2009-01-01 17:57:52

Në Ditën e 42-të Botërore të Paqes, Papa e fton njerëzimin të luftojë kundër varfërisë.


(01.01.2008 RV)RealAudioMP3 Në solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit, që përkon me Ditën e 42-të Botërore të Paqes, duke kremtuar Meshën në Bazilikën e Vatikanit, Benedikti XVI bëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme, përshëndeti famullinë e vogël, por plot gjallëri të Gazës dhe i drejtoi mbarë njerëzimit ftesën për të luftuar kundër varfërisë.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, i ftoi të gjithë të mos e humbasin shpresën, përballë vështirësive e dështimeve, por të vijojnë me guxim ecjen përpara, duke u mbështetur në hirin e Hyjit.
Për të ecur në rrugën e paqes, njerëzit e popujt kanë nevojë të ndriçohen nga fytyra e Zotit e të bekohen nga emri i tij – theksoi Papa, i cili më pas ia besoi Zojës tragjedinë që vijon këto ditë në Lindjen e Mesme:

Asaj ia besojmë dëshirën e thellë për të jetuar në paqe, e cila del nga zemra e shumicës së popullsive izraelite e palestineze, të vëna përsëri në provën e dhunës masive, që shpërtheu në Rripin e Gazës, si përgjigje e një dhune tjetër”.

 
Edhe dhuna, edhe urrejtja e mosbesimi janë forma të varfërisë – madje ndoshta më të tmerrshmet, që duhen luftuar me të gjitha forcat, në se duam të jetojmë jetën e hirit të Zotit.
Këtë shpjegoi Papa, duke kërkuar:

"Që ato të mos marrin epërsi! Prandaj barinjtë e këtyre Kishave, në këto ditë të trishtuara, bënë t’u dëgjohej zëri. Së bashku me ta e me besimtarët e tyre të dashur, posaçërisht me ata të famullisë së vogël, por të zellshme të Gazës, i vëmë tek këmbët e Marisë shqetësimet tona për të sotmen e frikën për të nesërmen, por edhe shpresën e sigurtë se, me kontributin e urtë e largpamës të të gjithëve, nuk do të jetë e pamundur të dëgjohemi, të ndihmojmë e t’i japim përgjigje konkrete shpresës së shumicës për të jetuar në paqe, në siguri e me dinjitet”.

 
Duke kujtuar temën e mesazhit të tij për Ditën e sotme Botërore të Paqes, Papa ripohoi se varfëria i pengon njerëzit të jetojnë me dinjitet, fyen drejtësinë e barazinë e, si e tillë, nuk mund të mos e kërcënojë bashkëjetesën paqësore. Globalizimi – nënvizoi Benedikti XVI – i shemb disa mure, por krijon rrezikun të ndërtohen mure të reja, prandaj është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet e veçanta, të jenë gjithnjë vigjilentë, gjithnjë syhapur, përballë rrezikut të përhershëm të konfliktit, madje, mbi të gjitha, duhet të impenjohen ta mbajnë gjithnjë lart nivelin e solidaritetit. E, lidhur me këtë, Papa fton që edhe kriza ekonomike globale të shikohet si bankëprovë:

“A jemi gati ta lexojmë, në ndërlikimin e saj, si sfidë për të ardhmen, e jo vetëm si emergjencë, së cilës duhet t’i japin vetëm përgjigje të përkohshme? A jemi në gjendje të bëjmë së bashku një rishikim të thellë të modelit sundues të zhvillimit, për ta korrigjuar bashkërisht e me largpamësi? Këtë e kërkojnë, më shumë se vështirësitë e sotme financiare, gjendja ekologjike e Planetit e, mbi të gjitha, kriza kulturore e morale, simptomat e së cilës janë të dukshme prej kohe në të katër anët e botës”.

 
Benedikti XVI kërkon të luftohet kundër varfërisë së padrejtë, që i shtyp shumë burra e gra e që kërcënon paqen e të gjithëve, duke rizbuluar thjeshtësinë e jetesës e solidaritetin, si vlera ungjillore e njëkohësisht, universale. Më konkretisht – pohon Papa – nuk mund të luftohet me sukses mjerimi, në se nuk bëjmë atë, që shkruan Shën Pali në Letrën drejtuar Korintianëve, dmth në se nuk bëjmë përpjekje për të siguruar barazinë, duke sheshuar hendekun ndërmjet atyre që bëjnë shpenzime të kota, e atyre që u mungon edhe buka e përditshme. Papa i fton të gjithë të meditojnë për ndryshimin ndërmjet “varfërisë së zgjedhur vullnetarisht’, të Lindjes së Krishtit në Betlehem, shkollë jete për çdo njeri, e ‘varfërisë që duhet luftuar”, asaj varfërie që i pengon njerëzit e familjet të jetojnë me dinjitet. Varfëria, në vetvete, nuk është vlerë – tha Papa – por është kusht për të realizuar solidaritetin.

Më pas Benedikti XVI ftoi për të ecur në gjurmët e Krishtit, duke kujtuar fjalët e Koncilit II të Vatikanit për historinë tokësore të Jezusit, që arrin kulmin në misterin e Pashkëve. Është fillimi i një bote të re – tha Papa – sepse Krishti krijoi vërtetë njerëzimin e ri, të aftë për të bërë, gjithnjë e vetëm me hirin e Hyjit, një revolucion paqësor:

“Një revolucion jo ideologjik, por shpirtëror; jo utopik, por real; e për ta realizuar këtë, lipset duresë e pafundme, kohë nganjëherë të stërgjata, duke shmangur çdo prirje për t’i rënë shkurt e duke ecur në rrugën më të vështirë: rrugën që çon tek pjekuria e përgjegjësisë në ndërgjegjet njerëzore”.

 
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa u rikthye tek ky koncept, duke shpjeguar se Jezu Krishti nuk organizoi fushata kundër varfërisë, por u kumtoi të varfërve Ungjillin, për t’i shpëtuar plotësisht nga çdo mjerim moral e material. Të njëjtën gjë bën edhe Kisha, me veprimtarinë e saj të pandërprerë të ungjillëzimit e të ndihmesës për përparimin e njerëzimit.
Duke kujtuar traditën e mesazheve papnore për Ditën Botërore të Paqes, nisur që nga koha e Shërbëtorit të Zotit, Papës Pali VI, Benedikti XVI kujtoi titullin e mesazhit të tij: “Të luftojmë varfërinë, të ndërtojmë paqen” dhe shpjegoi se dëshiron ta vijojë dialogun me udhëheqësit e kombeve e të organizmave ndërkombëtare, duke dhënë kontributin e Kishës katolike për promovimin e një rendi shoqëror të denjë për njeriun:

“Në fillim të një vitit të ri, objektivi im i parë është pikërisht ftesa drejtuar të gjithëve, qeveritarë e qytetarë të thjeshtë, të mos i humbasin shpresat përballë vështirësive e dështimeve, por ta ripërtrijnë impenjimin e tyre. Gjysma e dytë e vitit 2008 – tha Papa – solli një krizë ekonomike me përmasa të mëdha; e një krizë e tillë duhet studiuar thellësisht, si simptomë e rëndë, që kërkon ndërhyrje për zhdukjen e shkaqeve”.

 
Më pas Ati i Shenjtë i dha zemër mbarë njerëzimit, me fjalë plot shpresë:
 
“Me hirin e Hyjit – e vetëm me të – mund të shpresojmë përsëri e gjithnjë se e ardhmja do të jetë më e mirë sesa e kaluara. Nuk bëhet fjalë për të besuar në një fat më të mirë, as për t’u mbështetur në ndërthurjet moderne të tregut e të financës, por për përpjekjen që të jemi ne vetë pakëz më të mirë e ta ndjejmë më shumë përgjegjësinë që na takon, që pastaj të mund të mbështetemi në dashamirësinë e Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.