2009-01-06 18:10:29

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, thirrja e Papës për paqe në Tokën Shenjte dhe për mbrojtjen e fëmijëve.


(06.01.2009 RV)RealAudioMP3 Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kushtuar armiqësisë me të cilën e priti Jezusin Herodi – armiqësi që çoi në masakrimin e fëmijëve të pafajshëm – Benedikti XVI u drejtoi urimet më të përzemërta vëllezërve e motrave të Kishave Lindore, që ndjekin kalendarin Julian e do ta kremtojnë nesër Krishtlindjen. E mendimi i Papës nuk mund të mos shkonte në Tokën Shenjte e në Lindjen e Mesme, që vijojnë të tronditen rëndë nga vringëllima e armëve:

“Vijoj të ndjek me shqetësim të thellë ndeshjet e rrepta të armatosura, që zhvillohen edhe në këtë çast në Rripin e Gazës. Ndërsa ripohoj se urrejtja e mospranimi i dialogut çojnë vetëm në luftë, inkuarjoj nismat dhe përpjekjet e të gjithë atyre që, duke pasur për zemër paqen, po bëjnë çmos t’i ndihmojnë izraelitët e palestinezët të ulen rreth tryzës e të bisedojnë. Zoti u dhëntë forcë këtyre ndërtuesëve të paqes t’i vijojnë përpjekjet e tyre”.

 
Më pas Papa foli për Ditën Misionare të Fëmijëve, që kremtohej sot, duke kujtuar fëmijët të cilëve u mohohet fëmijëria në shumë vende të botës, posaçërisht në Republikën e Kongos, ku mijëra fëmijë janë viktima të rrëmbimeve të përgjakshme. U bëj thirrje – theksoi Ati i Shenjtë - autorëve të këtyre mizorive çnjerëzore:

“T’ua rikthejnë fëmijët familjeve të tyre e t’u krijojnë një ardhmëri sigurie e zhvillimi, për të cilën kanë plotësisht të drejtë, së bashku me këto popullsi të dashura”.

 Papa kujtoi në përfundim edhe se në vitin 2009 përkujtohet 20-vjetori i Konventës për të Drejtat e Fëmijës, një impenjim që bashkësia ndërkombëtare duhet ta vijojë, duke mbrojtur e promovuar jetën e fëmijëve në mbarë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.