2009-01-07 17:56:08

Dialogu ndërfetar ndërmjet bilancit e perspektivave: intervistë e ‘L’Osservatore Romano’ me kardinalin Toran


(07.01.2009 RV)RealAudioMP3 Në një intervistë të gjatë, dhënë gazetës vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, bën bilancin e ballafaqimit ndërmjet feve, në mënyrë të posaçme ndërmjet katolikëve e myslimanëve, gjatë vitit 2008 dhe shpjegon perspektivat për vitin e ri. Përsa i përket mundësive të dialogut teologjik me Islamin, kardinali kujton se në ‘Dominus Iesus’, deklaratë mbi unicitetin e universalitetin shëlbues të Jezusit e të Kishës, bëhet dallim ndërmjet fesë teologale (kuptuar si pranim i së Vërtetës së zbuluar nga Hyji si Njëní e si Triní) e besimeve të pranishme në fetë e tjera. Kujtohet se, për vijimin e qetë të dialogut me fetë që besojnë në një Zot të vetëm, është e nevojshme të theksohet epiteti ‘monoteiste’ – por duke pasur parasysh se të krishterët, në krahasim me besimtarët e tjerë, kanë marrëdhënie të ndryshme me Hyjin e me Shkrimet e Shenjta. Krishterimi nuk është ‘feja e Librit (e Biblës) por feja e Fjalës, që është Vetje, është Jezusi. Megjithëkëtë, është plotësisht i mundshëm ballafaqimi me fetë e tjera lidhur me temat e Krijimit, të jetës, të familjes, lutjes, agjërimit e jetës së pasosur. Në vitin 2008, sipas kardinalit Toran, janë arritur shumë fitore, sidomos në marrëdhëniet e besimtarëve të feve të ndryshme, në mirëkuptimin ndërmjet tyre, gjë që ka ndikuar edhe në krijimin e një atmosfere më të ngrohtë në takimet me përfaqësuesit e besimtarëve të feve të tjera, që janë zhvilluar në frymën e respektit reciprok, të përzemërsisë e të dialogut të vërtetë, që nuk i trembet këndvështrimeve të ndryshme. Në intervistë kujtohet edhe polemika që pasoi Letrën e Benediktit XVI drejtuar senatorit Marçelo Pera për librin e tij “Pse duhet të quhemi të krishterë?”, lidhur me pohimin se Papa e mohon mundësinë e dialogut me fetë. Për ta sqaruar këtë, kardinali Toran citon fjalët e Benediktit XVI në fillim të papnisë e tij: “Kisha dëshiron të vijojë ndërtimin e urave të miqësisë me ndjekësit e të gjitha feve, me qëllim që t’i shërbejë së mirës së vërtetë të çdo njeriu e të shoqërisë, në tërësinë e saj”. E ndonjë muaj më pas, përballë bashkësisë myslimane të Gjermanisë, Papa i ftoi Islamin dhe Përendimin të dialogojnë për të gjetur drejtpeshimin e fesë që nuk shkëputet nga arsyeja dhe theksoi: “Dialogu ndërkulturor dhe ai ndërmjet dy feve tona, nuk mund të kufizohet vetëm me disa takime, është nevojë jetike, nga e cila varet në një masë të madhe vetë ardhmëria jonë”.
Më kritike fjalët e kardinalit Toran për marrëdhëniet me hinduistët, sepse me ta “më shumë se me një konflikt të natyrës fetare, kemi të bëjmë me një problem të tipit shoqëror e politik”. Katolikët qortohen se punojnë për emancipimin shoqëror, por Kisha vendase do të vijojë ecjen në rrugën e dialogut, duke u kërkuar krerëve hinduistë të respektojnë lirinë fetare e atë të ndërgjegjes; ndërsa krerëve politikë, garancinë për krijimin e kushteve të sigurisë fizike të qytetarëve dhe impenjimin konkret kundër diskriminimit e racizmit. Më pas kardinali Toran kujton ndihmesën që dha Sinodi i Ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Hyjit për dialogun ndërfetar, duke vënë në dukje se pasuria shpirtërore e feve jo të krishtera ka vlerë për të gjithë. Më 2009, përveç tjerash, do të mbahet Asambleja e posaçme e Sinodit të Ipeshkvijve për Afrikën, në të cilën do të krijohen mundësitë për të analizuar mesazhin që i përcjellin Kishës e botës fetë tradicionale afrikane.
Nga këto takime kardinali pret shumë. Pa harruar vështirësitë e dyshimet Hirësia e Tij mendon se fetë, pavarësisht nga mëkatet e ndjekësve të tyre, janë të thirrura të jenë shkolla të humanizmit e të vëllazërisë. Të dialogosh me prijësit e tyre, është gjithnjë përvojë shpirtërore, që të ndihmon të zbulosh se liria fetare e bashkëjetesa e harmonishme janë kushte të domosdoshme për ndërtimin e kombeve e të miqësisë ndërmjet popujve.E, kujtojmë, ndërmjet takimeve të para të vitit të ri, pritet shumë nga ai i komitetit të përbërë për dialogun ndërmjet Këshillit Papnor e al-Azhar, që do të mbahet në Romë, më 24 e 25 shkurtin e ardhshëm, për të kujtuar vizitën e Gjon Palit II në al-Azhar më 24 shkurt të vitit 2000.







All the contents on this site are copyrighted ©.