2009-01-02 18:12:24

Dita e shtatë e bombave izraelite mbi Rripin e Gazës


(02.01.2009 RV)RealAudioMP3 Rifilluan sot sulmet izraelite në Rripin e Gazës nga njëra anë, e hedhja e raketave të Hamasit mbi territorin izraelit, nga ana tjetër. Tel Avivi ka lajmëruar të gjithë të huajt që banojnë në Gazë, të largohen menjëherë. Në frontin diplomatik, pritet shumë nga misioni evropian, që do ta ketë etapën e parë në Egjipt, të dielën, por pas deklaratave të Hamasit, i cili nuk i ka pranuar propozimet e Brukselit, gjendja nuk është shumë e qartë as në atë front. Sot, organizata islamike ka shpallur një “ditë tërbimi” (inati, furie) kundër Izraelit.
20, objektivat e fundit të shkatërruara në sulmet e operacionit “Plumbi i shkrirë”. Bilanci i viktimave, sipas palestinezëve, ka arritur në 420 të vdekur e 2180 të plagosur. Nga ana e tij, Hamasi nuk e ka ndalur hedhjen e raketave në qytetet izraelite të Negevit dhe të Ashkelonit. Qeveria e Tel Avivit është në gatishmëri edhe për të përballuar manifestime të mundshme të popullsisë arabe, pas protestave që janë zhvilluar në kryeqytete si Teherani, Kairo dhe Damasku. Tension i veçantë regjistrohet në Jeruzalemin Lindor, në zonën e Sheshit të Xhamive. Shteti hebraik dyshon se mund të rifillojnë sulmet kamikaze. Grumbullimi i tankeve dhe trupave në kufirin me Territoret palestineze bën që të rritet frika për një sulm tokësor nga ana e Izraelit. Të dëgjojmë opinionin e Françesko Batistinit, korrespondent në Izrael për gazetën italiane “Corriere della Sera”:
Dy sinjale erdhën mbrëmë: njëri nga Presidenti i Komisionit të jashtëm të parlamentit hebraik, i cili tha se tashmë vetëm orë na ndajnë nga operacioni tolësor, por asgjë s’mund të parashikohet në këtë situatë. Ndoshta, më domethënës është fakti se i është bërë thirrje ushtrisë izraelite dhe të gjithë të huajve që banojnë në Gazë, rreth 400 veprimtarë të organizatave jo qeveritare, që të largohen me shpejtësi nga Rripi. Ky më duket sinjali që flet më qartë.
Përse propozimet evropiane nuk u pranuan nga Hamasi? Po ashtu edhe shteti i Izraelit duket se mbetet në qëndrimin e vet, pa ua vënë veshin misioneve të Brukselit. Pse, sipas jush?
Sepse me Hamasin dialogu është ndërprerë. Ky është një vendim politik i marrë tashmë prej vitesh. Nga ana tjetër, përsa i përket Izraelit, ndihet negativisht mungesa e presidencës amerikane. Izraelitët vazhdojnë të thonë se opcioni i tyre është t’ia lënë pushtetin Hamasit në Rripin e Gazës, të paktën formalisht, gjithnjë vetëm nëse organizata ndalon hedhjen e raketave në territorin hebraik. Problemi është se qartas, Hamasi nuk ka ndërmend të ndalojë veprimtarinë e veta ushtarake, prandaj gjendja aktuale nuk lejon dialogun me drejtuesit e organizatës. Ndërmjetësimi i vetëm i mundshëm është ai egjiptian, e ndoshta në orët e ardhshme mund të luajë një rol vendimtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.