2009-01-12 18:57:58

Ngushëllimet e Benediktit XVI për vdekjen e kardinalit Pio Lagi


(12.01.2009 RV)RealAudioMP3 Mbrëmë në spitalin romak të Shën Karlit të Nansit ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare, kardinali Pio Lagi. Mesha e dritës do të kremtohet nesër në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, kryesuar nga Dekani i Kolegjit Kardinalor, kardinali Angjelo Sodano. Në liturgjinë e salikimeve do të jetë i pranishëm edhe Papa i cili, përmes një telegrami ngushëllimi drejtuar familjarëve të kardinalit të ndjerë, shprehu ngushëllimet, duke nënvizuar se humbja e kardinalit Lagi e ka prekur thellësisht. Më pas Papa kujton shërbimin e kardinalit Lagi në gjirin e Selisë së Shenjtë, posaçërisht si prefekt i Kongregatës për edukimin katolik. Benedikti XVI e përfundon telegramin duke iu lutur Zotit t’i japë të ndjerit çmimin që u premtohet shërbëtorëve besnikë të Ungjillit”.
Në Meshën e dritës, që do të kremtohet nesër, Papa do t’u drejtojë fjalën të pranishëmve dhe do të marrë pjesë në ritin e lamtumirës së fundit.Kujtojmë se Pio Lagi u krijuar kardinal nga Papa Gjon Pali II më 1991, pasi kishte kryer misionin meshtarak e ipeshkvnor në disa nga fushat më të rëndësishme të veprimtarisë së Kishës, duke nisur nga viti 1946, kur u shugurua meshtar. Kreu sidomos detyrën e nuncit apostolik në Tokën Shenjte, në Argjentinë e në Selinë diplomatike të Vatikanit në Uashington. Në video-konferencën e fundit, mbajtur në dhjetorin e kaluar, foli pikërisht për një nga ngjarjet më aktuale të jetës amerikane, me ndikim mbi gjithë botën: zgjedhjen e një presidenti me ngjyrë:

“Obama i jep fund traditës, që zgjati 220 vjet, të 43 presidentëve të bardhë. Kjo që ndodhi më 4 nëntor, besoj se mund të konsiderohet si çlirim nga ai mëkat i tmerrshëm - që për shumë vjet me radhë njollosi fytyrën e natyrën e SHBA, dmth nga skllavëria e zezakëve".

 
Duke pohuar se ishte një mendjeje me qëndrimet e Obamës ndaj drejtësisë shoqërore, shëndetësisë e emigracionit, shtonte:
 
“Natyrisht, duke shpresuar të mbrohet familja, sepse kjo është pika themelore e marrëdhënieve me Kishën katolike, që përfaqëson 25% të popullsisë së SHBA e është një bllok shumë i fuqishëm, shtyllë kurrizore e kësaj shoqërie. Përveç saj, është edhe mbrojtja e familjes, mospranimi i çifteve të parregullta e sidomos, mbrojtja e jetës nga zënia, në vdekjen e natyrshme”.
 
Emri i kardinalit Pio Lagi është mjaft i njohur edhe në Shqipëri, për ndihmesën e tij të pakursyer në zhvillimin e vendit, sidomos në fushat e shëndetësisë, të arsimit e të kluturës. Mjafton të kujtojmë praninë e tij në përurimin e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, më 21 janar të vitit 2005.







All the contents on this site are copyrighted ©.