2009-01-05 19:09:32

Papa në Engjëllin e Tënzot për situatën në Gazë: lufta e urrejtja nuk i zgjidhin problemet!


(05.01.2009 RV)RealAudioMP3 Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar dje në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI bëri përsëri thirrje për paqe në Tokën Shenjte. I ftoi, më pas, besimtarët ta kundrojnë misterin e Lindjes së Krishtit, për të gjetur kuptimin e jetës së tyre.Benedikti XVI bashkoi zërin me patrikët dhe krerët e Kishave të krishtera të Jeruzalemit, të cilët dje i ftuan besimtarët të luten për përfundimin e konfliktit në Rripin e Gazës dhe për të kërkuar drejtësi e paqe në këto troje të martirizuara. Ati i Shenjtë kujtoi me dhimbje edhe viktimat, të plagosurit, të gjithë ata, të cilët e kanë zemrën e copëtuar e jetojnë në ankth e tmerr, që Zoti t’i bekojë duke u dhënë hirin e ngushëllimit, të duresës e të paqes së Tij:

“Lajmet dramatike që arrijnë nga Gaza, tregojnë se mospranimi i dialogut çon në situata, të cilat peshojnë rëndë mbi popullsitë, përsëri viktima të urrejtjes e të luftës. Lufta e urrejtja nuk mund t’i zgjidhin problemet. E vërteton këtë edhe historia e kohëve të fundit. Të lutemi, prandaj, që Foshnja e grazhdit t’i frymëzojë autoritetet dhe udhëheqësit e të dyja fronteve, izraelit e palestinez, të ndërhyjnë pa vonesë, për t’i dhënë fund gjendjes tragjike aktuale”.

 
E në vijim Papa i ftoi besimtarët që, pas zhurmës së ditëve të kaluara e vrapit për të blerë dhuratat, të kundrojnë misterin e Lindjes së Krishtit, për ta lidhur sa më ngushtë me kuptimin e jetës. Duke shpjeguar Prologun e Ungjillit të Shën Gjonit, Benedikti XVI nënvizoi se ungjilltari e pa me sytë e tij ngjarjen e re, të pashembullt, të pakapshme për mendjen njerëzore, të lindjes së Zotit mes nesh:

“Nuk është fjala e urtë e një rabini a e një dijetari të ligjit, por dëshmia e apasionuar e një peshkatari të përvujtë që, i tërhequr nga Jezusi i Nazaretit, gjatë tri vjetëve që kaloi pranë tij e pranë apostujve të tjerë, provoi dashurinë e Zotit deri në atë masë, sa të vetëquhej ‘dishepulli që Jezusi e donte”. E pa duke vdekur në kryq e duke u rishfaqur i ngjallur e mori, pastaj, me të tjerët, Shpirtin e Tij. Nga gjithë kjo përvojë, që e meditoi në zemër të vet, Gjoni arriti në përfundimin e sigurtë: Jezusi është Dituria e Hyjit të mishëruar, është Fjala e Tij e amshuar, që u bë njeri i vdekshëm”.

 
Për një izraelit të vërtetë, që i njeh me themel Shkrimet e Shenjta – shtoi Papa – gjithë kjo jo vetëm që nuk i kundërvihet Besëlidhjes së Vjetër, por përkundrazi: në Jezu Krishtin përmbushet plotësisht misteri i një Hyji, që u flet njerëzve si t’i kishte miq:

“Çdo burrë e çdo grua ka nevojë të gjejë kuptimin e thellë të jetës së vet. Por për këtë nuk mjaftojnë librat, madje as Shkrimet e Shenjta. Foshnja e Betlehemit na dëfton e na komunikon ‘fytyrën’ e vërtetë’ të Hyjit të mirë e besnik, që na do e nuk na braktis në jetë, as në vdekje”.

 
E para që ia hapi zemrën e e kundroi ‘Fjalën që u bë njeri” – nënvizoi Papa – qe Maria, Nëna e Jezusit:

“Një vajzë e thjeshtë e Galilesë u bë kështu ‘Selia e Dijes”! Ashtu si Shën Gjoni Apostull, secili nga ne është i ftuar “ta marrë me vete” (Gv 19,27), për ta njohur më thellë Jezusin e për të shijuar dashurinë e tij besnike e të pashterrshme. E këtë uroj për secilin nga ju, të dashur vëllezër e motra, në fillim të këtij Viti të ri”.

 
Në përfundim të Lutjes, Papa iu drejtua pjesëmarrësve të Kongresit ndërkombëtar me temë “Sistemi parandalues i Dom Boskos dhe të drejtat e njeriut”, organizuar nga salezianët, temë shumë e rëndësishme – nënvizoi Ati i Shenjtë – sepse edhe në fushën e të drejtave të njeriut, aspekti edukativ është vendimtar. Së fundi Papa përshëndeti seminaristët e shumtë, ardhur nga vende të ndryshme, për një takim të Lëvizjes së Fokolarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.