nga lidhje të dukshme e
të perceptueshme.
Një sjellje të tillë Pali e cilëson si “flije e gjallë,
shenjte, e pëlqyeshme para Hyjit”. E pikërisht këtu takojmë fjalën ‘flije’. Në përdorimin
e zakonshëm, ky term bën pjesë në kontekstin e një ceremonie të shenjtë dhe shërben
për të treguar therjen e një bagëtie, një pjesë e së cilës mund të digjet në nder
të zotave e pjesa tjetër, të hahet nga gostarët. Pali e zbaton në jetën e të krishterit.
Për ta cilësuar këtë flije, ai përdor tre epitete. I pari ‘e gjallë’ – shpreh gjallërinë.
I dyti – “shenjte’ kujton idenë e Shën Palit lidhur me shenjtërinë, që nuk lidhet
me vende e as me sende, por me vetë të krishterët. I treti ‘i pëlqyeshëm para Hyjit’
– të kujton, ndoshta shprehjen e zakonshme biblike të flijimit “me erë e këndshme
në nderë të Zotit’(cfr Lev 1,13.17; 23,18; 26,31;etj).
Menjëherë më
pas Pali e quan kështu këtë mënyrë jetese: ‘ky është kulti juaj shpirtëror’. Kometuesit
e tekstit e dinë mirë se shprehja greke (tēn logikēn latreían) nuk
përkthehet lehtë. Bibla latine e përkthen “rationabile obsequium”. E njëjta
fjalë “rationabile” duket në Lutjen e parë eukaristike, në Kanunin Romak: përmes
saj lutet Hyji që ta pranojë këtë dhuratë si “rationabile”. Përkthimi i zakonshëm
italian ‘kult shpirtëror’ nuk i pasqyron të gjitha ngjyrimet e tekstit grek (e as
të atij latin). Sidoqoftë, nuk është fjala për një kult më pak real, ose vetëm metaforik,
por për një kult më konkret e realistik – një kult në të cilin njeriu vetë, në tërsinë
e tij, si qenie e pajisur me arsye, bëhet adhurim, lumnim i Hyjit të gjallë.
Kjo
formulë e Shën Palit, që përsëritet më pas në Lutjen Eukaristike romake, është fryt
i zhvillimit të gjatë të përvojës fetare në shekujt pas Krishtit. Në këtë përvojë
takohen zhvillime teologjike të Besëlidhjes së Vjetër e rryma të mendimit grek. Dëshiroj
të vë në dukje të paktën ndonjë element të këtij zhvillimi. Profetët e shumë Psalme
i kritikojnë fuqimisht flijimet e përgjakshme të tempullit. Psalmi 50 (49)
për shembull, thotë: “Po të kisha uri, sigurisht s’do ta përmendja, bota mbarë është
imja me gjithë çka përmbrenda. Thua do ta ha mishin e mëzetërve? Thua do të pi gjakun
e sqepëve? Falja Hyjit një flije lavdi…(vv12-14)”, Në të njëjtin kuptim Psalmi
që pason, 51 (50) thotë: “… ti flijet nuk i pranon, e në se se të bëj therore,
ti s’i pëlqen. Një shpirt i penduar është flije para Zotit: një zemër të thyer e të
përvujtë ti, o Zot, s’e përbuzë” (vv 18s). Në Librin e Danielit, në
kohën e rrenimit të tempullit nga regjimi helenistik (shek II para Krishtit), gjejmë
një hap të ri në këtë drejtim. Në mes të zjarrit, domethënë të persekutimit, të vuajtjes
– Azaria lutet kështu: “Tashti nuk kemi as kryetarë, as profetë, as prijës; as therore,
as flije, as mblatë, as kêm; as vend ku të paraqesim frytet e para, as elterë për
të gjetur mëshirë. Eh! Sikur të mund të pranoheshim, me zemër të penduar e me shpirt
të përvujtë, porsi kurbanet e deshve e të mëzetërve, porsi mija qengjash të majm.
Kësodore të jetë sot flija jonë përpara tejet, e të dalë e pëlqyeshme...” (Dan
3. 38 ss). Në kushtet e shkatërrimi të shenjtërores e të kultit, në këtë gjendje
të mungesës së çdo shenje të pranisë së Hyjit, besimtari mblaton si flije të vërtetë,
zemrën e penduar – dëshirën e tij për Hyjin.
Shikojmë një zhvillim të rëndësishëm,
të bukur, por me një rrezik. Kemi shpirtëzimin, moralizmin e kultit: kulti bëhet një
gjë që i përket vetëm zemrës, shpirtit. Por mungon korpi, mungon bashkësia. Kështu
kuptohet për shembull se Psalmi 51 e edhe Libri i Danielit, megjithëse kritikojnë
kultin, e dëshirojnë kthimin në kohën e flijimeve. Por këtu bëhet fjalë për një kohë
të re, për një flijim të ri, në një sintezë që nuk mund të parashikohej ende, nuk
mund as të mendohej.
Por, të kthehemi tek Shën Pali. Ai është trashëgimtar
i këtyre zhvillimeve, i dëshirës për kultin e vërtetë, në të cilin njeriu vetë bëhet
lumni e Hyjit, adhurim i gjallë me gjithë vetveten. Në këtë kuptim u thotë Romakëve
“Falni trupin tuaj porsi flije të gjallë, … e ky është kulti juaj shpirtëror” (Rom
12, 1). Pali përsërit kështu çka kishte thënë në kapitullim 3: Koha e flijimit
të bagëtive, flijimi simbolik, kishte marrë fund. Po këtu shikojmë rrezikun e keqkuptimit:
ku kult i ri mund të shpjegohet në kuptimin moralistik: duke falur jetën tonë, e bëjmë
ne kultin e vërtetë. Në këtë mënyrë kulti me kafshë do të zëvendësohej nga moralizmi:
njeriu mund ta bëjë gjithçka vetë, me përpjekjen e tij morale. E ky sigurisht nuk
ishte qëllimi i Shën Palit. Gjithsesi nuk mund të mos lindë pyetja: Si duhet ta shpjegojmë
këtë ‘kult shpirtëror të arsyeshëm?’. Pali mendon gjithnjë se ne jemi bërë ‘një në
Krishtin Jezus’ (Gal 3,28), se kemi vdekur në pagëzim (cfr Rom 1) e
tani jetojmë me Krishtin, për Krishtin e në Krishtin. Në këtë bashkim - e vetëm kështu
- mund të bëhemi në Të e me Të ‘flije e gjallë’, mund të falim kultin e vërtetë. Bagëtitë
e flijuara duhej të zevendësonin njeriun, vetëflijimin e njeriut, e nuk mundnin.
Jezu Krishti, duke ia dhuruar veten Atit e ne, nuk zevendëson, por merr vërtetë mbi
vete njeriun, fajet tona e dëshirën tonë: na përfaqëson vërtetë, na merr mbi vete.
Në bashkimin me Krishtin, realizuar në fe e në sakramente, pavarësisht nga mungesat
tona, ne bëhemi flije e gjallë: realizohet kulti i vërtetë.
Kjo përmbledhje
gjindet në fund të Kanunit romak, në të cilin Kisha lutet që falja e kësaj flije,
të bëhet ‘rationabile’ - për t’u realizuar, kështu, kulti shpirtëror. Kisha e di
se në Kungimin Shenjt bëhet i pranishëm vetëdhurimi i Krishtit, flijimi i tij. Por
Kisha lutet edhe që bashkësia kremtore të bëhet vërtetë një me Krishtin, të shndërrohet;
lutet që ne vetë të bëhemi, çka nuk mund të jemi me forcat tona: flije ‘rationabile’,
që i pëlqen Zotit. Kështu lutja eukaristike i kupton drejtë fjalët e Shën Palit.
Shën Agostini e sqaroi këtë mrekullisht mirë në Librin e 10-të të veprës së tij ‘Qyteti
i Hyjit’. Po citoj vetëm dy fraza: “Kjo është flija e të krishterëve: megjithëse shumë,
jemi një korp i vetëm në Krishtin”... “E gjithë bashkësia (civitas) e shpërblyer,
domethënë shoqëria e bashkëria e shenjtorëve, i mblatohet Hyjit nëpërmjet Kryemeshtarit,
që dhuroi vetveten” (10,6:CCL 47,27 ss).
3. Në fund, edhe pak fjalë
për tekstin e tretë të Letrës drejtuar Romakëve që përmban kultin e ri. Në
kapitullin e 15-të, Shën Pali thotë kështu: “...hiri që m’u dha nga Perëndia, dua të them që të jem ministër i Jezu Krishtit ndër paganë, duke ushtruar ngarkesën
shenjte të Ungjillit të Zotit, kështu që mblata e paganëve, e shenjtëruar nga Shpirti
Shenjt, të kthehet në një mblatë të pëlqyeshme” (15, 15 ss). Dëshiroj të
nënvizoj vetëm dy aspekte të këtij teksti të mrekullueshëm, me terminologji të pashembullt
në letrat e Shën Palit. Mbi të gjitha Shën Pali e shpjegon veprimtarinë e tij misionare
ndërmjet popujve të botës, për të ndërtuar Kishën universale, si veprimtari meshtarake.
Apostulli i Ungjillit është meshtar i vërtetë, bën atë që është qendra e meshtarisë:
përgatit flijimin e vërtetë. E pastaj, aspekti i dytë: qëllimi i veprimtarisë misionare
është - mund të themi - liturgjia kozmike: që popujt, të bashkuar në Krishtin, bota,
të bëhet si e tillë, lumnia e Hyjit, “flija e pëlqyer, e shenjtëruar në Shpirtin Shenjt”.
Këtu duket aspekti dinamik, aspekti i shpresës në konceptin e Shën Palit për kultin:
vetëflijimi i Krishtit ka prirjen t’i tërheqë të gjithë drejt bashkimit me korpin
e vet, për ta bërë kështu një, mbarë botën. Vetëm në bashkim me Krishtin, Njeriun
model, një me Hyjin, bota, bëhet ashtu si e dëshirojmë të gjithë: pasqyrë e dashurisë
hyjnore. Ky dinamizëm është gjithnjë i pranishëm në Eukaristi - e po ky dinamizëm
duhet ta frymëzojë e ta formojë gjithë jetën tonë.