2009-01-08 17:39:35

Benedikti XVI: Dhuna në Tokën e Shenjtë i shkakton vuajtje popullsisë civile


(08.01.2009 RV)“Dhuna e këtyre ditëve në Tokë Shenjte po i shkakton vuajtje mbi të gjitha popullsisë civile, prandaj është urgjente më shumë se kurrë që të kthehet,- me shtytjen e bashkësisë ndërkombëtare, - paqja në Rripin e Gazës. Kjo edhe pse rruga e luftës, nga çdo anë që ajo të vijë nuk është kurrë zgjidhja e problemit.” Këtë pohoi sot paradite Papa Benedikti XVI gjatë fjalimit me rastin e shkëmbimit të urimeve të vitit të ri me trupin diplomatik akredituar pranë Selisë Shenjte.
“Dua të përsëris prapë se rruga e luftës nuk është kurrë zgjidhja dhe se dhuna, nga çdo anë që të vijë e çfarëdolloj pamjeje të marrë, duhet dënuar pa mëdyshje." "Uroj, vijoi Papa Racinger, që me impenjimin e madh të bashkësisë ndërkombëtare, në Rripin e Gazës të rivendoset paqja, çka është e domosdoshme për t’i krijuar popullsisë kushte të pranueshme jetese, si edhe që të rinisin bisedimet e paqes duke hequr dorë nga dhuna, nga provokimet dhe nga përdorimi i armëve.”


Në Kajro arritën dy diplomatët izraelitë të ngarkuar për të biseduar me përfaqësuesit e qeverisë egjiptiane hollësitë e propozimit franko-egjiptian për një ndalim zjarri në Rripin e Gazës. Të dërguarit janë Shalom Turgeman, këshilltar politik i kryeministrit izraelit Ehud Olmert dhe funksionari i lartë i mbrojtjes Amosh Xhilad.







All the contents on this site are copyrighted ©.