2008-12-28 12:36:56

Boris Pasternak: “Ylli i Krishlindjes”.


(28.12.2008 RV)Ish kulmi i dimrit.
Era e akullt frynte nga stepa.
E ngrinte Ferishtja në shpellë,
mbi shpatet e rrëpirta të kodrinës.

Fryma e kaut e ngrohte.
Dy kafshë që s’lëviznin fare
frymonin në shpellë.
Fryma që u dilte prej hundëve,
djepin e mbështillte me avull.

E atje larg, fusha nën dëborë, e varreza
e gardhet e gurët hepuar mbi varre,
e rrota qerresh përgjysëm mbuluar
e mbi ta qielli qindisur me yje.

E aty pranë, çudi krejt e paparë,
më e vogël se një xixëllonjë,
n’dritaren e mjerë të një kasollje,
ndriçonte Ylli i Betlehemit.

Në të njëjtën udhë, të njëjtat shtigje
engjëjt shkelnin, ngatërruar me njerëz
ishin të patrup, të padukshëm,
po këmba u linte gjurmë përmbi dëborë

Një turmë mblidhej e shtyhej te shkëmbi.
Agonte. E kedrat dilnin prej terrinash.
‘Po ju kush jeni’- i pyeti Maria.
“Ne, fis barinjsh e të dërguar nga qielli,
erdhëm ju të dyve t’ju këndojmë lumninë.

“Gjithë së bashku, s’mund të hyni. Prisni në prak!”.
Në mjegullën ngjyrë hiri, që i hap rrugën ditës,
përplasnin këmbët barinj e bagëti
pranë trungut të zgavërrt ku rridhte kroi
rresht prisnin mushka, gomarë e deve.

Agonte. Prej kupës qiellore agimi pastronte
si hirin në votër, yjet e fundmë të natës.
Prej turmës që priste, veç Tre Dijetarët,
Zoja i la të hynin në zemër të shkëmbit.

Ai flinte, plot dritë, në një grazh prej lisi
si rreze hëne në zgërbonjë të drurit të vjetër.
Në vend të lëkurës së deles e ngrohnin
buzët e gomarit e hundët e kaut.

Tre Mbretërit, në terrin e shpellës
më kot kërkonin një fjalë.
Papritmas dikush, në errësirë
me dorë e shtyu paksa
njërin nga tre Dijetarët.
Zemra e natës i shuente të gjitha flakët,po Ylli i Krishtlindjes vinte në vizitë te Zoja.


Marrë nga ‘Natale in poesia’, Antologia dal IV al XX secolo, Novara, 2006, fq 117







All the contents on this site are copyrighted ©.