2009-01-07 17:55:20

Rripi i Gazës: 40 të vdekur në një shkollë të OKB-së. Mblidhet Këshilli i Sigurimit.


(07.01.2009 RV)RealAudioMP3 Forcat e armatosura izraelite ndërprenë sot për tri orë bombardimet mbi Rripin e Gazës. Kjo do të bëhet çdo ditë për të lejuar mbërritjen e ndihmave humanitare. Që nga fillimi i sulmeve, janë vrarë 680 palestinezë e janë plagosur rreth 3 mijë të tjerë. Sipas organizatës “Save the children”, ndër ta edhe 100 fëmijë. Nuk mungojnë as raketat palestineze, të cilat janë hedhur në qytetet izraelite të Ashdodit, Ashkelonit dhe Sderotit.
Ndërkaq, në planin politik, palët po diskutojnë mbi propozimin e presidentit egjiptian Mubarak dhe të homologut francez, Sarkozì mbi armëpushimin në Gazë. Tel Avivi e ka shtyrë marrjen e vendimit për fazën e tretë të operacionit “Plumbi i shkrirë”, ndërsa Evropa dhe SHBA-të duket se janë në favor të planit Mubarak-Sarkozì. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nga ana e tij, u mblodh po sot për çështjen e Lindjes së Mesme. Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-Mun kritikoi ashpër qëndrimin izraelit, sidomos sulmet kundër strukturave të OKB-së në Gazë, dhe lajmëroi se javën e ardhshme do të shkojë në zonë. Bashkësia ndërkombëtare vazhdon të shprehë dyshime mbi masakrën e shkollës së Zhabalasë, ku bombardimet izraelite shkaktuan dje vdekjen e 40 civilëve. Të dëgjojmë korrespondentin e gazetës italiane “Corriere della Sera”, Françesko Batistini, me telefon nga Jeruzalemi:
OKB-ja ngul këmbë se nuk është i vërtetë versioni i ushtrisë izraelite, sipas të cilit në shkollë kishte milicë të Hamasit, dhe kërkon një hetim ndërkombëtar të pavarur për të sqaruar faktet. Izraeli insiston, thotë se shkolla ishte strehim për terroristët; në të vërtetë, mbetet vetëm shkandulli i vrasjes së kaq shumë civilëve, grave e fëmijëve. Nga ana tjetër, Izraeli, por edhe shumë organizata jo qeveritare, denoncojnë se në xhami, shkolla, spitale, civilët përdoren si mburojë për milicët e Hamasit.
Diplomacia ndërkombëtare është vënë në lëvizje prej ditësh. Sa shpresë ka që plani Mubarak-Sarkozì të pranohet e të arrihet armëpushimi?
Shpresat janë akoma të pakta; është e vërtetë se ka një gatishmëri maksimale nga ana e Hamasit për të pranuar planin, por akoma nuk kanë folur krerët e tij. Nga pala izraelite, nuk kemi akoma qëndrime zyrtare, megjithë deklaratat e Olmertit e hapjen e një korridori humanitar. Me sa dihet deri tani, marrëveshja parashikon një rrugëdalje për të mos poshtëruar Hamasin e nga ana tjetër, dhënien e garancive për Izraelin, se do të kontrollohet kufiri i Rafahut, sepse ai përbën problemin kryesor. Krejt operacioni ushtarak është bërë për të ndaluar hedhjen e raketave, të cilat vijnë nga Sudani, përshkojnë Egjiptin e hyjnë në Gazë. Interesi i Izraelit është të bllokojë këtë trafik e pra, ta mbyllë këtë tunel.
Presidenti i Karitasit Ndërkombëtar, kardinali Oskar Rodrigez Maradiaga, në një komunikatë, pohon se lufta nuk mund të jetë e justifikueshme për askënd. “Argumentimet mbi sulmet sipas nevojave – deklaron prelati i lartë – janë moralisht të neveritshme, para jetës së fëmijëve të pafajshëm”. Karitasi Ndërkombëtar e Kryqi i Kuq kërkojnë prej ditësh të hyjnë në Rripin e Gazës për të ndihmuar popullsinë. Mbi gjendjen në vend, të dëgjojmë komisarin e jashtëzakonshëm të Kryqit të Kuq Italian, Françesko Roka:
Mungon gjithçka: mungojnë ushqimet, ilaçet, batanijet… Prej vitesh impenjohemi, sëbashku me Gjysëmhënën palestineze, në një projekt për të miturit. Ndihmojmë rreth 9 mijë të mitur në vit për të kapërcyer traumat e luftës. Natyrisht puna do të rritet, por për momentin është ndërprerë. I deleguari ynë është në Ramallah e nuk mund të hyjë në Gazë. Nuk kemi lajme, nuk funksionojnë kontaktet telefonike e jemi të shqetësuar në kulm.
Ndërkaq, megjithë luftimet në Gazë, gjatë festave të Krishtlindjes, shumë besimtarë kanë shkuar në Tokën Shenjte. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Rripin e Gazës, ku dje, bashkësia katolike festoi Dëftimin e Zotit e sot ortodoksët festuan Krishtlindjen. Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala u përshëndet si zakonisht nga palestinezë e izraelitë, në shtegtimin e tij drejt Betlehemit, por kësaj radhe, në heshtje të plotë. Të dielën e kaluar, me iniciativën e 13 krerëve fetarë të Kishave në Jeruzalem, dita iu kushtua krejtësisht lutjes për paqen në Gazë.








All the contents on this site are copyrighted ©.