(29.12.2008 RV)Ishin miqtë më të mëdhenj, që mund të gjindeshin në botë. Enriku
e Toma nuk ndaheshin kurrë. Enriku kishte temperament kolerik, merrte flakë menjëherë,
ndërsa Toma, djalosh shumë tërheqës, përveçse i zgjuar e i ditur, ishte edhe tepër
i matur. Plotësonin njëri-tjetrin në mënyrë të përkryer. Enriku ishte Enriku II, mbreti
i Anglisë. Duke emëruar Tomën kancelar, e bëri njeriun më të rëndësishëm të mbretërisë.
Pas mbretit, natyrisht. E kështu dy miqtë qeverisnin së bashku. Enriku ishte autoritar
e i pëlqente shumë të sundote. Tani në Angli, vetëm një institucion i shpëtonte kontrollit
të tij; Kisha, që varej drejtpërdrejtë nga papa. Mendoi e shmendoi sesi ta shkëpuste
Kishën nga Roma e më në fund i lindi ideja ta emëronte Tomën kryeipeshkëv të Kanterbërit,
posti më i lartë në Kishën e Anglisë. Toma nuk i kishte thënë kurrë jo…. Miku i tij
i ngushtë, menjëherë pasi të bëhej ipeshkëv, do të nëshkruante një ligj, përmes të
të cilit do ta shpallte Enrikun kryetar të Kishës së Anglisë. Plan i përsosur!
Por Enriku harronte një hollësi: Toma ishte tepër besnik ndaj Hyjit e Kishës së tij.
E këtë e tregoi me fakte. Nuk pranoi të bëhej vegël në duart e mbretit. I shpjegoi
Enrikut se nuk mund t’i kundërvihej Zotit, në të cilin besonte ngultas, prandaj nuk
e kishte aspak në mend t’i nështrohej mbretit e t’ia plotësonte dëshirën për ta vënë
nën thembër edhe Kishën. Kisha duhet të mbetej e lirë. Miqësia ndërmjet dy njerëzve,
që i lidhnin mijëra kujtime të përbashkëta, mori fund menjëherë. Toma u internua si
tradhtar i mbretërisë. Si kaloi pesë vjet në Francë, u kthye rishtas në Kantërbëri
me leje zyrtare nga vetë mbreti. Kështu, në vitin 1170, mundi të kryesonte kremtimet
e Krishtlindjes në katedralen e tij aq të dashur. Banorët e Kantërbërit rendën me
shumicë në Meshë, të lumtur që do ta shikonin përsëri ipeshkvin e tyre. Në sa besimtarët
e donin dhe e vlerësonin jashtëzakonisht Tomën, mbreti e konsideronte të padenjë për
këtë detyrë të lartë. Disa ditë më pas, katër ushtarë, të dërguar nga Enriku,
hynë me forcë në banesën e Tomës. E urdhëruan, duke i bërtitur sa munden, që t’i nënshtrohej
mbretit. Po ipeshkvi nuk u tremb fare nga ushtarët, të cilët u detyruan të ikin të
tërbuar. Pastaj këmbana ra për t’u kujtuar besimtarëve se ishte ora e uratëve të mbrëmjes.
Toma u nis për në katedrale. Pa marrë parasysh rrezikun që e kërcënonte, dha urdhër
që porta të mbetej e hapur, sepse Kisha është shtëpia e të gjithëve e askush nuk mund
të mbyllet brenda. Lutja sapo kishte filluar, kur katër ushtarët u duken sërisht,
iu sulën ipeshkvit dhe e mbytën. Ditën tjetër të gjithë banorët e Kanterbërit u
mblodhën për t’u lutur pranë trupit të Tomës, që për ta tashmë ishte shenjt!