2009-01-13 18:10:53

Kalendari kishtar përkujton Shën Hilarin e Puatjesë, ipeshkëv e dijetar i Kishës


(13.01.2009 RV)RealAudioMP3 Hilari, i lindur në Puatje të Francës rreth vitit 315, ishte pagan që kërkonte me etje dritën e nevojshme për të gjetur kuptimin e jetës. Kërkimin e nisi në doktrinat neoplatonike, për të arritur, më pas, tek Bibla, tek krishtërimi, tek drita. Pronar fisnik tokash, i martuar e me një vajzë, pas pagëzimit u zgjodh ipeshkëv i Puatjesë. Luftoi herezinë ariane, duke shkruar disa vepra, më e famshmja e të cilave është ‘De Trinitate’. Në këtë vepër ipeshkvi shenjt mbrojti në mënyrë të pakundërshtueshme besimin në Trininë e në Hyjninë e Krishtit. Shkroi edhe komente të shquara të Psalmeve e të Ungjillit sipas Mateut. Por, me që arianët ishin nën mbrojtjen e perandorit Kostanci, i cili i miratoi vendimet e sinodit arian, mbajtur në vitin 356 në Béziers, ipeshkvi i Puatjesë u internua në Frigji, ku kaloi katër vjet. Edhe gjatë këtyre vjetëve vijoi t’i thellone studimet: mësoi greqishten, zbuloi veprat e Origjenit dhe gjithë prodhimin e Etërve lindorë, duke siguruar, kështu, një dokumentim të dorës së parë për librin ‘De Trinitate’ që i dha titullin Dijetar i Kishës. Ishte traktati më i rëndësishëm e më i thellë i shkruar deri asokohe mbi dogmën kryesore të fesë së krishterë. E nuk u mjaftua me kaq: nga internimi, sulmoi me guxim të jashtëzakonshëm atë që ia kishte në dorë vetë jetën, perandorin Kostanci, duke e kritikuar ashpër, pse pretendonte të sundonte edhe Kishën e pse përzjehej në diskutimet teologjike e në punët e brendshme të disiplinës kishtare, të cilat nuk i takonin.
Si u rikthye në seli, ipeshkvi guximtar rifilloi veprimtarinë baritore. Pati si bashkëpunëtor ipeshkvin e ardhshëm të Turit, Shën Martinin. Vdiq në vititn 367. Mbeti në kujtesën e Kishës si polemist i mprehtë e guximtar, por edhe si Atë e Bari i vërtetë i grigjës që i qe besuar. Njerëzor në luftë e më se njerëzor në fitore, mbrojti gjithnjë ipeshkvijtë që e pranonin gabimin, duke u njohur edhe të drejtën të vijonin veprimtarinë në selitë e tyre. Piu IX e shpalli ‘Doktor i Kishës’.
Emri Hilar vjen nga latinishtja e do të thotë ‘gëzim’. Simboli i shenjtit është shkopi baritor







All the contents on this site are copyrighted ©.