2009-01-13 18:08:56

Benedikti XVI në Meshën e dritës së kardinalit Lagi: i shërbeu me përkushtim Kishës dhe çështjes së paqes


(13.01.2009 RV)RealAudioMP3 “Kardinali Pio Lagi e shkriu gjithë jetën në shërbim të Kishës e të krijimit të marrëdhënieve paqësore ndërmjet popujve”: këtë nënvizoi Papa në homelinë e mbajtur në përfundim të Meshës së dritës të Kardinalit të ndjerë, kremtuar sot paradite nga kardinali dekan, Agjelo Sodano, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Papa kujtoi me mirënjohje shërbimin e gjatë diplomatik të kardinalit Lagi, i cili ndërroi jetë të dielën e kaluar, në moshën 86 vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë.
“Shërbëtor i Krishtit dhe i Selisë së Shenjtë, që shkriu gjithë jetën për dialogun e paqen ndërmjet popujve”. Këshu e përshkroi Papa figurën e kardinalit Pio Lagi, duke u ndaluar, më pas, në etapat kryesore të jetës së tij të gjatë e të frytshme. Benedikti XVI kujtoi, së pari, se kardinali Lagi mori nga familja një edukatë të shëndoshë njerëzore e kristiane. Më pas u ndalua tek shërbimi i tij dipolmatik, të cilin e filloi në vitin 1952, shërbim që e çoi në të katër anët e botës: nga Nikaragua, në Indi; nga Toka e Shenjtë në Argjentinë e në SHBA. Ati i Shenjtë vijoi të kujtonte me mirënjohje të thellë edhe misionet e posaçme, që iu besuan kardinalit Lagi, posaçërisht atë të vitit 2001 pranë Izraelit e Autoriteteve Palestineze e të vitit 2003 në Uashington, për paqen në Lindjen e Mesme:

“Misione delikate, të cilat ai i kreu, si gjithnjë, me përkushtim besnik ndaj Krishtit e Kishës së Tij. “U përpoqa ta dua Krishtin – shkruan në testamentin e tij shpirtëror – e t’i shërbej me gjithë jetën time, ndonëse shpesh brishtësia njerëzore më pengoi ta shpreh në mënyrë gjithnjë më shembullore, si do të kisha dëshiruar, dashurinë, besnikërinë e përkushtimin e plotë ndaj vullnetit të Tij”.

 
Papa kujtoi se më 1993 kardinali i ndjerë ishte në drejtim të Urdhërit të Maltës, e më pas, në krye të Kongregatës për edukimin katolik. Gjithnjë besnik ndaj fjalës së Zotit – pohoi Ati i Shenjtë – ai u mundua t’i shndërronte në burim paqeje e gëzimi edhe provat e vuajtjet, që bëjnë pjesë në shtegtimin tonë tokësor”.
Shpresa që ndriçoi jetën meshtarake të kardinalit Lagi – tha në përfundim Papa, gjen tani realizimin e vet të plotë në thirrjen hyjnore për të marrë pjesë në gostinë e qiellit.







All the contents on this site are copyrighted ©.