2009-01-05 18:23:44

Hipokrizia e vendeve të pasura: lëmoshë e armë për vendet e varfëra


(05.01.2008 RV)RealAudioMP3 Viti 2009 ka filluar pra me dhunë në shumë vende të botës. Gaza, Iraku, Afganistani, Sri Lanka, Kongo, Somalia, Sudani janë territore ku lufta e varfëria krijojnë një rreth vicioz, nga i cili duket sikur është e pamundur të dilet. Papa Benedikti XVI na ka treguar një rrugë: të ndërtojmë paqen duke luftuar varfërinë. Të dëgjojmë për këtë Mario Maracitin, zëdhënësin e Bashkësisë së Shën Egjidit:
Më duket se prej shumë vitesh mendohet se lufta është një zgjidhje normale, e zakonshme, por lufta është e tmerrshme, një humbje pasurish e shkatërrim jetësh njerëzore. Krerët politikë imagjinojnë me vështirësi paqen e pajtimin, e po ashtu edhe programet e riekulibrimit botëror. E vërteton këtë mundi që duhet për të gjetur burime për solidaritetin ndërkombëtar. E gjithë kjo ndodh, sepse ekziston një vizion afatshkurtër për të ardhmen. Duhet ta kuptojmë se nga krizat, ose dalim të gjithë sëbashku, ose krijohet një botë me bunkerë, me vende që ndihen të rrethuar nga të varfërit, ku të varfërit rrezikojnë të shihen si armiq, ku ndjenja e frikës është në rritje. Kemi nevojë për shpresë, e Papa, me inteligjencë, na tregon rrugën: të bashkojmë temën e paqes me temën e luftës kundër varfërisë. Kjo është rruga për gjetjen e një ekuilibri të ri në botë.
Pas çdo lufte është etja për para e pushtet, një ekonomi mbizotëruese, që shpesh vë maskën e solidaritetit. Të dëgjojmë kardinalin Renato Rafaele Martino, president i Këshillit Papnor “Drejtësi e paqe”:
Shqetësimi i vetëm për të fituar nuk është i moralshëm, nuk është etik, pasi kapitali, ndërmarrja nuk duhet të shërbejë vetëm për t’u pasuruar, por duhet të ketë vlerë shoqërore. Ato vende që thonë se duan të ndihmojnë vendet në zhvillim, janë të parat që u shesin armë. Prandaj, nuk duhet ndihmuar me idenë e dhënies së lëmoshës, por duhet bashkëpunuar për t’u dhënë mundësinë vendeve në zhvillim që të bëhen protagonistë të së ardhmes së tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.