2009-01-06 18:10:49

Procesioni tradicional “Rroftë Befana” 2009


(06.01.2009 RV)RealAudioMP3 Ati i Shenjtë përshëndeti edhe procesionin tradicional ‘Rroftë Befana 2009,” që gjallëroi edhe sivjet Solemnitetin e Dëftimit të Zotit në Romë e në Vatikan. Procesioni “Rroftë Befana”, manifestim historik, lindi në vitin 1986, për të kërkuar rikthimin e festës së Ujit të Bekuar, që ishte shlyer nga kalendari civil.
Në rrjedhë vitesh procesioni ‘Rroftë Befana’ është bërë çast festiv, pa të cilin nuk mund të kuptohet Festa e madhe, që përmbyll pothuajse të gjitha festat e dimrit. Çdo vit rreth njëqind mijë vetë marrin pjesë në manifestimin, i cili lë mbresa të pashlyera në kujtesën e atyre që marrin pjesë e atyre që ndjekin shpalosjen e figurave. Të duket sikur gjithçka del nga kapakët e librave, që flasin për kështjella e kështjellarë, për shenjtorë gjysëm legjendarë e për fenomene kozmike misterioze. Manifestimi vlerësohet nga të mëdhenj e të vegjël për aftësinë e zgjedhjes së skenave plot fantazi, që vijnë njëra pas tjetrës si një shpërthim ngjyrash e tingujsh, duke gërshetuar me art elemente fetare e fokloristike, në njërën nga festat më të rëndësishme e më domethënëse të krishterimit.
Për të paraqitur karakterin universal të lindjes së Krishtit, që u dëftohet mbarë popujve të tokës, çdo vit në Romë arrijnë nga vise të ndryshme të Italisë, tre Mbretërit Dijetarë, me veshjet e tyre plot salltanet e me dhuratat, ndjekur nga grupet folklorisitike e nga figura, që të kujtojnë ngjarje të ndryshme historike, nga banda muzikore, kuaj e figura të tjera tipike të vendit organizator. Sivjet, pjesëmarrësit e procesionit ‘Rroftë Befana’ erdhën nga Asizi, duke sjellë me vete një copëz të historisë së tyre e të traditave tipikisht françeskane të qytetit të tyre, shpallur nga UNESKO pasuri e njerëzimit. Një pjesë të kësaj pasurie pati fatin ta ndjekë, me figura të gjalla, turma vigane e njerëzve, që ishte rradhitur në të dyja anët e Rrugës së Pajtimit e kishte mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit.
Procesioni historiko-folklorik nisi parakalimin nëpër Rrugën e Pajtimit që nga ora 11. 00. Në orën 12. 00 arriti në Sheshin e Shën Pjetrit, ku pjesëmarrësit ndoqën Lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Sheshi u mbush plot me 1500 pjesëmarrësit, nga të cilët, 12 bashkëvëllazëri historike, disa banda muzikore, dhjetra kuaj, karroca e auto epokale, skena me flamuj e parulla, 10 poetë që komentonin me zë të lartë pamjet e ndryshme gjatë parakalimit, e sa e sa skena të tjera vërtetë të paharrueshme, që të kujtojnë praninë e Krishtit në historinë e të gjitha epokave. Shumica mbanin në duar degë ulliri, simbol i asaj paqeje ndërmjet njerëzve, për të cilën erdhi në botë Princi i Paqes.Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Tre Mbretërit Dijetarë, të shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Asizit, Klaudio Riçi, i dorëzuan Papës dhuratat simbolike, rrethuar nga një mori flamujsh, simbol i popujve që shkojnë të takohen me Krishtin. Ndërmjet tyre spikatën ngjyrat e ndezura kuq e zi të flamurit kombëtar të shqiptarëve, mbi supet e mërgimtarëve, një copëz e rëndësishme e historisë sonë kombëtare, dhuratë për Foshnjën e Grazhdit.







All the contents on this site are copyrighted ©.