2008-12-26 14:40:30

Krishtlindja dhe Viti i Ri nëpër botë (tradita)


(26.12.2008 RV)Pak më tutje nga Rovaniemi, në Finlandë, ndodhet katundi ku jeton Plaku i Vitit të Ri, i cili çdo ditë pret fëmijë për vizitë në shtëpinë e tij të vogël, të mbuluar deri në çati me dëborë. Kush nuk ka mundësi të shkojë për ta vizituar qytetin finlandez, nuk duhet të dëshpërohet: Plaku i Vitit të Ri, i ndihmuar nga 30 gnomë (xhuxhimaxhuxhë), u përgjigjet letrave të fëmijëve nga mbarë bota. Adresa e tij është: “ Plaku i Vitit të Ri, Rrethi polar Arktik, 96930 Rovaniemi ( Finlandë)”.
Që nga fundi i nëntorit, në fshatin e Rovaniemit është hapur Santaparku, një park dëfrimi për të vegjël e për të medhenj, që nuk ka shok në botë. Brenda një shpelle mund të jetosh disa çaste magjike, si në një përrallë të vërtetë. Aty është përuruar edhe një park tjetër, në të cilin kullosin renat, që përdoren për vrapime mahnitëse me slita.
Periudha e Krishtlindjes në Greqi njihet me emrin ‘Kalanda’ – fjalë që rrjedh nga latinishtja ‘Kalendae’, ditët e para të janarit. Kalenda quhen si këngët e Krishtlindjes, ashtu edhe ëmbëlsirat, që përgatiten për tërë periudhën e festës, e cila shkon nga 6 dhjetori, dita e Shën Nëkollit, deri më 25, Dita e lindjes së Krishtit. Natën e së kremtes, fëmijët shkojnë shtëpi më shtëpi për të kënduar himnet e festës, të shoqëruar nga tingujt e trigonit. Të zotët e shtëpive u japin si shpërblim dhurata të shumta.

Evenimenti më i rëndësishëm i Krishtlindjes në Spanjë e në Portugali është Mesha e Mesnatës, që portugezët e quajnë “Missa do galo”, spanjollët “ Misa del gallo” apo “Mesha e gjelit”.
Ndër këto vende dhuratat shkëmbehen ditën e Dëftimit të Zotit, apo të Ujit të Bekuar. Për spanjollët e vegjël, dhuratat i sjellin Mbretërit Dijetarë (Los Reyes Magos) të hipur në kuaj, gjatë një feste të madhe me vrapime kuajsh, që njihet si La cabalcada.
Në gadishullin iberik ëmbëlsira tipike është një lloj kulaçi “il rosco de Reysies’- për portugezët; ‘roscon de Reyes’ për spanjollët. Embëlsira ka formën e një kurore, është e zbukuaruar me sheqer dhe ka brenda shumë surpriza për fëmijët.

Vjena në periudhën e Krishtlindjes shndërrohet në një Shpellë të madhe Betlehemi, me mijëra drita që vezullojnë nga tregu i “Kohës së Ardhjes së Krishtit”, me rrugët e stolisura me degë bredhi, kafenetë e pastiçeritë që ta bëjnë me sy nga vitrinat e tyre të ngarkuara, me koncertet e festat, ku ndjehen meloditë e valcerit. Në qendër të qytetit ngrihet një Shpellë Betlehemi që, me shtatore të vockla, tregon ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në Sallonet e Bashkisë, artizanët ndihmojnë të vegjlit për të krijuar dhurata e ëmbëlsira. Sipas traditës, në tryezën e festës shtrohet pata e mbushur, e shoqëruar me salca boronicash, torta me kungull, një lloj ëmbëlsire e mbushur me kungull dhe me fruta të thata.
 
Në qëndrën historike mesjetare të Innsbrukut, mbi sfondin e maleve të mbuluara me dëborë, hapet gjatë gjithë muajit dhjetor një treg karakteristik malor. Një bredh vigan Krishtlindjeje, që vezullon nga dritat, një Shpellë Betlehemi me figura të skalitura në dru, me madhësi natyrore, tezgat që shesin zbukurime tiroleze për bredhin, ëmbëlsira tradicionale të freskëta, bajame të sheqerosura, verëra të ëmbla, gështenja të pjekura, krijojnë një atmosferë mahnitëse.
Një ngjarje e posaçme është arritja më 5 e 6 dhjetor e Shën Nëkollit, që u sjell fëmijëve të mirë ëmbëlsira, ndërsa sherretëve, copa qymyri.

Gjithnjë të ndriçuara me vargje dritash festive, që zbukurojnë fasadat, magazinat e famshme “Harrolds” të Londrës, për Krishtlindje janë qëndra kryesore e blerjeve. Një labirint sallash, në të cilat rrezikon të humbasësh, është perplot me gjithçka nevojitet për festë: që prej zymbyleve të mbushura me gjëra nga më delikatet, tek lodrat; nga ushqimet, tek veshmbadhjet.

Trafalgar Square ngrihet bredhi më i bukur i kryeqytetit. Bredhi madhështor i dhurohet çdo vit londinezëve nga norvegjezët, si shenjë falenderimi për ndihmën që kanë pasur nga anglezët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjëja karakteristike që shtrohet në sofrën e festës është një lloj byreku, që gatuhet qysh nga njëmijë e pesëqindëshi, me pasta frolë, mbushur me rrush të thatë e fruta të tjera të thata; dikur mbushej me mish.

Kartolinat e urimit, qe fluturojnë nga të katër anët – në të katër anët e botës, përplot me urime për Krishtlindje e Vit të Ri, janë shpikur rreth gjysmës së tetëqindës nga një djalosh britanik i cili, duke mos dashur të shkruajë letrat tradicionale të urimeve, porositi një artist t’i përgatiste bileta në seri. Këto bileta, me frymëzim viktorian, stolisin edhe sot paketat e Krishtlindjes në Angli.
 Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons de Liguori improvizoi në një Kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: “Ti zbret nga yjet’. E lehtë për t’u kënduar e përshtashme për mundësitë vokale të fëmijëve, të grave e të njerëzve të popullit, kjo nina-nanë u përhap shumë shpejt e u përkthye në gjuhë të ndryshme të botës. Është njëra nga këngët më të ëmbla të Krishtlindjes. E këtë melodi, të cilën e pëlqente shumë edhe kompozitori i famshëm italian, Gjuzepe Verdi, ne vijojmë ta këndojmë si lutje. Pa të Krishtlindja do të humbiste një element tejet tërheqës:

 
Ti ulesh prej Parrizit,
O Zot e Mbret lumnie,
E n’ tokë vjen me u bâ nieri
Vetëm prej dashtënie:
Aq i dashtun je për né
Sa n’ një shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
Unë s’e kam dijtë se ti ne
T’ shkretët na don kaq shumë.
Për ty, që rruzullimin,
Gjithmbarë e ke krijue,
S’janë gjetë as shtëpí, as petka
E zjarmi t’ ka mungue.
Tash asht dimën, akull, borë,
Me qindrue njashtu asht zor.
O djalë i shkretë!
Prej së ftoftit ti po dridhe,
Po dridhe e po bërtet!
O Biri i të Naltit Zot,
Ti pate gjithë lumninë,
Por deshtas e ke lanun
E kapë ke vorfëninë;
Pra pse kjanë e pse gjimon,
Kurrkush ty s’ po t’ ankon:
Ti don me m’ m’sue
Se pa durim nuk mundet
Kurrkushi me u shëlbue.
Ne disha gja, ti fshanë
E kján, o bukurí,
Përse si duhet nieri,
S’ ta din gjithë atë dashtëní;
Vesht e mora, unë i ngrati,
Se at’ mundim ta nep ty m’kati;
O m’kat i mallkue!
Por, ti, o Zot, m’ fal!
M’ fal se jam pendue!
Ti flén përmbi atë grazhd,
O i lumi djalë plot hír.
Por zemrës me marrë gjumë
I del fort punë e vështirë.
Zemra e jote pse po l’ngon?
Natë e ditë çka po mendon?
Unë tjetër s’po mendoj
Veçse me dekë për nierin,
Me dekë që ta shëlboj!
Me lé e me dekë për mue,
Dashtënia t’ ka shtërnguemun:
E vetë, pa dashtë, o Jezu,
Si mundemi me rrnuemun?
Shpresa e eme, o Virgjina Mrí,
Me dashtë Krishtin n’se nuk e dí,
Ty t’ kjosha true:
M’ m’so gjithmonë me e dashtun,
Me e dashtë e me e lavdue!


Krijim i Alfons Maria de Liguorit; përshtatur në gjuhën shqipe nga dom Ndre Mjedja.







All the contents on this site are copyrighted ©.