2009-01-05 19:09:45

Në prag të takimit botëror të familjeve, në Qytetin e Meksikos


(05.01.2009 RV)RealAudioMP3 Pas pak ditësh, e pikërisht më 13 janar, në Qytetin e Meksikos do të fillojnë punimet e takimit të gjashtë botëror të familjeve. Tema e këtij takimi, që do të përfundojë më 18 janar, është “Familja e edukon njeriun me vlerat njerëzore e kristiane”.
Në letrën, përmes së cilës emëronte kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, legat papnor për takimin në Qytetin e Meksikos, Papa kujton se prindërit janë edukatorët e parë e kryesorë të fëmijëve të tyre. Familja – nënvizon - është e thirrur të luajë rolin e vet edukativ në Kishë, duke marrë pjesë kështu në jetën e në misionin kishtar. E më pas kujton shembullin e pesë familjeve shenjte. Së pari, Shenjtorët Bazili e Emelia, që jetuan në Kapadokien e shekullit IV, dëshmitarë feje gjatë persekutimit në kohën e sundimit të perandorit Galerio Masimini e prindër të katër shenjtorëve: ipeshkvijve Bazili i Madh, Gregori i Nisës e Pjetri i Sebastes si dhe të Shën Makrinës, virgjër.
Pastaj Benedikti XVI kujton Shenjtorët Jordani e Silvia, që patën ndikim të fuqishëm mbi gjithë jetën e Shën Gregorit të Madh, papë.
Kujton edhe të Lumen Maria Tereza Ferragud Ruag, që pati katër vajza murgesha: të katërta të mbytura për shkak të urrejtjes kundër fesë gjatë luftës civile spanjolle, në vitin 1936. Nëna e tyre kërkoi të mbytej e fundmja, që t’u jepte zemër të bijave t’i qëndronin besnike Krishtit deri në fund të fundit. E të gjitha vdiqën duke i falur vrasësit.
Në letrën papnore theksohet edhe shembulli i bashkëshortëve Beltrame-Kuatroki, që u shenjtëruan duke jetuar si të krishterë të vërtetë me dashuri për njëri-tjetrin e për katër fëmijët, që u fali Zoti, që të katërt të thirrur për jetë rregulltare.
Së fundi Papa kujton prindërit e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, të Lumët Luigji Martin e Zelia Guerin, të cilëve iu desh të kalonin prova shumë të vështira. Patën nëntë fëmijë: katër u vdiqën në moshë të njomë, të tjerët u prekën nga sëmundje të rënda fizike e psikologjike. Shën Terezina thoshte: “Më mjafton të shikoj babain e nënën, për ta kuptuar si luten Shenjtorët”.Por cilat janë qëllimet e këtij takimi botëror të familjeve, që do të mbahet në Qytetin e Meksikos. Përgjigjet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen:

Përgjigje: - Objektivat janë me drejtim kishtar, drejtpërdrejtë kishtar, objektiva me karakter shpirtëror, si favorizimi i formimit, i lutjes, i pranimit të përgjegjësive që ka familja e krishterë, edhe me kuptimin misionar të kësaj fjale. Pas Sinodit kushtuar Fjalës së Hyjit, e atij të Aparesidës për Amerikën Latine me temë “Dishepuj e misionarë” , ne duam t’i ftojmë familjet e krishtera të jenë më shumë dishepulle e më shumë misionare. Pastaj kemi edhe drejtimin civil: në takim janë të ftuar edhe shumë përfaqësues të politikës, nga mbarë bota, e kjo me qëllim që të favorizohet kultura, ndjeshmëria politike, e cila mbron familjen, familjen e vërtetë, të themeluar mbi martesën, që i do fëmijët e merret me edukimin e tyre. Në shumë vende, një nga problemet më dramatike është pakësimi i vazhdueshëm i numrit të popullsisë. Familje pa djepa, djepa bosh! Duam, prandaj, ta vemë këtë problem në qendër të vëmendjes të të gjithëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.