2008-12-28 12:35:12

Festa e Lindjes së Zotit në Evropë.


(28.12.2008 RV)Evropa rrezikohet ta kremtojë Krishtlindjen duke vijuar ta zbehë gjithnjë më shumë mesazhin e vërtetë të krishterë, duke e zevendësuar me konsumizmin e me pjesëmarrjen në ritet, pa shpirtin e vërtetë të Solemnitetit. Ndjehet një prirje, që frymëzohet nga e ashtuquajtura korrektesë politike, dmth prirja për t’ua respektuar pikëpamjet edhe atyre, që nuk janë të krishterë, në një Evropë e cila është historikisht e krishterë prej shekujsh. Kështu Evropa pret rrënjët e veta e duket sikur ka frikë t’u tregojë të gjithëve ç’do të thotë Krishtlindje. Vërehen fakte shqetësuese e qesharake, si ai i Oksfordit, ku propozohet t’i hiqet Krishtlindjes karakteri i krishterë, dmth Krishti. Krishtlindje pa Krisht?! Kështu nuk dëmtohet vetëm krishterimi, por vetë Evropa, që rrezikohet të humbasë identitetin. Edhe ajo laike, sepse laiku i vërtetë nuk mund të mos e pranojë se rrënjët e tij nisin pikërisht nga krishterimi. Prandaj, para së gjithash, duhet që vetë të krishterët ta dëshmojnë fenë e tyre, duke u treguar të gjithëve se kjo fe i jep një kontribut të çmuar edhe bashkëjetesës qytetare.

Por Evropa është edhe tokë emigracioni: duke nisur nga viti 1989, me shembjen e Murit të Berlinit e zgjërimin e kufijve me vendet lindore, valët e emigrantëve nuk kanë pushuar së lëvizuri brenda Kontinentit të Vjetër e nga vendet jashtë tij. Prandaj Krishtlindja në viset evropiane u jetua edhe si festë e mikpritjes për shumë njerëz, që kanë mall për vatrat, nga të cilat u detyruan të ikin.Gjithsesi, Krishtlindja në Evropë mund të festohet vërtetë si festë e mikpritjes, vetëm në frymën e dialogut kulturor, që duhet të ketë epërsi të plotë e të përhershme mbi ndeshjen e qytetërimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.