2009-01-10 18:25:18

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Igjinin, Papë


(11.01.2009 RV)Pak dihet për të. Mendohet se qe me origjinë athiniote e se u zgjodh papë rreth vitit 138. U shlye nga Kalendari i ri i Kishës katolike, sepse emri i tij qe shtuar vonë, pikërisht në shekullin XII. Nuk kemi të dhëna që vërtetojnë se vdiq martir. Madje nuk e dimë as datën e vdekjes. Megjithatë Kisha vijon ta kujtojë më 11 janar për shkak të traditës dhe të devocionit që kanë besimtarët prej shekujsh për këtë figurë. Rreth shekullit XI, Shën Ireneu, duke u kthyer nga një shtegtim në Romë, shënoi në një listë emrat e 12 ipeshkvijve që ishin ulur në selinë romake, që nga Shën Pjetri, deri në kohën e tij: Igjini ishte i nënti në listë, i vetmi që mbante këtë emër, pasardhës i Telesforit ‘i cili dha një dëshmi të lumnueshme’, dmth pësoi martirizimin nën perandorin Adrian.
Libri i Papëve dhe Martiriologu Romak pohojnë se edhe Igjini pësoi martirizimin më 11 janar të vitit 140, gjatë persekutimit të Antonio Pios dhe se u varros pranë trupit të të lumit Pjetër në Vatikan. Megjithatë, kjo dëshmi nuk na bind që Papa Igjini të ketë vdekur martir, ndërsa bindemi plotësisht se qe njeri plot me merita të tjera. Gjatë papnisë së tij të shkurtër (136-140) u pakësuan në mënyrë të ndjeshme sulmet e paganëve kundër “racës së re pa atdhe”, siç thirreshin të krishterët, por u shtuan kërcënimet e sekteve heretike në vetë gjirin e Kishës. Në Romë arritën Valentini e Çedroni, të cilët nisën të përhapnin herezinë njostike, një përzjerje doktrinash e praktikash fetare me karakter filozofik e mistagogjik, bazuar mbi këtë parim themelor: ekziston një fe e rëndomtë, që i mjafton popullit të thjeshtë, por edhe një shkencë fetare, me të cilën merren vetëm njerëzit e ditur, të cilët ua shpjegojnë fenë njerëzve të thjeshtë. Të dy heretikët u çkishëruan nga Papa Igjini, të cilin Libri i Papëve e quan “filozofi” me origjinë athiniote. Ishte pra një filozof në timonin e varkës së Shën Pjetrit pikërisht në çastin e duhur, kur herezia njostike përpiqej ta përvetësonte Zbulimin hyjnor për ta bërë thjeshtë filozofi fetare.Papa Igjini mbrojti kështu integritetin e mësimit të vërtetë ungjillor. Sipas shembullit të Perandorit Adrian, që kishte krijuar një aparat të fuqishëm burokratik për të siguruar administrimin e urtë të perandorisë romake, ndërhyu në strukturën hjerarkike, duke themeluar urdhëra të vegjël. Krijoi, kështu, kushte për përmirësimin e shërbimit në Kishë dhe për përgatitjen e kandidatëve për meshtari përmes afrimit në rritje tek misteret shenjte. Nga koha e tij nis edhe prania e nunit të pagëzimit në dhënien e sakramentit të parë të jetës së krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.