2009-01-07 18:28:08

Solemniteti i Krishtlindjes për Kishat Lindore: Kirilli kryeson Meshën në Moskë.


(07.01.2009 RV)Kishat Lindore, që ndjekin kalendarin julian, e kremtuan sot solemnitetitin e Krishtlindjes. Në Moskë, në katedralen e Krishtit Shëlbues, mëkëmbësi i Patrikut të Kishës Ortodokse, metropoliti Kirill, kremtoi Meshën e Mesnatës në praninë e mijëra besimtarëve. Të pranishëm edhe presidenti Medvedjev si dhe nunci apostolik, imzot Antonio Menini, përfaqësues i Selisë së Shenjë pranë Federatës Ruse.
Riti u transmetua drejtpërdrejtë në television. Metropoliti Kirill i ftoi të gjithë të mos i humbasin shpresat, në sa mbarë bota tronditet nga kriza dhe iu lut Krishtit Fëmijë ta ndihmojë presidentin e vendit në këto kohë të vështira. Fjala ‘krizë’ - shpjegoi Kirilli - vjen nga greqishtja e do të thotë ‘gjykim’ . Sot duhen gjykuar disa sjellje, ndërmjet të cilave, kryesorja: dëshira për të pasur sa më shumë, me çdo kusht, duke i harruar vlerat e vërteta.
Besimtarët u prekën thellë kur u lexua mesazhi që Patriku Aleksej II kishte përgatitur për festat e fundvitit, para vdekjes së tij të papritur në fillim të dhjetorit. Kreu i ndjerë i Kishës Ortodokse Ruse kujtonte kremtimet e qershorit për 1020 vjetorin e përhapjes së krishterimit në Rusi, duke i ftuar besimtarët ta jetojnë këtë ngjarje të madhe, sa kishtatre, aq edhe historike, jo sipas vullnetit të tyre, por sipas atij të Hyjit. Në mesazh theksohej edhe se bota është përsëri e trazuar. Njerëzimi s’ka paqe. Në shumë vende derdhet gjak i pafajshëm e njerëzit kalojnë çaste tragjike. Prandaj besimtarët e krishterë ortodoksë duhet ta dëgjojnë zërin e Zotit e, duke ecur në rrugën e pajtimit e të paqes, të bëhen shembull për të gjithë ato vende, të cilat kërkojnë me ankth, dëshirë e shpresë, rrugën që çon në paqe e në përparim. Pastaj citonte fjalët e Serafinit të Sarovit: “Në qoftë se secili nga ne e ka shpirtin në paqe, paqja do të mbretërojë në të gjitha zemrat!”







All the contents on this site are copyrighted ©.