2008-12-31 18:03:05

Papa Benedikti XVI kryesoi Lutjen e Mbrëmësores së Shën Marisë, Nënës së Zotit dhe lutjen e falenderimit 'Te Deum' drejtuar Zotit për vitin 2008


(31.12.2008 RV)Sot, më 31 dhjetor, ditë në të cilën Kisha kujton shën Silvestrin Papë e dita e fundit e vitit 2008, Papa Benedikti XVI kryesoi kremtimin e Lutjeve të para Mbrëmësore të Solemnitetit të Shën Marisë, Nënës së Zotit dhe Te Deum-in e falenderimit për vitin që mbaroi. Në përfundim të liturgjisë, Ati i Shenjtë, siç është tashmë traditë në Vatikan, shkoi për të parë Betlehemin e ngritur në sheshin e Shën Pjetrit.
Siç mund të merret me mend, homelia e Papës u përqëndrua natyrshëm në figurën e shën Marisë, “Asaj – tha Benedikti XVI – që pranoi në zemër e në kraharor Fjalën e Zotit, duke i sjellë botës jetën”.
Duke shpjeguar historinë e shpalljes zyrtare të Shën Marisë, Nënë e Zotit, Papa Racinger kujtoi se ajo nderohej si e tillë që në vitet e para të krishterimit e u njoh si guraja që lindi Zotin, theotokos, në Koncilin e Efesit. Por qe Papa Piu XI që caktoi një festë mariane, për të nderuar amësinë e Shën Marisë, pikërisht në vitin 1931, me rastin e qindvjetorit të 15-të të Koncilit të Efesit. Kjo festë qe fillimisht 11 tetori, datë në të cilën nisi në vitin 1962, edhe Koncili II Ekumenik i Vatikanit. Më pas, qe Shërbëtori i Zotit, Papa Pali VI, i cili në vitin 1969, duke iu përgjigjur një tradite të lashtë, vendosi ta fiksojë festën më 1 janar, në Ditën Botërore të Paqes, për t’iu lutur Zotit, përmes Mbretëreshës së Paqes, të na japë dhuratën e lartë të pajtimit mbi tokë.
Duke iu referuar Te Deumit, Ati i Shenjtë i vendosi në duart e Nënës qiellore të Hyjit të gjitha falenderimet drejtuar Zotit për të mirat që na ka dhënë vitin që shkoi, e kërkoi falje për sa herë nuk i kemi përdorur këto të mira ashtu si duhet. Kujtoi se sonte, vetë Virgjëra e Shenjtë na bën të kuptojmë se ç’dhuratë e madhe është lindja e Jezusit e Mishërimi i tij.
“Në Krishtlindje - tha Papa - Jezusi vjen të na ofrojë Fjalën e tij si llambë që udhëheq hapat tona; vjen të na ofrojë vetveten e Atë, shpresa jonë e sigurtë, duhet të dimë ta gjejmë në jetën e përditshme, të vetëdijshëm se “vetëm në misterin e Fjalës së Mishëruar gjen ndriçim misteri i njeriut”.
Prania e Krishtit, vazhdoi Ati i Shenjtë, është një dhuratë që duhet ta ndajmë me të gjithë. Takimi me Krishtin e përtërin jetën e na ndihmon të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie të drejtë e vëllazërore. E këtu, Papa Racinger përmendi problemet shoqërore të këtyre kohërave, duke i parë në dritën e Ungjillit.
Së pari, emergjenca edukative. Ati i Shenjtë kërkoi një sinergji më të mirë ndërmjet familjeve, shkollës e famullive, në mënyrë që të kuptohet se ç’pasuri është takimi me Krishtin. E nëse në Natën e Krishtlindjes, Papa iu drejtua fëmijëve, kësaj radhe, në qendër të mendimit të tij ishin të rinjtë.
“…mos kini frikë nga detyra apostolike që iu beson Zoti – u tha atyre Shenjtëria e Tij – mos hezitoni të zgjidhni një stil jete, që nuk ndjek mentalitetin hedonist aktual. …Nevojat në rritje të ungjillëzimit kërkojnë punëtorë të shumtë në vreshtën e Zotit: mos hezitoni të përgjigjeni menjëherë, nëse Ai ju thërret. Shoqëria ka nevojë për qytetarë, që nuk shqetësohen vetëm për interesat e tyre, pasi … “bota shkon rrokopujë nëse secili mendon vetëm për vete”.
Papa u kërkoi prindërve të dëshmojnë me guxim Krishtin para brezave të rinj e duke pasur parasysh krizën aktuale botërore, vuri në dukje se solidariteti dhe një mënyrë jetese më e thjeshtë ndihmojnë familjet në vështirësi. Është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjithëve, theksoi më pas, sepse “askush të mos mendojë se mund të jetë i lumtur vetëm”. Edhe nëse në horizont shihen vetëm re, nuk duhet të kemi frikë për të ardhmen, i këshilloi Ati i Shenjtë besimtarët e krishterë. Shën Maria, Virgjëra Nënë, përfundoi Benedikti XVI, na ofron Foshnjen Hyjnore në grazhd si shpresa jonë e sigurtë.
Sonte në orën 23.30, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku Papa zbriti për të parë Betlehemin dhe pemën madhështore të Krishtlindjes, do të mblidhen anëtarët e Lëvizjes së Dashurisë Familjare në lutje për harmoninë e bashkimin e familjeve në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.