2008-12-30 18:16:30

365 ditë: "Java për bashkimin e të krishterëve: lutjet për të qenë një Kishë e vetme".


(30.12.2008 RV)Brunos i pëlqejnë shumë predikimet e famullitarit të vet. Predikon thjeshtë, por nganjëherë përdor aty këtu edhe ndonjë term të ndërlikuar, që rrjedh nga greqishtja ose nga latinishtja. Për Brunon është bërë si një lloj loje mësimi i këtyre fjalëve të ndërlikuara. Famullitari e di e bën çmos t’i japë një dorë për ta pasuruar fjalorin. Të dielën e kaluar, për shembull, fëmija ka shkruar në bllokun e vet të vogël të shenimeve fjalët ‘frymëzim pneumatik’, që do të thotë ‘frymëzim që vjen nga Shpirti Shenjt’, sepse në gjuhën greke ‘pneuma’ do të thotë shpirt. Brunos i vjen për të qeshur, por megjithatë i hap mirë veshët e vijon ta dëgjojë shpjegimin. Meshtari fillon:
“Vëllezër e motra, ky vit, 1962-shi, shënon një hap të madh përpara në historinë e ekumenizmit”. Ç’mëkat! Asgjë e re. Këtë term Bruno e ka shkruar dy herë në fletoren e tij. Ekumenizmi është lëvizje, që përpiqet t’i afrojë Kishat e krishtera: katolike, protestante e ortodokse. Bruno e di prej kohe, sepse i jati është katolik, ndërsa e ëma, protestante. Prindërit i kanë shpjeguar gjithnjë se i trishton pa masë fakti, që të krishterët nuk janë të bashkuar. Të gjitha Kishat e krishtera, që besojnë në një Zot të vetëm, duhet të bashkohen për të formuar një Kishë të vetme.
Kështu do të ishte e mbara, por ekumenizmi nuk mund të realizoeht aq lehtë. Kishat e krishtera janë të ndara prej shekujsh e del gjithnjë ndonji çështje teologjike, për të cilën nuk arrihet mirëkuptimi. Të duket se nuk bëhen kurrë hapat e duhura për t’u afruar. Prandaj për Brunon, ‘ekumenizëm’ do të thotë ‘dialog i pamundur’.
Paksa i zhgënjyer, djali pret padurim termat e tjera, që do të përdorë famullitari gjatë predikimit. E ja se ai nis të flasë për ‘Javën e Lutjes për bashkimin e gjithë të krishterëve’. Tani e tutje, në Kishën katolike, ashtu si në Kishat e tjera të krishtera, një javë në vit do t’i kushtohet lutjes për afrimin e Kishave. Gjithë të krishterët do të luten së bashku, në të njëjtat ditë, që të arrihet sa më shpejt bashkimi!
“Lutja së bashku, kjo është mënyra e vetme për t’u afruar. Specialistët e mëdhenj të çështjeve teologjike mund të vijojnë të takohen, për të kërkuar mirëkuptimin, por në se nuk e ndjejmë të gjithë përgjegjësinë për bashkimin, nuk do të ketë kurrë një Kishë të vetme!”.
Predikimi përfundon pa asnjë fjalë të re. Por Bruno nuk është aspak i zhgënjyer. I shikon me bisht të syrit prindërit, që e marrin për dore me një pamje tejet të kënaqur. Sigurisht në shtëpi do të flitet për Javën e lutjes kushtuar bashkimit të gjithë të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.