2008-12-27 15:36:55

Në Lindjen e Mesme rifillon ushtrimi i çmendur i dhunës.


(28.12.2008 RV)Aviacioni izraelit ka ndermarrë sulme ajrore mbi gjithë Rripin e Gazës, duke goditur bazat e instalimet ushtarake të Hamasit. Flitet për qindra të vdekur e të plagosur. Sulmi, i njoftuar këto ditë nga shtypi e nga anëtarë të ndryshëm të qeverisë së Tel Avivit, ka për qëllim t’i japë fund flakjes së raketave mbi Negevin, që rifilloi pas armëpushimit të 19 dhjetorit të kaluar. Nuk vonoi përgjigja e palestinezëve të cilët hodhën katër raketa nga Gaza në drejtim të Netivot, duke vrarë një qytetare izraelite. E gjithë bashkësia ndërkombëtare i priti këto sulme me pakënaqësi e shqetësim, ndërsa Lega u mblodh sot në një takim emergjence.

E, lidhur me situatën e re të konfliktit, që shpërtheu në Lindjen e Mesme, të dëgjojmë reflektimin e drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi:

“Sulmi i forcave të armatosura të Izraelit kundër bazave e strukturave të Hamasit në Rripin e Gazës, pritej që nga çasti kur, si përfundoi armëpushimi, disa ditë më parë, rifilloi sulmi me raketa e me të shtëna mortaje nga Gaza drejt territoreve të afërta izraelite. Ndonëse i pritur, ky sulm të bën përshtypje për përmasat e tij e për numrin e viktimave. E ka shumë mundësi që operacionet ushtarake të vijonë e viktimat të shtohen akoma.
Sigurisht do të jetë një goditje tejet e rëndë për Hamasin. Në të njëjtën kohë ka mundësi të mos mungojnë edhe viktimat e pafajshme, madje ndoshta do të jenë edhe të shumta; urrejtja do të bëhet edhe më e madhe e shpresat për paqe, gjithnjë më të largëta.
Por gjithë kjo u provokua në mënyrë të vetëdijshme. Nga njëra anë, urrejtja verbon përsa u përket rrugëve të paqes, nga ana tjetër, mpreh arsyen për të gjetur rrugët e vdekjes e për të rivënë në jetë rrathët veskëqij, që çojnë vetëm në thellimin e mëtejshëm të urrejtjes.Hamasi është i burgosur në logjikën e urrejtjes. Izraeli, në logjikën e besimit tek forca, si përgjigja më e mirë që mund t’i jepet urrejtjes. Duhet vijuar të kërkohet një rrugëdalje tjetër, ndonëse duket e pamundur!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.