2008-12-30 18:14:53

Janë 20 veprimtarët pastoralë të vrarë gjatë vitit: i kujton Raporti i agjensisë Fides


(30.12.2008 RV)Janë 20 veprimtarët pastoralë të vrarë gjatë vitit 2008. Një kryeipeshkëv, 16 meshtarë dhe 2 vullnetarë laikë vë në dukje agjensia e Vatikanit Fides në dosjen e botuar, si zakonisht, në fund të vitit. Azia është kontinenti me numrin më të lartë të martirëve për hir të Krishtit.
Dymijë vjet pas Shën Palit, edhe në vitin 2008 këta dëshmitarë e martirë të fesë na kujtojnë se forca e vetme që kapërcen urrejtjen e dhunën është dashuria për Krishtin. Dëshmitar i kësaj dashurie ishte në Irak, vend i shkatërruar nga lufta, imzot Rahau, kryeipeshkvi kalde i Mosulit, i rrëmbyer pas kremtimit të Udhës së Kryqit. Në shtete të tjera, si Venezuela e Kolumbia, tmerri i dhunës dhe drama e varfërisë shërbejnë si sfond për vrasjen e atë Orelana Hidalgo, i gjetur pa jetë në shtëpinë e tij në Karakas dhe të atë Zhame Osa Toro, i vrarë me thikë në Medelin.
Shumë veprimtarë pastoralë kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për t’i rrëmbyer, si atë Brajën Torp, i vrarë në famullinë e tij në Lamu të Kenias. Të tjerë kanë gjetur vdekjen sepse kundërshtonin me këmbëngulje urrejtjen me dashuri. Ndër ta, atë Bernard Digal, një nga viktimat e dhunës kundër të krishterëve të ekstremistëve hinduistë në shtetin indian të Orisës. Të tjerë u vranë ndërsa ishin të zhytur në lutje, si atë Rejnaldo Roda, të cilin e kapën plumbat në kapelën e misionit në Filipine, ku sapo kishte thënë Rruzaren Shenjte. Nuk mungojnë as viktimat e vrasësve të çmendur, si jezuitët atë Mesner dhe atë Betankurt, të vrarë në banesën e tyre në Moskë nga një psikopat. Në këtë listë duhen shtuar më pas të gjithë ata, për të cilët nuk flasin gazetat, por që në çdo kënd të planetit vuajnë e paguajnë me jetë fenë e tyre në Krishtin. Janë – siç thoshte Papa Gjon Pali II – “ajo re me ushtarë të panjohur të çështjes së madhe të Zotit”, pa të cilët Kisha dhe bota do të varfëroheshin jashtëzakonisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.