2009-01-12 18:56:58

Papa administratorëve të Lacios: politikë solidare për shtresat më të varfëra e ndihmë e anasjelltë me strukturat kishtare për përballimin e krizës.


(12.01.2009 RV)RealAudioMP3 Kriza ekonomike botërore ka ndikimet e veta të pashmangëshme edhe mbi Romën e territorin e Lacios. Prandaj drejtuesit e pronës publike e kanë për detyrë të punojnë me frymën e solidaritetit e të thjeshtësisë, duke forcuar bashkëpunimin me strukturat e Kishës, që luftojnë kundër varfërisë. Janë fjalët e Papës drejtuar sot paradite kryetarit të bashkisë së Romës, Gjani Alemano; kryetarit të Zonës së Lacios, Pietro Marraco dhe kryetarit të Provincës kapitoline, Nikola Xingareti, të cilët i priti në audiencën tradicionale për shkëmbimin e urimeve të vitit të ri.Sfida është e vështirë, e ajo që është e rëndë në nivelin global, është edhe në fushat më të ngushta të drejtimit. Benedikti XVI foli për shqetësimet, por edhe shpresat e atyre që administrojnë një qytet të madh, si Roma e një territor provincial e rajonal po aq të madh, duke ripohuar se kriza aktuale botërore është, mbi të gjitha, krizë strukturore, kulturore e krizë e vlerave. E ky tip krize, natyrisht - vijoi Papa – ka nevojë për ‘mbarështues mendjendritur’ e, sidomos, për risimin e thellë të ndërgjegjeve njerëzore:

“Ndoshta sot, më shumë se kurrë, shoqëria civile e kupton se vetëm me stile jetese të frymëzuara nga përkora, solidariteti e përgjegjësia, mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë e një ardhmëri më e mirë për të gjithë (…). Prandaj është detyrë e dorës së parë edukimi me respektimin e normave, me pranimin e përgjegjësive, me një jetesë që e kufizon individualizmin e mbrojtjen e interesave të pjesëshme, për të mirën e të gjithëve, duke pasur posaçërisht për zemër shpresat e shtresave më të ligështa të popullsisë, pa i konsideruar si barrë, por si burim që duhet vlerësuar”.

 
Njerëzit e ligësht, për të cilët foli Benedikti XVI, duke kaluar nga përmasa e parimeve, në atë të përgjigjeve konkrete që jep edhe Kisha përmes Karitasit dioqezan dhe shoqatave të tjera katolike – janë të gjithë ata që kanë nevojë të mbështeten nga politikat ekonomike e shoqërore të shtetit, pa kërkuar asnjë privilegj:

“Mendoj këtu për familjet, posaçërisht për ata me fëmijë të vegjël, që kanë të drejtë të plotë të shpresojnë në një ardhmëri të qetë, e për pleqtë, shumë nga të cilët jetojnë në vetmi e në kushte, që lenë për të dëshiruar; mendoj për emergjencën e banesave, për mungesën e punës e papunësinë ndërmjet të rinjve, për bashkëjetesën jo të lehtë ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, për problemet e emigracionit e të endacakëve”.

 
Papa i kushtoi një vëmendje të posaçme të rinjve, jeta e të cilëve, shpesh pa asnjë pikë referimi, nxjerr me urgjencë në pah problemin e edukimit, përmes një bashkëpunimi të ngushtë të të gjithë atyre, që punojnë në këtë fushë kaq delikate:

“Dobësohen, posaçërisht ndërmjet breznive të reja, vlerat natyrore e të krishtera, që i japin kuptim jetës së përditshme dhe e mësojnë njeriun ta shikojë me shpresë ardhmërinë; dalin në pah dëshira të përkohshme e shpresa jetëshkurtëra, që lënë pas shijën e hidhur të mërzisë e të dështimit. E gjithë kjo ka si rezultat të kobshëm prirjen për ta banalizuar vetë vlerën e jetës, për të kërkuar strehë tek shkeljet e rregullave, tek droga e alkooli, që për disa janë bërë rit i zakonshëm i fundjavës”.

 
Prandaj, përballë nihilizmit që sundon gjithnjë më shumë mbi botën rinore, Kisha i fton të gjithë t’u kushtohen seriozisht të rinjve:

“Që të mos lihen në mëshirën e fatit e në dorë të mësuesve të këqinj, por të impenjohen në nisma serioze, që u krijojnë mundësitë ta kuptojnë vlerën e jetës në gjirin e një familjeje të qëndrueshme, të themeluar mbi martesën. Vetëm kështu u jepet mundësia ta planifikojnë me përgjegjësi ardhmërinë e tyre”.

 
E këtu Benedikti XVI shprehu besimin se administratat lokale do t’i japin ndihmesën famullive, oratoreve e struktuarve shëndetësore katolike, duke vijuar bashkëpunimin e suksesshëm, që është vërejtur gjatë gjithë vitit 2008.







All the contents on this site are copyrighted ©.