2009-01-09 18:46:34

Komente për fjalimin e Papës drejtuar Trupit Diplomatik, nga juristi ndërkombëtar Bianki e misionari atë Gedo


(09.01.2009 RV)RealAudioMP3 Fjalimi i gjatë, në të cilin Papa preku katërçipërisht akualitetin e sotëm ndërkombëtar, përballë Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës e ka ngjallur edhe diskutime të shumta, duke nisur nga faza e re dramatike e konfliktit izraelito-palestinez. Ftuam në mikrofonin tonë Andrea Biankin, profesor i Drejtësisë ndërkombëtare pranë Universitetit Katolik të Milanos dhe Institutit të Lartë ndërkombëtar të Gjenevës, për një koment të fjalimit të Papës:

Përgjigje: - Në fjalët e Papës ndjehet vetëdija se për të luftuar me sukses kundër luftërave, kundër konflikteve – qofshin të natyrës ndërkombëtare ose të brendshme – duhet të zhduken kryesisht shkaqet që i ushqejnë konfliktet. E nuk ka asnjë dyshim se ndërmjet shkaqeve më të përhapura që ushqejnë konfliktet, është pikërisht varfëria. Nuk është fjala vetëm për varfërinë materiale, për mungesën e sendeve materiale, por edhe për varfërinë shpirtërore, për mungesën e vlerave, e mendoj se pikërisht kjo është më e rëndësishme, e është edhe filli i artë, që përshkon gjithë fjalimin e Atit të Shenjtë.

Pyetje: - Lufta kundër urisë dhe krijimi i kushteve për zhvillimin bujqësor lokal, janë përparësitë që Papa i vë në dukje, duke i lidhur ngushtë me urgjencën e paqes…

Përgjigje: - Për t’i përballuar këto sfida, që kanë të bëjnë me mbarë planetin, duhet të ekzistojë një bashkësi ndërkombëtare; një bashkësi që merr mbi vete përgjegjësitë e që di të veprojë. E, në fund, më duket se ky është edhe problemi më i madh, plaga nga e cila vuan sot njerëzimi: vështirësia për të vepruar bashkërisht, për të vënë në jetë politika – posaçërisht përballë sfidave globale – të cilat janë vërtetë të nevojshme. Sigurisht ka shumë nisma në vijim e sipër, e këtu kujtoj Konferencën e Dohës, por nuk kemi asnjë arsye për të qenë të kënaqur; besoj se vitet e fundit bashkësia ndërkombëtare ka vepruar paksa në mënyrë foshnjore, si në nivelin e bashkëpunimit, ashtu edhe në atë të veprimit.
 Pyetje: - Profesor Bianki, një koment për fjalët e Papës lidhur me Tokën Shenjte…

Përgjigje: - Besoj se situata në Lindjen e Mesme është vërtetë një nga gjembat në trupin e botës, një nga faktorët që e pengojnë këtë botë të jetojë më qetë bashkërisht e që rrezikojnë vetë drejtëpeshimin botëror. Mendoj se kemi të bëjmë me mungesën e përmasës politike, se nuk ekziston një vullnet i vërtetë për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme. Në një situatë, që vijon të acarohet prej vitesh, që është edhe sot problem i pazgjidhur, nuk është e nevojshme të bëhen vetëm thirrje për paqen, por mbi të gjitha është e nevojshme një ide e fortë politike, që mundet pastaj të vihet konkretisht në jetë, të realizohet konkretisht. E ndoshta është pikërisht kjo që të trishton më shumë: të gjithë flasin kundër luftës, të gjithë thonë se janë gati të bisedojnë për paqen, por paqja është ende larg, sepse duhet mbështetur një vullnet i fortë politik, që kjo paqe të realizohet vërtetë.

Pyetje: - Papa Benedikti XVI na kujton atë që papët e kanë thënë vazhdimisht: përdorimi i armëve nuk është rrugëzgjidhje; ja, deshëm të dinim sa është realist, politikisht, duke u bazuar gjithnjë tek Ungjilli, pohimi aktual i një koncepti të tillë?

Përgjigje: - Paralelisht me këtë forcë morale, që natyrisht është shumë e rëndësishme, është një nga motorët e historisë, në një farë mënyre duhet të ndjehet edhe vullneti politik më konkret; aftësia për të imponuar emrin e një bashkësie ndërkombëtare që duhet të japë shenja se ekziston vërtetë, se është e aftë për t’i zgjidhur krizat, si kjo e Lindjes së Mesme, e cila që prej 60 vjetësh krijon rrezikun të minojë paqen, duke ushqyer edhe terrorizmin në mbarë botën, e për të siguruar stabilitetin e paqen. Ajo që dua të nënvizoj, është pikërisht se forca morale - që gjen shprehjen e vet në të gjithë veprimtarinë e Kishës – shumë shpesh nuk shoqërohet me veprimtari politike, jo vetëm nga ana e organizatave shumëkombëshe, por edhe nga ana shteteve, e popullsive të veçanta të cilat, në një botë si kjo e sotmja – ku edhe shoqëria civile është në gjendje të organizohet – duhet të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet më fort në mbrojtje të formimit të një vullneti politik, që është në gjendje të imponohet.

E për të na folur mbi mbrojtjen e vlerave, të cilat Papa i kujton disa herë gjatë fjalimit të tij, ftuam, në mikrofonin tonë, Atë Piero Gedon, misionar i Institutit Papnor të Misioneve të Jashtme:RealAudioMP3

Përgjigje: - Kur e heqim nga horizonti ynë – ne si popull, nuk flas si persona – Zotin, ligjin e Zotit, vullnetin e Zotit, vdekjen e Zotit, nuk mund ta kuptojmë më as njeriun, nuk mund ta kuptojmë më as vetveten. Atëherë sundohemi nga pasionet, nga egoizmi, e katandisemi në njerëz me një varfëri të frikshme morale. Kujtoj Nënë Terezën që thoshte: “Të varfërit kanë nevojë për shumë gjëra, por mbi të gjitha kanë nevojë për Hyjin, mbi të gjitha kërkojnë Zotin”, e shtonte “Fatkeqësia më e madhe për Indinë është se nuk e njeh Krishtin”. Prandaj mendoj se varfëria morale, për të cilën flet Papa, është problem jo vetëm për popujt jo të krishterë e të varfër, por edhe për popujt e botës perëndimore. Para se të shikojmë varfërinë morale të të tjerëve, duhet të shikojmë tonën.

Pyetje: - Atë Gedo, duke folur për botën perëndimore, Papa uroi që të mos ushqehen paragjykime e armiqësi kundër të krishterëve, vetëm pse mbi disa çështje zëri i tyre nuk përkon me zërin e të tjerëve, dmth vetëm sepse mendojnë ndryshe…

Përgjigje: - Në se arsyetohet për së mbari, ashtu si thotë Papa në mesazhin e tij, njeriu shikon se krishterimi është feja e lirisë dhe e paqes, feja që i ka shërbyer gjithnjë së mirës së vërtetë të njerëzimit. Prandaj lind natyrshëm pyetja: pse t’i kundërvihemi krishterimit e Kishës, që ua çon Krishtin gjithë popujve e mbarë ndërgjegjeve? Thua vetëm pse Kisha ka ide të ndryshme, nga ato që kanë të tjerët? Por detyra e Kishës është pikërisht kjo: të japë përgjigjet e veta për problemet e njeriut të sotëm, përgjigje që mund të jenë fare të ndryshme nga ato të vetë botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.