2008-12-30 18:12:14

Atë Danjel Gjeçaj ‘Tue kujtue Fishten’1


(30.12.2008 RV)Shtatëmbëdhetë dimna kaluen, që se në dimën na la. Dimnat e shndërruen e pranvera ma s'na gëzoi.
Kujtoi Poeti, lodhë prej lëngate, se bora cegëmprûse e asaj natje së idhët të dhetorit, ishte petk darsmuer në trupin e hijshëm të Rozafës e duel, prej së shtruemes, me e pá. Çili xhamat e qindisun me kristale akullit e kundroi shtëpijat pullazlpêta, mbytun në një dét ngjyrë tambli. U kënaq prej ajrit t' agsholit acar. Ishte, per tê, i mbrami agim në tokën që e lindi, të cilën aq fort e desht. U rrxue rishtas në shtroje të bardhë e, varrëve morale, që ia kishin këputë zemrën, iu shtuen varrët trupore të jetës në përendim. Nuk u çue ma. Në rektimet e mbrame, në luftën e trupit vigâ me të kërthnestit, që shkimej, diftoi, si përherë, qetësí shpirtnore. Mendoi trishtueshëm dekën, që aq vërtetësisht e përshkroi në "Burrnija" e iu dha ta tërhiqte shtatin vjedhtas për t'i pështuem, por u turpnue prej ligshtisë njerëzore e tha: "Vetëm s'përkulet para dekës njaj trimi, në zemër të cillit nuk randojn punë t' liga". E kuptoi tashma Kangatari arbënuer se motra dekë e Kangatarit asizjan ishte te kryet e priti me buzëqeshje t'ia çilte dyert e vrrîjeve, që s'veshken as kúr rruzullimi shpërbâhet në shtjellën e kataklizmës në Ditën e gjyqit. Kllapít e bânë me këndue në jerm vargje profetike. Pëshperiti cungueshëm Marash Uca e Dedë Gjo' Lula, Tringa e Patër Gjona, Oso Kuka e Ali Pasha, Jerina e Makabej. Të tanë i pá tek ia rrethojshin shtratin. E iu gjá se shtegu i jetës në udhtim ishte si ai i popullit të zgjedhun kah toka e premtueme. Lypi një dorë të fuqishme, që tallazet kercnuese të detit të pështjelluem t'ia date dysh e ravën t' ia çilte perpara Gurrave të Jordanit mistik per të kaluem pá të vështír n' atdhén e dishruem. Dhimbat e trupit të vet i krahasoi me ato të Mater Dolorosa e shtratin e dekës e zbuti me rruezat kokërr mëdhá, të cilat deri në përhjekje të mbrame i suell nëpër duer, tue përsëritë belbëzueshëm fjalët, të cilat shum vjet ma parë ia pat drejtue Nanës së Zotit: "Birin tand për në Ti lute - mnín e Tij mbi né, deh, zbute - qi n' Parríz t' gzojm t' bardhin fat". Si babë i një familje patriarkale, plot djelm e nipa, të cilët i mirërriti e i desht, dëshroi me i pasë përherë afër të rít e Provinçës së vet shqiptare. Zhgunat e murrtë e rrethuen, me sy rí lotësh, në sa sytë e tatës së letrave shndriten si atëherë, kúr në ta pasqyrohej gjenia e jeta në ma të mirën kohë, fuqia e vrulli dinamik në kulmin e veprimit. Atyne ua la testamentin e mramë: "Duenie Zotin e Shqipnín, duenie Provinçen e shoqi-sho' in, punoni sbashkut per Atme e per popull: ky kje programi em, ky ideali i jetës, ky trinejshi 2, të cilin s'ka gjâ që mund ta këputë: "Fé, Atdhé, Përparim". Desht me vijue. Kishte shumë e shumë per të na thanë né, në lule të jetës, që e rethojshim atë shtrat deke. Por gjuha nuk iu bind. S' mujt me vijue e lypi të pushonte. Deri nesër - na premtoi. Po e nesërmja s' e gjet ma gjallë. Dha shpirt atë natë të paharrueshme të 30 dhetorit 1940.
Nën qiellen e zymtë të një toke, që për kufij ka Tivarin e robnuem e Gusîn Shqiptare, Karadakun kreshnik e Shkupin e bjerrun, Monastirin e grabitun e Prevezën e qytetnueme, u ndie një zâ, si vigëm në kalim. Prej shkrepit të Troshanit3, që kundron fushën e Zadrimës, u rropos një shkamb e Kreshta e maja e Velës ushtuen deri në Kështjellën e Lezhës e në qytetin e Gencit. U dridh në themel Deçiqi e Biga e Shalës u trand. Ndidhshin zí këto shenje e diftojshin kob të madh. Zâni u përhap si vetima e rriba e verit, që del prej shpellës së katallajve për me mrrudhë jetën, fishklloi një fjalë, një kushtrim: diq Fishta!
U shtërnguen, atëbotë, gjamatarët e Kombit e fiset e tana rrân rreth tij. Poetët e Shqipnís mënjë ujdisen lahutat zâpërmallshme te kryet e të madhit Orfé, shtrî në dërrasë. Në log të Shkodërloces xûn me vajtue, si vajtoret mblue sytë nën ruba të zeza. E thyen prej dihamësh kalin e lahutës fishtjane, e kopen zhargun e qimet tubëkali lik përmjet i këputen Koliqat e Poradecat e Floqat e….. Mbi trup të tij të ftofun u lëshuen përmbys, pa dijtë ma me u çue, vllazent e vet: e Prennusha e Palaj e Zadêja e Shantoja e Harapa e Bardha e Kurta e Gazulla…. Prej malesh u dorgjen varg e vister gjamatarët tjerë e Korçë e Gjirokastër, Prizrend e Pejë, Gusî e Ljarje njëzânit brîten tue u gërdhishtë ilirçe: ooooo, i mjeri unë, o tatë, shtyllë e Kombit e e letrave shqiptare, i mjeri un, oooo! Gjoksin çelik, jelekshpëvjelun, e rrahi arbënori e lot e gjak fëtyrën e bronxtë ia mbuluen, përsè s' ishte ma në jetë kush ia këndoi hallet e trimninë ia endi.
Me Fishtën Zana epike e Shqipnís heshti e ju bâ rojë, rreshtmira, vorrit të ri, derisá të mos bînte një pinjuell me ia marrë prej dorës së ftofun penden. *** Për Fishtën mund të flasë vetëm Fishta.
Na, që tepruem mbas tij, na që e njoftëm gjallë e jetuem me tê, mundemi veç me belbëzue para fërtyrës së tij vigane. Mbi vorr të tij të dhunuem - heu, kob! - prej vetë Shqiptarëve bastardha, përvjetë derdhim lot, kesh eshtënt me ia zbutë para mnís barbare e zhgunin e bekuem, të përlloçun prej trathtarëve, me ia lá. Përvjetë, përmallshëm, i ngrehim drekë vaji, tue i grishë Arbënorët fat-paktë me përsritë gjamen para petkut të Fratit të madh 4, që në mjes të zhgunave tjerë të përgjakun, dishmon kjartë se i Bekuemi i malit âsht dhetue keqas e votra e kulturës âsht bâ hurdhë gjaku e e mjera ka mbetë pa Uratë.
Ka njerëz që venë vulën e vet mbi periudha të tana historie e njerëzimi i quen të mdhaj. Breznitë pështeten mbi supat e tyne e i ndjekin gjurmët e tyne. Shtegtojnë si kometa në qiell të kombit të vet e lanë mrapa vazhdë drite. I kallëxojnë nipnisë shtegun kah lumnia e përparimi. Zhdavarisin terrinat, në të cilat luhatet populli i pasigurtë në shtegtim drejt cakut e lajmojnë lindjen e Hyllit të Dritës. Bâhen daltë-ambël, si Fidia, e i japin trajtën vizëpreme Atdheut. Në farkë të vet Tushjane shkrijnë veç çelik të kulluet e idén kombëtare e mirëpërcaktojnë e e mbathin me shembuj e shkrime të fuqishme.
I tillë âsht Fishta.
Leu e u rrit kúr elementat heterogjenë në kazân të Ballkanit ziejshin, vlojshin, gufojshin për të dalë prej enës së ndryshkun me gjak të Turqisë së vjetrueme. Ndjeu qysh në fëminí kumbimet e Harpës Leonardiane e u mallëngjye prej zânit të sajë. U prek e tha: kam për ta kthye në Lahutë ketë Harpë. Përsè tek na iliri din me i rá ma mirë lahutës. U edukue atje ku, "axha" pater ishte simbol i mbarë një populli trim, maluer, të fortë, si ky i yni. Atje shijoi "Guslen" e rresht për rresht i mësoi kangët e Kaçiqave e Martiqave si ato Vukonjanet. Gjet diçka të përbashkët më to, përsè edhe këto u quejtën ilirë motit e patën të njëjtat ndjenja. Por zemrën këto s'ia ngînë as afshin s'ia shafiten. Ndoq ma vonë shllimet e tyne nder vargje, por s' ua dha shpirtin e vet poetik, që s'qe i tij, por i Shqiptarit.
I ambel e tingëllues iu duk per vesh të tij të prehtë vargnimi i klasikëve të lashtë dhe shkrimet e tyne i shijoi si fëmia fëtyrëqeshun tamblin e nanës. S'u vû me ua gjá, persè as Homeri, as Virgjili, as Horaci as Ovidi s'e nginë e u çue gjithnjë ûnshëm prej sofrës së tyne. S' e gjet ndër to as burrninë e tirqve iliro-trakë, as virtytet e xhubletës tringiane, as hijeshinë e pastërt të Tanushës, as fisnikín e mikpritjen thjeshtë ariane, as besën-shkamb, as trimninë-orteg, as doket shenjte të trashigueme kah mot. Kulloti me ande në livadhet mitologjike të të vjetërve, por fëtyrat e zotave me vese e epshe hyjnore, që lëvizshin nder to, ma shumë e lodhën se e kënaqen. Hyjnít e Olimpit iu duken hije të zbehta, para Orëve e Zanave të Deçiqit, Vizitorit a Veleçikut, para Katallajve synja e kulshedrave të Bigës, para drangojve të Dukagjinit orëmadh e shtojzovalleve, para floçkave shkumbuese e shauretave të përfrigueshëm të kangëve tona popullore e përrallave kombëtare. I squet, si i squet âsht zogu i Shqiptarit, muer formë të préme e bâni kusht me i këndue këto në lahutë, pá i marrë uhá kund njeti.
Kërkoi tipa ndër të mdhajt e letrave botnore, sa ma larg kohës së vet. U bind para bukurisë së pamërrîjshme, me të cilën i paraqitën gjenít e shekujve herojt e vet. Drita e tyne, që i pershkoi pá u zbé kavaljetet, nuk ia lbyri sytë, as e topiti. S'e lëshoi penden dore prej tute, as atëherë kúr u duk se me gjuhën e vorfën amnore ishte e vështirë me u kapë nalt, në Parnas të poetëve. Në Jutbinën rapsodike, si në kangë trimie, që në unakë votrash shqiptare janë shkrue me zjarm, të papáshme për sy, por të ndieshme per veshë e të prekshme per shpirt, i gjet herojt e lahutës e u ndesh në burra, mos me ia pasun lakmí Akilave as Uliksave, Diomedave as Hektorave, Eneave as Agamemnonave. Eddën s'e njofti rapsodi ynë - tha Fishta lahutár - as Shahnamen s'e lexoi kurr në jetë, si s' dijti se në botë ka edhe Nibelungen, Mahabaratë a Rigveda, Fingar a Chanson de Roland. E pra si ato këndoi Gjeto Basho Muja e Gjergj Eleza e Osman Dizdara e Ajkuna e Omera. Pranë tij do të ndalem e në gurren e letrave shqiptare etshem kam për t'u ulë me pí. Do të harroj Dante e Petrarka, Taso e Karduça, Miltona e Metastasa, Goethe e Shilera, Klopshtokë e Viktorë Hugo, Lamartinë e Kornéj, Manxona e Kalderona dhe shkrimet do t'i filloj njaty, ku të mëdhajt nisën me u njehë të mdhaj.
Frati e ujdisi mirë e mirë lahutën, ambël ia lakoi harkun e gishtat aq fort e thekshem ia dridhi, sa kanga e sajë nisi me përkue zanamaras me kangën e mjeshtrave të mdhaj të letrave botnore, që rrahen rrugë të gjata e të vështira para tij e lindën prej miliona njerzsh. Fishta nuk ia ndërroi Lahutës natyrën: s'e bâni as violinë, as kitarrë, as violonçel.
Këtu âsht gjenia e Fishtës e këtu madhnia.
Njëmend një tjetër si ai, do të kishte mujtë me shkrue ma bukur e zânet në varg do të kishte mujtë me i limue ma ambël, por vepra s'do të kishte dalë kurr Lahutë shqiptare pá drûn e xjerrun në mal e mjeshtrin e mësuem me gdhenë ma parë e mbrapa me këndue.
Porsi një arkeolog i mpreftë, që kërkon popuj të harruem në angrra të tokës e zbulon qytetní të prendueme e me copa rrasash të gjetuna, me daltina të shkrueme, vegsha e poça të thyem, briçakë e heshta të ndryshkuna, trupore cungue gjymtyrësh e krenash, endè një historí të lumnueshme, ashtu Át Fishta e kërkoi landën e parë në popullin e vet të harruem e ujdisi çka fshtari pat ma të ambel në gjuhë e ma fisnike ndër doke. Atje në male të vrashta të Veriut, ku pullazet pishore kulm-hjedhtë qesin veç tim të bardhë, ku bjen fyelli e këndon lahuta, ku nën borë që dêhet, çilin lulet Skanderbeg; atje ku del prej vajnicës zhguni vekatár ma bardh se endi dhe mbulon burrninë e malsorit, atje ku xhubleta, si kaçina e halëve, mshehë fisnikín e Juditave shqiptare, Autori i Lahutës, si bleta, mblodh dyllin e bekuem me mjaltë dhe ndezi një qiri të madh kulaç, shumokësh, që kurr ma s'do të shkimbet, në voter të Atdheut. Fishta e mësoi gjuhën, muer uhá frazeologjinë, fitoi gjallsín e rrjedhshmënín natyrore, bâni të vetat doket, përvetësoi trimnín, guximin, dashunín për lirí e vatan, krenín shpirtnore, qindresën e vrullin vullkanik të racës, atje ku kukelat shtat-halë e mbajtën gjithnjë pushkën në krah e u ruejtën të lirë, ku blegtori ushtár e bulku strateg kangës përherë ia tha "tërthorçe" e "maje krahit", ku u ruejt Kanuni i Lekës e u mbajtën doket e tatave ma mirë se ligjët e Romës gdhendë mbi rrasa, ku urtia xû vend gjithmonë në log të kuvendit, ku kufijtë e Arbënisë i ruejti baruti i zí e gjaku i kuq.
 Kush kundron jetën e Atë Gjergjit, një gjâ i bje në sy me 'i herë. Në misionin e tij letrar s'i vlefti aq as Iravniku, as Sutiska, as Livno, as Bosnja mbarë, sa famullia e parë, Gomsiqja. Aty, ku i padekshmi Gjeçov rreshtoi të parat neje të kanunit doketár, Poeti shkroi të parat vargje të Epopés kombtare. Shkrimtari, sa ma ngjat t'i afrohet shpirtit të popullit të vet e sa ma picak e të pazhigla ta paraqesë ndër shkrola, aq ma i madh âsht. Kështu e naltoi Fishtasi vedin mbi shkrimtarë të tjerë, tue shkrue shqiptarçe e tue këndue popullorçe. E përjetësoi kështu emnin e e shkroi me gërma të arta në zemër të shqiptarit, derisá kjo zemër të rrahë për Shqipní.
Kangët e para Fishta ia vuedhë fshatit e ua dha fshatarëve. Fshatarët i muerën menjëherë, i bânë rishtas të vetat, se të vetat ishin. S'dijtën ma me i dá ç' autor i kishte qitë, por i mësuen përmendësh, si uratën, e me to ushtuen e malet e fushat, e bjeshka e vrrini, e kullat e stanet, e votrat e mrizet. Malacakëve u shkoi mendja te qorrat e Kolgécat 5 - larg permendë nder né - por u kujtuen me 'i herë se në "xhebehane të Osos", në shkollën e "Mashit"; në burrnín e "Alís" , në urtín e "Abdylit", në trimnín e "Dedës", në zemrën e "Pater Gjonit", në vajin e Turkinës a në finikín e "Tringës" punoi një dorë e mësueme, një dorë shkollare.
Ishem fëmí, barí i vogël, e ditën e kalojshem me çobaj të rritshëm. Aso heret, në vjetën e largët 1923, pak kushi ndër né të malit dinte me lexue e aq ma pak, me i qitë shkrolat në letër. Na blegtorët e mbajshim të dijshëm vetëm atê që kishte mësue te frati e dinte me i shfletue librat. Më kujtohet si sot kúr njëni ndër né lexonte Lahutën, në sa dhitë mallojshin zhareve a mrizojshin hijeve. Veshtrojshim me ande. I përpijshim fjalët. Mandej i persëritshim rresht per rresht. Dikúr nder të mdhaj u nxé kuvendi. E kishin me kangatarin që i kishte qitë kangët. Permendshin Fishtën që unë, bariu i vogël, nuk e njifshe, e s' bijshin në godi ishte ai në ato kangë apo ndonjë prej lahutarëve tanë. Dikúr u lidhen me bast e dánë me pvetë fratin e katundit, që din gjithçka, veç jo me gënjye e me trathtue. Erdhi e dielja e iu turren meshtarit për ta pvetë. Vetëm atëherë barít xûnë besë se kalemi i shkollarit po mujte aq mirë me e qitë në të pastër e me e pershkrue aq bukur shpirtin e shqiptarit.
Një fenomen të bindshëm paraqet fshatari ynë, kandár i saktë dhe këcim shpejtë, kúr peshon shkrimtarin. Ai âsht letrár i lindun e i pastër si fiskaja e krojeve, ku rríjnë e lahen zanat, kúr të mos jetë përbrî askush. Midja e tij letrare s'e bluen mallin e huej e, kúr s'i përshtatet, ndërron fjalë e fraza, ose i lên mbanesh, për mos me i përçapë ma. Me shkrimet e Fishtës nuk ndodhë kështu. Ato po i kapin pesëdhetë vjet që këndohen ndër male e fusha e s'u âsht hjekë asnjë germë e asnjë frazë s'u âsht ndërrue.
Kjo âsht vlera e vërtetë e shkrimtarit.
Kushdo, i huej a i yni, sot a në të ardhshmen, ka per t'u marrë me Lahutë dhe ka per t'u vû me e studiue me kandarin kritik a me shijen estetike atê, që në rrymën e shekullit atomik shkon tue u zhdukë nder né: karakterin Shqiptarit, temperamentin e tij, doket gjyshore, jetën private a të fisit, besimet, kanunin, virtytet, mentalitetin, zêjtarinë baritore a bujqësín, shkallën e qytetnís a të tjera tipare, ka per të hetue pa të vështirë një gjâ: shpirtin dallues të një kombi, i cili në tana shfaqjet e veta jeton, lufton e des për një ideal: per lirín e vendit. Kjo âsht arsyeja, per të cilen Fishta, në poemin e vet, dashtas , nuk zguedh per protagonist veprimi as bajrak as vetje, por Kombin mbarë. Burrat e Shqipnís i mblodh prej kater anëve e u vûni në dorë armë të çelikta e pendë e në gojë, fjalë e urtí e gaz e vajë e në shpirt, besë arbënore e dashuni vllaznore. Mjeshtër si ai, këta elementa i gërshetoi më një dhe i radhiti ma mirë se vetë vekatarja dorëartë pelhurën. Ngrehi fijen e parë të purpurtë dhe e mbylli me lirí, me njatë lirí që u çpall ma së pari në Vlonë e u këndue në fund të poemit. E kështu Lahuta u bâ shkollë kombëtare e Poeti, mësues mbi mësuesa.
E percaktoi mrekullisht ndergjegjen e Kombit, atëherë kúr tepër vështirë ishte me i dhanë formë të préme. Per tê s' pat gegë as kaurrë, s' pat turq as llatinë: pat vetëm vëllazën një nane e një trungu, që bota i quen Shqipár. Ndjesisë kombtare ia vûni themelet mbi shakmbij katallajsh, ilirësh të racës ariane, mbi doke e gjuhë arbënore, që u qëndruen shekujve kërcnuesa me vnér e gjak, e i lidhi me vllaznim e bashkveprim. S' ishte punë e lehtë, as mahí poetësh puna e fillueme. S' qe i vetem Fishta në ndertim, persè vetëm kush kullë s' bân, as çardak s' ngrehë pá të tjerë, por dibranë 6 si atê vonë e vonë ka per të qitë Shqipnia.
Jo veç në Lahutë, por edhe në vepra të tjera, i shtini në forum të vet zharritës e i dogj, porsi digjen bangat e frashnís së krahishtueme, kúr me terfurq hidhen në furren gelqeres së kallun, mní e inad vllaznuer, fanatizëm qorr e dasí zhgatërruese, ndjenja krahinore e demelí, vese e ngatërresa e ligshtí të vullnetshme.
Qau me "Lot gjakut", kúr padrejtësia e të mdhajve e dhuna e të fortve i dau prej trupit të Atdheut Hot e Grudë, Plavë e Gusî, Kosovë e Çamerí. Në "Mbaroi Malsija" lëshoi kushtrimin në mbarë kombin me vigëm të pikllueshme lajmtari; iu perbetue vllazënve më Zot për ta lanë pushken nder vedi e për ta perdorë vetëm në mburojë të kufîjve; u ndei gati anmiqve më topuz të arsyes e i shtini shtatë pash nen dhé. Nxuer fishkull thane në Parnas e me tê ndoq mistrecat kulima, sa herë bâjshin verc e verc gardhijeve a hijeve, kesh themelet me ia grisë bashkimit shenjt kombtár apor me i dhanë qytetní korës së ré, që qytetní nuk kishte. "Anzat" ua lëshoi në shpinë pseudoatdhetarëvet rrenacakë e i vûni në "Gomar të Babatasit" pa samár, pa plis pa thes e i stërkati rrugave të Shqipnís trokçe, deri sá u duel vetja qejfit e s' mujten me i mbajtë ma kambët. Atyne që u vîte turp me folë në gjuhë të parve, u shtîni dashuninë për gjuhë dhe në "Gjuha shqype" i preku aq mirë kordhat e harpës, sa nisen me dhanë kumbim tingëllues e të ambël edhe per vesh të atyne që ishin mësue me tigëllime klasike. Hoq zdramin e padijes e e vûni "Shqiptarin e qytetnuem" ndër kombe të perparueme. Iu versul gabimit e "gabove Hilë!" nuk pat frikë me u thanë të mdhajve ndejë në shkamb të lartë, sa herë e merituen. I thirri "tri herë shefer" batakçitë e vendit e lalat s'i la fort lehtas me shkrue e me vulosë si dojshin. E thirri në krah të vet "Orën e Maleve", e "Postën e Shqypnís" e desht me i shperndá ai vetë, që letrat të mos hupshin ndër xhepa të shkyem e as mos të qiteshin në kosh të ndonjë hajni.
E prejsè âsht fort ma kollaj me dhanë mësime, se sa me bâ, i prefi kambët e u gjet si rrfeja kudo e lypi puna e Shqipnís, endè në djep a në fëmijní, per ta paraqitë vendin e vet të rritshëm e të pjekun. Poeti i dashunís kombëtare u rrëmbye në ekstazë para tokës arbënore. Shqipnia iu duk ma e hieshmja vashë nder vasha e i këndoi plot afsh:
Edhe hana do t'a dije,
Edhe dielli do t' ketë pá,
Se perqark ksajë rrokullije,
Si Shqipnija 'i vend nuk ka .
E muer malli per tê, sa herë u largue prêhnit të sajë si i "Dbuemi" dhe premtoi me zemer e me gojë plot se:
"Dér sá t' muj me ligjirue,
Dër sá gjáll me frymbë un jam,
Kurr Shqipní s'kam me t'harrue,
Edhe n'vorr me t'permendë kam.
Kjo âsht shkolla fishtjane, që Françeskâjt e mbajten e kanë per ta mbajtë me krenarí arbënore deri në ma të lartin sternip kambë-zdathë e litár-ngjeshun.***Mjerisht në Atdhé, sot keqas të shkretnuem, Fishta âsht mbulue me mní trathtie, sepsè atje sundon trathtija, ma e rrebtë se kurdoherë. Ideali i tij, binomi i shuguruem me gjak: Fé -Atdhé e deri ndjenja e dashunís per atme, që ai perftoi nder zemra e e nxori në dritë, âsht e ndalueme të permendet. Të barsuemët me Marksa të huej e Lenina e Stalina nuk duen me e njoftë as Zotin. Judat e rí, që e shitën, nuk dijn ma me e dashtë. Âsht shkimbë votra, që Frati na e la si trashigim e zjarmi eshkë-bunge, që e pat kallë porsi vullkan, âsht shue me gjak shqiptarësh, me gjak të atyne që e patën per ndër ta bájshin zhgunin. U zhduken prej faqes së dheut mësuesat, që aq me kujdes i rriti nen hije të vet, Apostulli i letrave. U zhduken prej faqes së dheut edhe vëllazënt, që i pat përkrah, në sa punonte në truell e në tokë të trashigueme. Eshtënt e bekueme të tyne, rrelikve Shenjtënsh e Herojsh - heu váj! - u dhunuen. Çka doke s' qe nder né, që se jeta me u endë filloi në breg të Adries a në faqe të Jonit. U thye copë-copë Lahuta e ma s'i shifet shenj. "Mrizet e Zanave" ku kangët e tij kumbojshin plot gëzim e haré, u kthyen në rmaj kryqa-thyem e qyqet vajtojnë mbi ta! Kanë mê "Vallet", që si në "Parríz" tokësuer mbulojshin me gaz pranveruer bjeshkë e vrrî, mal e fushë. Vendin e tyne e kanë xanë krroket e korbave pendeljazë, hukamet e hutave zindjellsa a brima e kukuvacave natë-friguese. Ranë per dhé fortesat e të bijve shtatëshekullorë të Asizjanit brî Rozafës ilire, në Lyssus të Skanderbegut, ku luftari i madh i racës muer premtimin "In hoc signo vinces" e në shkamb të Rubigut. Mbi gërmadha të tyne anmiqtë mbollën krypë mënije shkrî me vnér. U thye barbarisht rrasa e bekueme e vorrit të Fratit, mësuesit të fjalës e të kalemit, babës së gjuhës e të Atdheut. Emni iu shlye. Binomi i madhnueshëm Fishtë-Shqipní u shndërrue në binomin e turpshëm Trathtí-Rusí. Mbi bucat, që Fishtës ia randojnë eshtënt, askush s' guxon, prej friget, me i vû te kryet "Një lule vjeshtet". Vandaltë e terbuem ia dogjën shkrimet Shkrojtarit e librat ia shkyen, porsi shkyejnë hjenat në terr kufomat ndër vorre. Atilat e kuq, vampirë të kombit, e xevendësuen vllaznimin me dasí zhgatërruese. Hapën gjithkah e mbrendë e jashtë kufinit, faren e mnís e të inadit, të smirës e të hakmarrjes. E zhduken bashkimin - heu kob! - deri nder né, të mërguemët, që rrugat e dheut, ngushtue prej tyne, rrahim e ravgojmë në terr, larg atmes e këcéjm pádíjtas, në dam të njëni-tjetrit, mbas rritmit djallëzuer të lodrave Hoxho-Shehnjane.
Perzè, po të çonte Fishta kryet prej vorrit, sakt kishte per të na mallkue, ashtu si kishte ma na namë në mal të thatë gjaku i Dishmorëve, që krah per krah rán flije per të ruejtë Bashkimin, sa herë shohin e ndiejnë se duem me shlye prej fjalorit të shqipes fjalën Bashkim e mërrijmë deri atje sa me vû në lojë burrat që veprojnë per tê.
Me gjuhën që Fishta na mësoi, na flasin sot burgjet, ku kalben tanët, kampet e perqëndrimit, që ia shkurtojnë jeten farë e fisit tonë, prangat, që rinisë sonë në Atdhé ia thajnë të kërthnestit, si teli i ndryshkët i thán pipakët e njomë, në sa i kanë sytë kah na e na lypin vllaznim!
Bashkim e dashuni vllaznore lypë Kombi mbarë, që sheh si zhduken doket shenjte në votrat tona, që ndien si shqipja dalë-kadalë po kthehet në siberiane, që provon si hupë liria e lanun trashigim nga herojt e Lahutës, që qán tek vëren se si të kuqtë një pjesë të Shqipnisë e falën, tjetrën e bâne të huej! Medet, o Zot, medet!
Para këtij kobi, që të dekun e të gjallë përpini e Kombin e pështuell në zí, prej vorrit të Fishtës një zâ kushtrimi ushton:
Kushtrim! Kushtrim!
A gjallë me nderë a dekun grue e trim!
E ndihet, si gjamë, një ankesë, që shpirti i lum i Poetit ia bân vetë Perendís, që aq fort duron para padrejtësisë të njerëzve-bisha:
O Perendí, a ndjeve?
Trathtarët na lanë pá Atdhé!
E Ti rrin e gjuen m' rrufé
Lisat nper male kot.
________________________________
1 Marrë nga Shêjzat (Le Pleiadi), Romë, I/1957, Nanduer-Dhetuer, Nr. 4-5
2 Trinejshi - trí neje: paralelizëm me tri nejet e konopit françeskan që simbolizojnë tri kushtet e pazgjidhshme: ndigjesë, pastrí e vorfní: këtu trinejshi, njësoj shenjt e i pazgjidhshëm, âsht: "Fé, Atdhé, Përparim".
3 Troshani - fshat ku ndodhej e ndodhet rishtas Kuvendi i famshëm françeskan, fidanishtë e fretënve të rij, që këtu bâjshin noviciatin, ku Fishta krijoi disa prej veprave të tij.
4 Para petkut - gjamë para petkut bâhet kur nuk âsht i pranishëm trupi i të dekunit: këtu, gjama bâhet në mërgim, prej mërgimtarëve, larg vorrit e trupit të Fishtës në sá petku apo zhguni ka kuptim simbolik.
5 Qorrat e Kolgécajt - rapsodë të Dukagjinit.
6 Dibranë = murator, ndërtues: tue qenë se dibranët ishin mjeshtra ndërtimi, fjala përdoret me kuptimin metaforik të ndërtuesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.