2009-01-02 18:13:46

Presidenti Italian Napolitano i shkruan Papës: jam njëmendjeje me Ju për urgjencën e politikave, që u rikthejnë dinjitetin të varfërve.


(02.01.2008 RV)RealAudioMP3 Një letër, përmes së cilës ‘shprehet vlerësimi i thellë për afërsinë njerëzore e ftesën për të shpresuar, me të cilat Benedikti XVI – në mënyrë të veçantë në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes - vlerësoi plagën e varfërisë dhe krizën ekonomike botërore. Këtë letër ia dërgoi dje Papës, Presidenti i Republikës italiane, Gjorgjio Napolitano i cili, ashtu si Benedikti XVI, mendon se është më se e nevojshme që politika të vihet në shërbim të përmirësimit të nivelit të jetesës së një numri tepër të madh njerëzish, që përjashtohen nga proceset e zhvillimit ekonomik. E këtë përkim mendimesh me Benediktin XVI, kreu i Shtetit italian e ripohoi nga Napoli, duke theksuar: “Unë e Papa flasim nga tribuna të ndryshme, por me një gjuhë të ngjashme”.
E për rrugët në të cilat duhet ecur për të përballuar varfërinë, flet në mikrofonin e Radio Vatikanit, kryeipeshkvi i Peskara-Penne, Imzot Tomazo Valentineti, kryetar i ‘Pax Christi’:

Përgjigje: - Besoj se më shumë se asnjëherë, në këtë çast duhet ta kemi mirë parasysh se varfëria është realitet, që nuk mund të harrohet në asnjë mënyrë. Jugu i botës e Veriu i botës ballafaqohen e nga ky ballafaqim del në pah realiteti i hidhur i jetesës së disa njerëzve, që fundosen gjithnjë më thellë në mjerim. E nuk duhet harruar edhe se paqja është një e mirë jashtëzakonisht e madhe, që lind sidomos nga një jetë e qetë. Lind nga jeta e njerëzve që i gëzojnë të drejtat themelore – ndërmjet të cilave, së pari, më duhet të kujtoj të drejtën për të ngrënë çdo ditë. Në këtë këndvështrim, popujt e të ashtuquajturave ‘bota e tretë’ apo ‘ e katërt’, të cilëve u mohohen të gjitha të drejtat – nganjëherë mund të kthehen në depo baruti, në burime të rrezikshme dhune e konfliktesh, të cilat pastaj nuk dëshirojmë as t’i shikojmë, sepse na prishin qetësinë. E kam fjalën për konfliktet e harruara, që mund të bëhen papritmas shumë aktuale, sepse burime të gjalla terrorizmi e reagimesh të dhunshme. Që në enciklikën Populorum Progessio, Pali VI pohonte parimin e madh: emri i paqes, është ndarja e barabartë e burimeve natyrore; ndarja e barabartë e pasurive të tokës; e emri i paqes është edhe zhvillimi i barabartë i të gjithë popujve. Nuk bënte tjetër, veçse t’i hapte rrugën, disa vjet më përpara, tematikës që e bëri të vetën Benedikti XVI, duke e përfunduar në një mënyrë tepër të qartë Mesazhin e tij të Paqes 2009. Mbetet një e vërtetë e pakundërshtueshme aksioma, sipas së cilës, të luftosh kundër varfërisë, do të thotë të ndërtosh paqen.

Pyetje: - Papa, një një paragraf, kujton se, në këndvështrimin moral, meriton një vëmendje të dorës së parë lidhja ndërmjet çarmatimit e zhvillimit. Me fjalë të tjera, paqja ndërtohet duke investuar për zhvillimin e jo për prodhimin e armëve…

Përgjigje: - Në Mesazhin e parë që botoi Benedikti XVI, i sapozgjedhur papë, preku menjëherë argumentin e çarmatimit. Armatimet thithin energji e burime e këto dy aspekte të tjera të rëndësishme preken edhe në dokument. Papa flet edhe për hendekun teknologjik, përjashtimin nga flukset tregtare botërore dhe dinamikën e çmimeve, që i bëjnë edhe më të mëdha distancat ndërmjet Veriut e Jugut. Ekziston, pastaj edhe shqetësimi për sëmundjet pandemike, si malarja, tuberkulozi e Sida, të cilat bashkësia ndërkombëtare bën ende tepër pak për t’i luftuar. Problematika e Sidës është në qendër të vëmendjes së Papës, i cili kërkon që popujt e zhvilluar t’i ndihmojnë popujt e varfër për ta shëruar këtë plagë të tmerrshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.