(30.12.2008 RV)Sipas jetëshkrimit të tij të shkurtër në Liber Pontificalis,
Feliksi ishte romak, bir i njëfarë Kostandini. I zgjedhur Papë në fillimet e vitit
269, shpalli një dekret, përmes të cilit kërkonte të kremtohej Mesha për kujtim të
martirëve. Gjatë sundimit të Aurelianit fitoi edhe ai vetë palmën martirit e u varros
në rrugën Aurelia më 30 maj 274, në një bazilikë që e kishte ndërtuar ai vetë. Nga
këto lajme, disa duhet t’i shikojmë me dyshim. Së pari nuk kemi asnjë dëshmi që të
ketë vdekur martir, sepse emri i tij nuk u shkrua në Depositio martyrum, por në atë
episcoporum, gjë që do të thotë se në fillim të shekullit IV nuk nderohej në Romë
si martir. Së dyti, dita në të cilën lindi për qiell, nuk është 30 maji, siç shkruhet
në Librin e Papëve, por 30 dhjetori, e kjo sepse ai që e hartoi jetëshkrimin e Papës
Feliksi e lexoi gabim këtë datë: Lexoi III Kal.iun, në vend të III Kal.ian. Nuk është
lajm i sigurtë edhe ai ndërtimit të bazilikës në rrugën Aurelia, e aq më pak varrosja
e tij në këtë bazilikë. Depositio episcoporum pohon qartë se varri i tij ishte në
varrezën e Kalistit në rrugën Apia. Gabimi u bë sepse në rrugën Aurelia qe varrosur
një martir tjetër me emrin Feliks. Të vetmet njoftime të sakta për papën Feliksi I,
janë ato që lexojmë në Librin e ipeshkvijve, e kryesisht datat e papnisë së tij.Ka
shumë mundësi të jetë interesuar për çështjen e Palit të Samosatës, sepse ishte ai
që mori letrën sinodale, të cilën Koncili i Antiokisë , mbledhur në vitin 268, i drejtoi
Papës Dionisi, që ndërkaq kishte vdekur. Pikërisht nën Papën Feliksi, perandori Aurelian,
pas vdekjes së Palit, vendosi t’ua kthente pasuritë e patundshme të Kishës antiokiane,
besimtarëve që ishin në bashkim me Kishën e Romës. Kujtojmë se Pali i Samosatës ishte
ndjekës i doktrinës adocioniste, sipas së cilës Ati e Biri e Shpirti Shenjt janë një
Vetje e vetme, ndërsa feja na mëson se Zoti është një i vetëm, por në tri Vetje hyjnore
të barabarta e të veçuara, që njihen me emrin e Shenjtnueshmja Trini! Për më tepër
Pali kishte shtënë në dorë të gjitha pasuritë e Kishës, të cilat i përdorte sipas
interesave të veta. Për t’i dhënë fund këtyre shqetësimeve u mblodh Koncili i Antiokisë,
e këto trazira të shkaktuara nga Pali iu njoftuan mbarë Kishës përmes letrës drejtuar
Dionisit papë.