Benedikti XVI në Kapelën Sikstine kujtoi se Pagëzimi është dhuratë e Zotit, që pasuron
fëmijët e prindërit; në Engjëllin e Tënzot - Takimin botëror të familjeve.
(12.01.2009 RV)Pagëzimi është ura
që ndërton Zoti ndërmjet vetes e nesh: kështu u shpreh Ati i Shenjtë në kremtimin
e djeshëm eukaristik në Kapelën Sikstine, gjatë të cilit u dha Sakramentin e Pagëzimit
13 fëmijëve. Shenjtëria e Tij i ftoi prindërit t’u japin fëmijëve edukatë fetare e
t’i mësojnë të luten. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot kujtoi takimin botëror të familjeve,
që fillon nesër në Qyetin e Meksikos, me temë: “Familja e edukon njeriun me vlera
humane e kristiane”. Fëmija nuk është pronë e prindërve, por u është besuar atyre
nga Krijuesi, për ta ndihmuar të jetë bir i lirë i Hyjit – pohoi Ati i Shenjtë - duke
i inkurajuar, më pas, prindërit ta thellojnë sa më shumë këtë vetëdije:
“Vetëm
në se prindërit e fitojnë këtë vetëdije, ia dalin mbanesh të gjejnë drejtëpeshimin
e duhur ndërmjet pretendimit për t’u sjellë me fëmijët si të ishin pronë private,
duke i formuar mbi bazë të ideve e dëshirave të tyre e sjelljes anarkiste, dmth duke
i lënë të rriten në pavarësi të plotë e duke ua plotësuar çdo dëshirë e kërkesë, me
besimin se kjo është mënyra më e drejtë për formimin e personalitetit të tyre”. Njeriu
që pagëzohet bëhet bir i Hyjit por - nënvizoi Benedikti XVI – fëmija duhet mësuar
ta njohë Zotin si Atin e tij e të dijë të sillet me të, ashtu si biri me Atin: “E
prandaj kur, sipas traditës së krishterë, siç po bëjmë sot, fëmijët pagëzohen duke
hyrë në dritën e Hyjit e të mësimeve të tij, nuk duhen trajtuar me dhunë, por u duhet
dhënë pasuria e jetës hyjnore, në të cilën i ka rrënjët liria e vërtetë, që u përket
të gjithë bijve të Hyjit; liri që duhet edukuar e formuar me kalimin e viteve, që
fëmija të bëhet i aftë për ta zgjedhur në mënyrë të pavarur rrugën e vet të jetës”.
Festa
e Pagëzimit – tha Papa – na hap rrugën e lidhjes së përditshme me Zotin. Pagëzimi
është si urë, që Hyji e ndërtoi ndërmjet vetes e nesh. Papa kujtoi edhe se me festën
e Pagëzimit të Zotit përfundon Koha e Krishtlindjes. Krijuesi – kujtoi Ati i Shenjtë
– në Jezusin u bë i vogël, fëmijë e duke u bërë i vogël, bëri të ndrisë drita e madhështisë
së tij. Për vlerën e Pagëzimit Papa foli edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot:
“Ja
realiteti mahnitës: njeriu, përmes pagëzimit, hyn në lidhjen e pashmbullt e të posaçme
me Jezusin e me Atin, kështuqë fjalët që kumbuan nga qielli për Birin e vetëm, kumbojnë
edhe për çdo burrë e për çdo grua, që rilind nga ujët e nga Shpirti Shenjt: Ti je
im bir, i dashuri!”.
Papa vijoi të kujtojë se Pagëzimi
dhuron jetën e pasosur, duke nënvizuar se po ta kuptonim këtë të vërtetë në gjithë
thellësinë e vet, jeta jonë do të bëhej jetë e vazhdueshme hiri:
“Sa
gëzim për prindërit e krishterë, pasi panë sesi nga dashuria e tyre lulëzoi krijesa
e re, ta sjellin në gurrën e pagëzimit e ta shikojnë duke rilindur nga prehëri i Kishës,
për një jetë që s’ka kurrë mbarim! Dhuratë, gëzim, por edhe përgjegjësi e madhe! Sepse
prindërit, së bashku me nunët, duhet t’i edukojnë fëmijët sipas mësimeve të Ungjillit”. E
më pas, mendimi i Papës shkoi shumë larg nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Qytetin e Meksikos,
ku gjatë gjithë kësaj jave do të mbahet takimi botëror i familjeve me temë: “Familja
e edukon njeriun me vlera humane e kristiane”: "Ngarkova kardinalin
Sekretar të Shtetit të më përfaqësojë, por unë vetë do të jem shpirtërisht i pranishëm
në këtë ngjarje të jashtëzakonshme, duke e shoqëruar me lutje e duke i drejtuar fjalën
përmes një video-konference”.
Së fundi, përshëndetjet
në gjuhë të ndryshme dhe urimet drejtuar të gjithë të pranishmëve, që drita shpirtërore
e Krishtlindjes dhe e Dëftimit të Zotit t’ua ndriçojë rrugën e përditshme e t’i ndihmojë
për t’i kapërcyer të gjitha vështirësitë e jetës së përditshme.