Kisha kremton Solemnitetin e Nënës së Zotit: koment i atë De Fiores
(01.01.2009 RV)Kisha kremtoi sot
Solemnitetin e Shën Marisë, Nënës së Zotit. Është ky, një titull shumë i lartë, shpallur
zyrtarisht në shekullin e pestë pas Krishtit, gjatë Koncilit të Efesit. Të dëgjojmë
atë Stefano De Fiores, monfortan: Titulli “theotokos”, që do të thotë “ajo
që ka lindur Zotin”, është i njohur shumë më parë se Koncili i Efesit i vitit 431,
kur u përdor nga Etërit e pranishëm për të kundërshtuar teoritë e Nestorit, i cili
pretendonte se Maria nuk ishte Nënë e Hyjnores. Në fakt, Maria nuk është Nëna e Hyjnores,
por Nëna e Vetjes, e tw vetmes Vetje të Birit të Zotit, që mishërohet pikërisht në
kraharorin e Virgjërës Mari. Prandaj, Maria ka marrëdhënie amësie me Vetjen hyjnore,
që është Biri i Zotit, meqenëse e ka lindur atë sipas natyrës njerëzore. Me fjalë
të tjera, është Nënë e Fjalës së mishëruar. Ç’do të thotë për ne që Maria
është Nëna e Zotit? Do të thotë se ne duhet të kemi një borxh të pashlyeshëm
me Të, pasi ajo vuri në zbatim karizmën më themelore, më të nevojshme për Kishën,
na dha Krishtin. Kjo detyrë është kaq e madhe, saqë për shën Agustinin, nëse amësia
e Marisë nuk është e vërtetë, të rreme janë edhe plagët e Mundimeve të Krishtit. Ne
nuk do të shpëtoheshim: pikërisht Maria qëndron në bazën e historisë së shpëtimit,
duke i pasë dhënë Krishtit një Korp, që Ai do të flijojë më pas në Kryq, për shpëtimin
tonë. Prandaj, ky mister është vërtet themelor. Nëse ne do të largoheshim nga ky mister,
atëherë Jezusi bëhet gati një meteorit, që vjen nga qielli në tokë pa nënë, pa atë
që e bën vëllain tonë dhe e fut në racën njerëzore, në fisin hebraik e në atë të krejt
njerëzimit. Solemniteti i Marisë, Nënës së Zotit bie në Ditën Botërore të
Paqes. Ç’lidhje ka shën Maria me paqen? Ekzistojnë lidhje të brendshme të Marisë
me paqen. Para së gjithash, Maria duke qenë Nëna e Jezusit është edhe nënë e paqes,
pasi siç na thotë Letra drejtuar Efesianëve: “Ai është paqja jonë”. Prandaj, Jezusi
identifikohet me paqen e atëherë, Maria, duke nxjerrë në dritë Jezusin, nxjerr në
dritë Princin e Paqes. Përveç kësaj, Maria është Nëna e Aleancës: dimë se Besëlidhja
e Zotit është Aleancë e paqes, prandaj, Maria, duke qenë grua e Besëlidhjes është
ajo që na ndihmon ta jetojmë këtë përmasë të paqes, e cila sot është kaq e nevojshme.
Maria na e çliron zemrën nga urrejtja, nga cmira, nga mentaliteti i “sy për sy e dhëmb
për dhëmb”, pasi Ajo na tregon Jezusin që thotë: “Të jeni veprimtarë të paqes”, pra
duhet të ndërtoni paqen, nëse doni të quheni me të vërtetë “Bij të Zotit”.