Sulme të reja izraelite në Gazë. Nunci në Jeruzalem: të kthehemi tek dialogu
(29.12.2008 RV)Dita e tretë e bombardimeve
izraelite mbi Rripin e Gazës. Pas Universitetit islamik, avionët e shtetit hebraik
qëlluan në agim Ministrinë e Brendshme të Hamasit, ndërsa në frontin e kundërt vazhdonte
rënia e raketave palestineze mbi Izrael. Sot, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud
Barak e quajti operacionin “Plumbi i shkrirë”, luftë totale kundër Hamasit. Ndërkaq,
bilanci i viktimave rritet: sipas burimeve palestineze janë 312 të vdekur e mëse 1.400
të plagosur. E konflikti fillon të bëjë edhe “viktimat e para” në planin politik.
Kreu i negociatorëve palestinezë, Abu Ala deklaroi se bisedimet për paqen janë pezulluar.
Kriza rrezikon të përfshijë krejt zonën. Pas dënimit të botës arabe, nga Ankaraja,
Ministri i jashtëm turk, që deri tani ka udhëhequr krejt punën e ndërmjetësimit, shpjegoi
se është e pamundur të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Izraelit e Sirisë. Turqia anulloi
festimet e Vitit të Ri në kryeqytet, në shenjë respekti për viktimat palestineze.
Në Betlehem, janë fikur dritat e Krishtlindjes, në zi për situatën në Gazë. Ndërsa
në Iran, mijëra vetë manifestuan kundër ofensivës ushtarake izraelite e një grup hoxhësh
e myftish kanë hapur një regjistër për të gjithë ata, që duan të luftojnë kundër Shtetit
hebraik në Rripin e Gazës. Deri ku mund të arrijë dhuna? Të dëgjojmë të dërguarin
e gazetës italiane “Corriere della Sera”, Antonio Ferrari: Varet. Është e qartë
se s’ka përfunduar puna, është e qartë se mund të intensifikohet. Ka dy elemente që
duhen pasur parasysh: natyrisht, përdorimi i jashtëzakonshëm i forcës nga ana e Izraelit,
por, nga ana tjetër, edhe përgjegjësia e Hamasit. Izraeli nuk veproi papritmas, pati
thënë: “Nëse do të vazhdoni të na sulmoni, nëse do të prishni armëpushimin, do të
godasim rëndë”. Izraeli, ndoshta, po i ndyen duart edhe për llogari të atyre krerëve
të Autoritetit palestinez, që me fjalë dënojnë ç’po ndodh, i kërkojnë Izraelit të
ndalet dhe botës të ndërhyjë, por nga ana tjetër, e dinë mirë se nuk mund ta gjenin
vetë zgjidhjen. E jo vetëm krerët e Autoritetit palestinez, por edhe shtetet arabe
si Arabia Saudite, Egjipti e Jordania. Sepse nuk kanë frikë vetëm shpërthimin e vazhdueshëm
të dhunës në Rripin e Gazës, por kanë frikë se dhuna do të përhapet e sidomos, kanë
frikë se Irani do të kushtëzojë jetën politike të rajonit me hezbollahët në Liban
e me Hamasin në Palestinë, duke zgjatur kështu tentakulat e veta në Mesdhe. Këtë e
kanë frikë për vdekje. Izraeli, megjithëse në fushatë elektorale, ka grumbulluar
trupa e tanke në kufi me Gazën. A do të fillojë ofensiva tokësore? Një operacion
tokësor është i mundur, por jo një ri-okupim. Edhe Shërbimi i Sigurimit nuk e këshillon.
Do të jetë një operacion për të neutralizuar raketat, që hidhen kundër qyteteve izraelite.
Gjendja humanitare në Gazë vështirësohet gjithnjë e më shumë. Të dëgjojmë
imzot Antonio Frankon, Nunc Apostolik në Izrael e Legat në Jeruzalem e Palestinë: Fatkeqësisht,
jemi spektatorë të pafuqishëm, me trishtim në zemër, pasi ky shkallëzim dhune dëmton
procesin e negociatave. Sigurisht, çështja e Gazës është e veçantë, sepse aty ndahen
edhe vetë palestinezët: grupi i Hamasit është praktikisht në konflikt edhe me pjesën
tjetër të palestinezëve. Edhe këtu, në Jeruzalem, ka një farë nervozizmi, perceptohet
nga popullsia arabe një farë reagimi psikologjik emocional ndaj dhunës e viktimave,
që rriten nga dita në ditë. Ç’mund të bëjë më tepër bashkësia ndërkombëtare? Duhet
që të arrihet mundësia për të ndihmuar viktimat civile. Besoj se bashkësia ndërkombëtare
ka mundësi më të mëdha që të veprojë për të arritur tek viktimat, që vuajnë pasojat
e këtyre sulmeve. Nuk besoj se ekzistojnë receta për zgjidhjen e problemit.
Gjëja e parë është ajo që ka kërkuar edhe Ati i Shenjtë: duhet ndërprerë dhuna, duhet
të kthehemi tek bisedimet, por duhet vullnet i mirë nga të gjitha palët. Pra,
nuk mbetet tjetër veç lutjes… Me të vërtetë, ndihet pafuqia për të bërë diçka
në planin praktik e prandaj, mbetet lutja. Por mbetet edhe ankthi për këtë realitet,
mbi të cilin nuk arrijmë të ndikojmë pozitivisht.