A e dini kur filloi të kremtohej Mesha e Mesnatës së Krishtlindjes?
Si për çdo festë të madhe, për Krishtlindje thohen tri Meshë: ajo e Mesnatës,
e Agimit dhe e Ditës. Mesha e Mesnatës duhet të ketë filluar të kremtohet shumë
heret. Mendohet se për herë të parë u kremtua në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe
në Romë, ndërsa Mesha kryesore e Agimit dhe e Ditës, janë kremtuar gjithnjë në Bazilikën
e Shën Pjetrit, në Vatikan. Mesha e parë e Mesnatës u vendos të kremtohet në Bazilikën
e lashtë kushtuar Nënës së Krishtit, sepse atje që në kohën e Sikstit të III (432
-440) qe ngritur një kapelë e posaçme, stolisur me një afresk që paraqiste lindjen
e Krishtit në Betlehem. Meshët festive të mesnatës kremtohen në të gjitha Kishat
katolike të botës, që lartohen në qëndra metropolesh e në maja malesh, ku mund të
arrihet vetëm nëpër shtigje dhishë e ku ngjiten përvit barinj të vërtetë me pishtarë
në duar, për të pritur ardhjen e Shëlbuesit të botës e për të kënduar së bashku me
engjujt: “Lavdi i qoftë Zotit në qiell e paqe në tokë njerëzve që ai i do!”.