2009-01-05 18:23:15

Vazhdojnë ndeshjet në Rripin e Gazës. Gjendja humanitare, dramatike.


(05.01.2008 RV)RealAudioMP3 Dita e dhjetë e ofensivës izraelite në Rripin e Gazës. Mëse 30, objektivat e reja të goditura natën e kaluar nga Aviacioni me Yllin e Davidit. Trupat tokësore kanë rrethuar tashmë krejt enklavën palestineze. Luftime të ashpra ndërmjet tyre dhe milicëve të Hamasit vazhdojnë në të gjithë territorin. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak ka paralajmëruar se fushata do të vazhdojë, pasi akoma nuk është arritur qëllimi kryesor, ai i sigurimit të banorëve hebrenj nga raketat që hedh Hamasi.
Sipas të dhënave të fundit, kanë humbur jetën rreth 527 palestinezë, ndër ta mëse 90 fëmijë, pesë prej të cilëve gjatë paradites së sotme. Të plagosurit e kanë kaluar shifrën 2.500. I vetmi lajm i mirë është autorizimi i kalimit të një karvani me kamionë, që çuan ndihma humanitare në Rripin e Gazës. Tel Avivi ka lejuar gjithashtu furnizimin me karburant e gaz dhe daljen nga territori të palestinezëve, që kanë pasaportë të huaj.
Ndërkaq, shumëfishohen iniciativat diplomatike. Presidenti francez Sarkozì ndodhet sot në Egjipt, ku gjeti edhe delegacionin e Bashkimit Evropian e të dërguarin e veçantë të Rusisë. Hamasi, nga ana e tij, shpalli se “fitorja është afër”, por nga ana tjetër, pranoi ftesën egjiptiane për të dërguar në Kairo një delegacion. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolica Rajs ka anulluar udhëtimin e saj në Kinë, pasi është e impenjuar në frontin e Lindjes së Mesme. Egjipti ka parashikuar një plan me katër pika për të dalë nga kriza, ndërsa shtetet arabe do të paraqesin një rezolutë të re për Lindjen e Mesme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Gjendja në Gazë mbetet e rëndë. Për popullsinë, është gjithnjë e më e vështirë të gjejë ushqim, të shkojë tek mjeku, apo t’u drejtohet organizatave humanitare. Serxho Çekini, i Mjekëve pa Kufi, përshkruan situatën në mikrofonin tonë:
Situata është dramatike, si për nevojat humanitare, por sidomos për faktin se Rripi i Gazës është ndarë më dysh dhe zhvendosja është praktikisht e pamundur, me rrezik jete. Ata që e vuajnë më tepër këtë janë të moshuarit, që kanë sëmundje kronike, dhe fëmijët nën pesë vjeç. Që prej tri ditësh po përpiqemi të dërgojmë një skuadër kirurgësh në Gazë, por akoma nuk na kanë dhënë lejen. Burokracia është e ngadalshme, absolutisht e paaftë t’u përgjigjet nevojave. I kemi transformuar spitalet në klinika të vogla të lëvizshme, shpërndajmë ilaçe e shkojmë shtëpi më shtëpi për të dhënë ndihmën mjekësore më të domosdoshme. Shumë palestinezë, që punojnë me ne, e kanë paguar me jetë, ndihmën e tyre për popullsinë. Këto bombardime, që paraqiten si kirurgjikale, bëhen në një nga zonat me popullatë më të dendur në botë, prandaj kushdo që lëviz është në rrezik.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.