Lindja e Mesme: Livni në Paris deklaron se në Gazë nuk ka emergjencë humanitare
(01.01.2009 RV)Vazhdon gjendja e rëndë në Lindjen e Mesme, pavarësisht nga
thirrja e Papës Benedikti XVI dhe impenjimi i liderëve botërore për armëpushim. Brukseli
kërkon që të ndërpriten sulmet ajrore të Izraelit, të cilat për gjashtë ditë me radhë,
kanë shkaktuar rreth 400 të vdekur e 2 mijë të plagosur. Ndër viktimat e sulmit të
sotëm edhe një nga eksponentët më të rëndësishëm të Hamasit, Nizar Rajan. Organizata
islamike kërcënoi se do të hakmerret. Në orën 16.00, u takuan në Paris, ministrja
e jashtme izraelite, Tzipi Livni dhe presidenti francez, Nikolas Sarkozì. Sipas Livnit,
nuk është e nevojshme të ndalen sulmet, për ndonjë emergjencë humanitare, pasi Tel
Avivi i ka shtuar karvanet me ndihma për Rripin e Gazës. Po sot, presidenca e Bashkimit
Evropian i kalon Republikës Çeke. Praga ka deklaruar tashmë se do të dërgojë një mision
diplomatik në Lindjen e Mesme. Delegacioni do të përbëhet nga ministrat e jashtëm
të Çekisë, Francës dhe Suedisë, si edhe nga Përfaqësuesi i Lartë Evropian për politikën
e jashtme, Havier Solana e Komisarja për Marrëdhëniet me jashtë, Benita Ferrero-Valdner.
Misioni do të përkojë me udhëtimin e presidentit francez Sarkozì, i cili të hënën
do të shkojë në Egjipt, Izrael e Çisjordani për të bërë presion që të arrihet armëpushimi
ndërmjet Izraelit e palestinezëve.