2009-01-10 17:23:19

“Bukuria e familjes” editorial i Atë Federiko Lombardit


(11.01.2009 RV)RealAudioMP3 Më 13 deri më 18 janar në Qytetin e Meksikos do të mbahet Takimi VI Botëror i Familjeve me temë “Familja e edukon njeriun me vlera humane e kristiane”. Kjo ngjarje e madhe tregon se Kisha e konsideron punën baritore me familjen si një nga detyrat e dorës së parë, e vetë familjen, si levë themelore të ungjillëzimit të ri e si vatër kryesore për transmetimin e fesë. E këtë tregon edhe editoriali i fundjavës i drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardit, që titullohet ‘Bukuria e familjes”:

"Nga 13 deri më 18 janar, në Qytetin e Meksikos, pranë Shenjtërores së Zojës së Guadalupes, do të mbahet Takimi botëror i familjes, me temën kuptimplote: “Familja e edukon njeriun me vlera njerëzore e të krishtera”. Të gjithë e dinë se familja në kohën tonë po kalon një periudhë të vështirë, për shkak të mendësisë së përhapur, që ia minon bazat, duke mohuar vlerën e lidhjes së qëndrueshme e duke mos pranuar se bashkimi i frytshëm ndërmjet burrit e gruas ka karakterin e privilegjuar të qelizës themelore të shoqërisë njerëzore. Të gjithë e dinë se Kisha katolike radhitet vendosmërisht përkrah familjes e nuk i kursen ndërhyrjet në favor të saj, edhe atëherë kur mund të duket se ngulmon tepër e se cënon popullaritetin.
Por ndoshta jo të gjithë e kuptojnë se me këtë impenjim Kisha nuk bën një betejë të praparojës e as nuk mbron interesat e veta. Kërkon vetëm të mirën e burrave e të grave të sotme e të nesërme; dëshiron t’ua shpëtojë vendin kryesor të dashurisë e të gëzimit të të jetuarit. Në shumicën e rasteve fëmijët me prindër të ndarë nuk janë fare të lumtur. Ndërsa një familje e bashkuar nga dashuria, është jo vetëm vend gëzimi për anëtarët e saj, por edhe e aftë për mikpritje, vend dashurie e burim gëzimi edhe për ata që kanë më pak fat, vend i natyrshëm i transmetimit të jetës e i mënyrës për ta jetuar mirë. Familjet e krishtera nga mbarë bota do të takohen në Meksikë jo për të mallkuar, por për t’i dhënë botës një mesazh shprese e gëzimi. Është gjë e bukur të jetosh me dashuri në gjirin e familjes. E është edhe e mundur. Kush e jeton këtë dhuratë të madhe, dëshiron të japë dëshminë e vet, për t’i ftuar, kështu, të gjithë t’i besojnë përsëri dashurisë".
 







All the contents on this site are copyrighted ©.