2009-01-08 11:03:54

Presidenti i Shqipërisë Topi, në Kosovë për vizitë zyrtare, me ftesë të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu


(8.01.2009 R.V. nga ATSH-ja)RealAudioMP3 Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, në Kosovë ku zhvillon një vizitë zyrtare dyditore. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, filloi sot vizitën zyrtare dy ditore në Kosovë, me ftesë të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Presidenti Topi dhe delegacioni që e shoqëron zhvilluan bisedime zyrtare me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu e pastaj edhe me Kryeministrin Hashim Thaçi, kryesinë e Kuvendit të Kosovës si dhe i drejtoi një mesazh përshëndetës deputetëve të Kuvendit të Prishtinës.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, në shtetin e ri të Kosovës. Kreu i Shtetit të Shqipërisë ka kryer vizitën e fundit në Kosovë më 25 janar 2008, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Më hollesisht nga Prishtina të dëgjojmë shërbimin e përgatitur nga Rabie Ibraj....RealAudioMP3 ......
PRESIDENTI TOPI PERSHENDET KUVENDIN E KOSOVES
Presidenti Bamir Topi përshëndeti sot Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke theksuar se "Kur ndodhesha këtu, gjatë vizitës sime zyrtare, pothuajse një vit më parë, deklarova se Pavarësia e Kosovës ishte çështje orësh. Ajo në fakt kishte ardhur. Ajo ndodhej, në mendjet dhe në zemrat tuaja, ajo shikohej në buzët e të gjithëve Ajo ndihej në ajrin e pastër të Kosovës. Pavarësia e Kosovës erdhi ashu siç vjen një lajm i shumëpritur, ashtu siç vjen një ditë e madhe, ashtu siç vjen një festë e bukur, ashtu siç vjen një rilindje."
"Ne-tha Topi- e festuam këtë ngjarje së bashku me miqtë tanë. Ju e festuat këtë ditë me shumë dinjitet duke habitur jo vetëm skeptikët, por edhe kundërshtarët e pavarësisë. Ju treguat, që në çastet e para, se e meritonit këtë pavarësi historike, se meritonit përgjegjshmëri ndaj shtetasve tuaj dhe se meritonit partneritet ndaj aleatëve euroatlantikë dhe miqve të huaj."
Historia, theksoi Topi, më në fund, vendosi drejtësi, sepse përmbushi një vullnet, një aspiratë apo një ëndërr shekullore të një populli të shtypur; ajo shpërbleu shumë mund, djersë, gjak, dhimbje dhe sakrifica sublime; ajo nderoi shpirtin e një populli për të mos u përulur, revoltën e studentëve, Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrinë e saj, përpjekjet e liderit politik, Presidentit të ndjerë, Dr. Rugovës, veprën heroike të Adem Jasharit dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për të vendosur drejtësi.
Por kjo fitore, tha Topi, është vetëm përfundimi me sukses i një beteje të gjatë, lufta dhe sfida sapo ka filluar, ajo është thirrja për të ndërtuar paqen e mirëqenien e qëndrueshme dhe të ardhmen e sigurt të brezave.
"Shqipëria-theksoi Topi,- është e bindur se krijimi i shtetit të pavarur e sovran të Kosovës krijoi kushtet e nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të të gjithë shoqërisë kosovare, përfshirë perspektivën konkrete për integrimin sa më të shpejtë të saj në institucionet europiane dhe euro-atlantike. Vetëm një Kosovë e pavarur mund të ndërtojë një shoqëri demokratike, një shoqëri të lirë dhe të drejtë, një shtet ku pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo shtetas i saj është i sigurt në pronën dhe shtëpinë e tij, ku si të rriturit ashtu edhe fëmijët mund të projektojnë natyrshëm të ardhmen e tyre. Kjo nuk është vetëm bindja e Shqipërisë, kjo është bindja e besimi edhe i partnerëve tanë, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve fqinjë apo jo fqinjë, të cilat mbështetën procesin e pavarësimit, njohën në kohën e duhur shtetin e ri të Kosovës si realitet të ri gjeopolitik ne Ballkanin Perëndimor dhe së bashku me të, po mbështesin partneritetin e brendshëm dhe të jashtëm të këtij shteti sovran. Fakti që Kosovën e kanë njohur deri tani 53 vende me peshë në arenën ndërkombëtare e shtete të tjera pritet ta njohin së shpejti, është argumenti i pakundërshtueshëm se ky proces është sa i ligjshëm, aq edhe i pakthyeshëm, pavarësisht përpjekjeve apo ndërmarrjeve të jashtme apo të brendshme për të kundërshtuar këtë të vërtetë europiane."
Presidenti Topi theksoi ndër të tjera se, "Jam shumë i lumtur që Presidenti i Kosovës, Parlamenti i saj, Kryeministri dhe Kabineti qeveritar gjithëpërfshirës po tregojnë, nëpërmjet pjekurisë e kulturës së tyre shtetformuese dhe politikës së tyre rajonale e të fqinjësisë, se dëshirojnë në mënyrë të sinqertë të ecin përpara së bashku. Jam këtu t'ju pohoj se Shqipëria do t'ju mbështesë dhe do t'ju inkurajojë në këtë rrugë të përbashkët: në rrugën e integrimit euroatlantik!
Do të kishim dëshirë të madhe që kjo frymë integrimi të mbështetej edhe nga vendet e tjera fqinje të Kosovës, sidomos nga Serbia, e cila, në fakt duhet të interesohet për minoritetin serb në Kosovë, duke bashkëpunuar me institucionet e ligjshme të këtij shteti sovran dhe të pavarur, si për të rimëkëmbur besimin reciprok të bashkëjetesës ndëretnike, ashtu edhe për t'i nxitur ata të gëzojnë të drejtat politike, ekonomike e sociale, që ua garanton Kushtetuta e Kosovës. Respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve është parim universal. Ai duhet të jetë njëlloj i zbatuar sa në Shqipëri, aq edhe në Kosovë apo në Serbi, si në qendër të Shqipërisë, aq edhe në veri të Kosovës apo në Luginën e Preshevës."
"Unë besoj-tha Topi- se vullneti i palëkundur i autoriteteve të Kosovës, qëllimi e përgjegjësia e misionit bashkëpunues EULEX me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e KFOR-it nuk do të lejojnë që incidentet e dhunshme, të cilat jo vetëm mbjellin frikë e mosbesim në Mitrovicë, por edhe zgjojnë ëndërra të segmenteve të inkriminuara nacionaliste ballkanike, të sfidojnë qëllimet e larta të sovranitetit, të integrimit e të sigurisë jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të rajonit tonë."
"Shqipëria, së bashku me Kroacinë, do të bëhen shumë shpejt anëtare të Aleancës më të madhe të sigurisë dhe të demokracisë në botë, NATO-s duke shtrirë brezin e sigurisë dhe të zhvillimit në kufi me Kosovën. Shqipëria do të aplikojë së afërmi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian duke shtrirë vlerat europiane në zemër të rajonit tonë. Shqipëria dhe Kosova mund të japin shembullin e bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh dhe rajonal. Ne do të japim të gjithë përvojën tonë integruese dhe kapacitetet tona për të shpejtuar integrimin euroatlantik të Kosovës.", theksoi Topi.
Republika e Shqipërisë, tha ai, po kërkon përfshirjen dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në tryezat shumëpalëshe e rajonale ku flitet e vendoset për të ardhmen e rajonit, ku zëri i saj do të dëgjohej për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal apo sfidave drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s.
"Interesat e përbashkëta në shumë fusha, domosdoshmërisht kërkojnë një rritje të intensitetit në rrafshin e shkëmbimeve tregëtare e turistike, në fushën e investimeve reciproke dhe krijimin e një rrjeti unik të energjetikës si dhe në hapësirën e pafund të lidhjeve kulturore, arsimore e shkencore. Qeveritë e të dy vendeve i kanë të gjitha hapësirat që vullnetin politik ta kthejnë në programe serioze bashkëpunimi në interes të drejtpërdrejtë të shtetasve tanë si në lehtësimin maksimal të lëvizjes së tyre nga të dy anët e kufirit, duke shtuar pikat kufitare e doganore e duke rritur sigurinë e tyre, ashtu edhe në drejtim të nxitjes dhe orientimit të burimeve të tyre financiare drejt investimeve serioze, afatgjata, të qëndrueshme e të sigurta.", theksoi Presidenti Bamir Topi.
Ai u ndal edhe te Rruga Durrës-Morinë, "që është investimi më i rëndësishëm infrastrukturor i Shqipërisë moderne. Nëpërmjet kësaj arterieje do të lëvizë zhvillimi, siguria, mirëqënia dhe burimet njerëzore jo vetëm të Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe të vendeve të Europës Qendrore e Juglindore drejt porteve tona të Detit Adriatik për t'u bashkuar me korridoret e shpejta detare."







All the contents on this site are copyrighted ©.