2009-01-01 17:59:26

365 ditë: "Pacem in Terris: Paqja mbretëroftë përmbi tokë!".


(01.01.2008 RV)RealAudioMP3 Në vitin 1963 tensioni ndërkombëtar arrin kulmin. SHBA e BRSS e ndajnë botën përgjysëm dhe e shikojnë plot mllef njëri-tjetrin. Një hap i vogël i gabuar nga njëra ose nga tjera palë do të mjaftonte për shpërthimin e Luftës III Botërore e cila, në tetor të vitit 1962, për pak sa s’filloi me të vërtetë. Bashkimi Sovjetik përgatitej të instalonte një bazë raketash në Kubë, aleate e superfuqisë komuniste. Por Kuba ndodhet vetëm pak kilometra larg brigjeve amerikane. SHBA e shikuan këtë si përgatitje për sulm. Shpallën, prandaj, gjendjen e jashtëzakonshme! Duhej të hynte në valle një diplomaci e madhe, për të ndaluar që aksidenti të kthehej në tragjedi. Shtete dhe personalitete të shumta u radhitën në mbrojtje të paqes. Ndërmjet tyre, Papa Gjoni XXIII.
Pak kohë më pas, në rrethana që vijojnë të tensionohen, Papa i mirë bën një gjest tjetër në shërbim të paqes. Më 11 prill 1963 i drejton botës enciklikën e tij të fundit ‘Pacem in Terris’ (Paqe mbi tokë). Për herë të parë, një enciklikë nuk u drejtohet vetëm anëtarëve të Kishës, por të gjithë njerëzve vullnetmirë. Papa mendon se çështja e paqes u përket të gjithëve: rregulltarëve e laikëve, politikanëve e etërve të familjeve. E provoi këtë shumë herë gjatë jetës së tij.
Gjoni XXIII është specialist në këtë fushë, ka kryer detyra të rëndësishme diplomatike në Bullgari, Turqi, Greqi e Francë. Ka takuar shpesh personalitete me fe e bindje të ndryshme politike. Si u bë papë, vijoi të luftonte për paqen, duke dhënë ndihmesën e vet për zgjidhjen e konflikteve, që rrezikonin t’i vinin flakën Planetit. Papa nuk kënaqet vetëm me fjalë. Nga fjalët kalon në vepra, gjë që e bën edhe më të fuqishëm ndikimin e enciklikës së tij.Pacem in Terris u drejtohet me thjeshtësi të gjithë njerëzve. Natyrisht Papa beson se paqja mund të sigurohet vetëm duke iu nënshtruar rendit të vendosur nga Zoti, por shton se për ta bërë këtë, mjafton të veprosh duke ecur me drejtësi e dashuri në rrugët e së vërtetës, duke respektuar gjithnjë lirinë e të tjerëve. Është një mesazh, që mund ta kuptojnë të gjithë njerëzit, katolikë e jo. E njerëzit e kuptojnë! Moska e pranon mendimin e Gjonit XXIII. OKB-ja e lavdëron enciklikën. Papës i jepet çmimi i Fondacionit Balzan, që nxit nismat për paqen në botë. E pas Gjonit XXIII, pasardhësit do ta vijojnë luftën e mirë, që paqja të mbretërojë përmbi tokë!







All the contents on this site are copyrighted ©.